Një këngë e tij mjaft e njohur “Bota ime” mund të ishte fiks fabula e rubrikës “24 orë me…”, risia e programit të përjavshëm të Ardit Gjerbreas “E diela Shqiptare”. Në pothuaj çdo javë që është shfaqur ka ngjallur reaksion të madh në publik dhe ka marrë vëmendjen e të gjithëve. “Ti botën time nuk e njeh…” është fraza e çdo personazhi të javës, nën lëkurën e të cilit Arditi është mundur të hyjë për 24 orë: “Te “24 orë me…” mësova se të nxjerrësh një konkluzion për tjetrin, duhet të jetosh me të, të hysh në lëkurën e tij”,– tregon producenti në një intervistë ekskluzive për “Panorama”.

Nën lëkurën dhe petkun e një të burgosuri, një doktori apo një lypësi, Arditi nuk e ka pasur të thjeshtë, por më të vështira kanë qenë për të reagimet pas transmetimit, të cilat, në një pjesë të mirë të rasteve, janë keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Ndër të tjera, Arditi rrëfen edhe ndjesitë e personazheve që i është dashur të takojë dhe përjetimet e jetës me sytë e tyre. 24 orë nën petkun e tyre, Arditi ka mësuar se ç’do të thotë të jesh i dyti, ka mësuar se 24 orë mjaftojnë për të qenë tjetri, për të dalë më pas nga roli e për t’u kthyer te vetja, ama në fund ke reflektuar për jetën që është sa dhe si një kërcitje gishtash.

Por nëse dikush do të donte të ishte 24 orë me Arditin, si mund të ishte një ditë e tij? Ah, për këtë pjesë ndoshta të gjithë janë kureshtarë, po aq sa një shumicë tjetër e merr me mend se treçereku i kohës së tij kalon në Tv Klan, aty ku producenti prej vitesh ka ndërtuar shtëpinë e dytë. Por tregon se nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga skena dhe prapaskena: “Nuk ndryshoj aspak nga skena me prapaskenën, jam një libër i hapur….” – tregon ai duke shtuar se nuk është e vështirë të mendosh se ç’mund të bëjë ai në 24 orë: “24 orë me mua? Minimalisht 10–12 orë i kaloj në Klan duke punuar. Pjesa tjetër, familja dhe shoqëria e preferuar.”

Mëngjesi për Arditin është mëngjesi me Annën, pastaj muzikë, argëtim dhe nisje për punë: “Mëngjesin e nis me time bijë, zgjimi më i bukur që mund të kem, derisa e përcjell. Pastaj, sigurisht, është Aldo, që me humorin dhe muzikën e zgjedhur shoqëron edhe mëngjesin tim.”

Sa për pjesën tjetër të ditës dhe orët e gjata në punë, Arditi tregon se me gjithë energjinë dhe sportivitetin, vitet aty i ka: “Aty janë vitet, i pashë kur para dy vitesh më shkoi tensioni 220 dhe për pak desh u përshëndeta me këtë botë. Dhe gjithçka vinte nga ngarkesa, nga harresa e viteve dhe ngulmimi për të shfrytëzuar çdo sekondë të ditës për punë. Ndoshta ky është sekreti…”