Lidhu me ne

Radar

“Trump-i francez”/ Kush është Eric Zemmour, rivali më serioz i Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale

CNA, LAJME, BLOG, BOTE

Nga Benedikt Berner “Project Syndicate”

Sipas një sondazhi të ri që tronditi Francën kohët e fundit, Eric Zemmour, eseisti i ekstremit të djathtë dhe një moderator i njohur televiziv, do të merrte 17 për qind të votave, nëse do të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kjo e pozicionon atë në vendin e dytë, përpara Marine Le Pen të Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë.

I njohur që nga fillimi i viteve 2000 për paraqitjet e tij të njohura televizive, dhe për rubrikën e tij të rregullt në gazetën konservatore “Le Figaro”, Zemmour është shndërruar aktualisht në një lojtar të rëndësishëm në një lojë politike, të cilin ai shpreson që ta destabilizojë – megjithëse ai mbetet i paqartë nëse do të garojë apo jo në presidencialet e prillit të vitit të ardhshëm.

Megafoni i tij politik është “CNews”, një kanal televiziv me ndikim i mbështetur nga miliarderi Vincent Bolloré, pronar i konsorciumit “Vivendi”. Edhe pse programet e tij me popullore nuk tërheqin zakonisht më shumë se 800.000 shikues, “CNews” e ka dyfishuar audiencën e tij gjatë 4 viteve të fundit, duke e vendosur atë në vendin e dytë midis 4 televizioneve më të rëndësishme të lajmeve në Francë.

Modeli i biznesit i kompanisë, kombinon mbulimin e lajmeve në kohë reale, me komente dhe debate që tentojnë të thjeshtëzojnë çështje komplekse, duke shfaqur shpesh pozicione ekstreme. Çelësi i suksesit të fundit të “CNews” dhe Eric Zemmour, është se ata kanë përvetësuar një leksion nga Donald Trump:ji ekstremist dhe provokues.

Për shembull, shpërthimi i fundit i Zemmour, ishte thirrja për ndalimin e emrave “të huaj” si për shembull Mohammed. Ndërsa e djathta ekstreme franceze ka qenë tejet e fiksuar gjatë 30 viteve të fundit me Islamin, emigracionin, dështimet në arsim, dhe rënien e pretenduar të qytetërimit francez, retorika ekstremiste e Zemmour i ka nxjerrë në plan të parë këto çështje.

Dhe termi “ekstremist” nuk është aspak një ekzagjerim. Zemmour është dënuar dy herë vitet e fundit për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e dhunës racore. Ai e vë theksin tek të njëjtat tema të nxehta në librin e tij të ri “La France n’a pas dit son dernier mot (Franca nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit).

Duke ngatërruar Islamin me Islamizmin, ai shpreson që ta stigmatizojë të gjithë këtë besim fetar, duke nxitur kundërshtimin ndaj emigracionit. Ai pretendon se emigrantët myslimanë do të dominojnë banorët vendas të Evropës, dhe se “islamizimi i rrugëve të qytetit” nga “kolonizatorët” e rinj, kërcënon mbijetesën e kombit francez.

“Asnjë qytet i vogël, asnjë fshat në Francë nuk është i sigurt nga grupimet e egra të çeçenëve, kosovarëve, magrebianëve apo bandave afrikane që vjedhin, përdhunojnë, plaçkitin, torturojnë dhe vrasin”-shkruan ai. Nuk është për t’u habitur pse Zemmour e shtrembëron haptazi historinë.

Ai pretendon se regjimi i Vishisë që bashkëpunoi me nazistët, “i mbrojti hebrenjtë francezë” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mizogjinia dhe homofobia e tij agresive, janë po aq të ashpra. Zemmour dëshiron që këto tema të jenë në qendër të debatit në zgjedhjet presidenciale pranverën e ardhshme.

Rregullatori francez i transmetimeve televizive, Këshilli i Lartë i Transmetimeve Audiovizive (CSA), ka vendosur që ta trajtojë tashmë atë si një kandidat, duke monitoruar kohën e tij televizive, në mënyrë që të mos pretendojë më shumë se kandidatët e tjerë.

Fenomeni “Zemmour”, po shqetëson jo pak partitë politike franceze në të gjithë spektrin politik, por jo për të njëjtat arsye. Më e shqetësuar është sigurisht Marine Le Pen, pasi ajo shpreson të jetë kandidatja që do të përfaqësojë të djathtën ekstreme.

Tradicionalisht, vota e protestës në Francë, është ndarë mes populistëve dhe abstenuesve dhe të paktën deri në zgjedhjet e 2017-ës, dhe kjo tendencë e favorizoi në përgjithësi partinë e saj. Për ta paraqitur veten si një kandidate legjitime presidenciale në vitin 2017, Le Pen e moderoi mesazhin e partisë, dhe u distancua nga babai i saj (themeluesi dhe ish-udhëheqësi i partisë), si dhe nga retorika e tij reaksionare, raciste dhe anti-semite.

Një vit më pas, ajo ndryshoi edhe emrin e partisë. Por moderimi nuk është pritur mirë nga pjesa më e madhe e bazës së saj të mbështetësve, një pjesë e konsiderueshme e së cilës ka kaluar me Zemmour. Një sondazh i bërë publik më 28 shtator, tregoi se mbështetja për Le Pen ishte rreth 16 për qind, nga 28 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

Ngritja e Zemmour po shihet po ashtu me shqetësim nga partia tradicionale e qendrës së djathtë, Les Républicains (Republikanët). Ndërsa shumë konservatorë francezë do ta kishin bezdi të votonin për Tubimin Kombëtar për shkak të së kaluarës së tij anti-semite, ata mund të shohin tek Zemmour, një hebre sefardik, një zëdhënës të pranueshëm të pozicionit të së djathtës bashkëkohore mbi emigracionin.

Por Zemmour është paraqitur gjithashtu edhe si një kampion i Golizmit, duke trajtuar 3 nga temat e preferuara të Charles de Gaulle:pavarësinë kombëtare, politikën sociale dhe idenë e Francës së krishterë. Duke luajtur në kufijtë fluidë midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme, ai po merr vota nga Republikanët, gjë që Le Pen as që mund ta kishte shpresuar ndonjëherë.

Por ndërsa një kandidim i Zemmour mund ta dëmtojë të djathtën, ai edhe mund t’i shërbejë asaj. Nëse Zemmour e zvogëlon peshën e Le Pen në zgjedhjet e afërta, një tjetër kandidat i krahut të djathtë, si Xavier Bertrand, favorit në sondazhe, mund të mbizotërojë si sfidues i presidentit aktual Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Macron do të kishte shumë më tepër arsye të ishte i shqetësuar në një balotazh kundër Bertrand, një kandidat që mund të kërkojë një mbështetje të gjerë, përfshirë votuesit e majtë dhe centristë, të cilët duan të parandalojnë me çdo kusht një mandat të dytë të Macron.

Po ashtu Macron mund të dëmtohet jo pak edhe efekti negativ, që do të kenë në debatin e përgjithshëm temat e ekstremit të djathtë. Ai do të dëshirojë të nxjerrë në pah arritjet e tij ekonomike dhe sociale, reformat e tij në sistemit arsimor dhe bindjet e tij pro-evropiane. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, kur bën fushatë kundër një kundërshtari, që mban në gojë vetëm çështjen e ”Islamit” dhe “emigrimin”.

Mbetet për t’u parë nëse Zemmour do të kandidojë apo jo. Disa analistë dyshojnë nëse ai mund të ketë mbështetjen e nevojshme të të paktën 500 kryebashkiakëve. Por 17 për qind e votuesve francezë që mbështesin kandidaturën e tij, këto çështje nuk mund të injorohen.

Një pjesë e konsiderueshme e publikut, është qartazi e zhgënjyer nga figurat që ka prodhuar vitet e fundit elita politike franceze. Çfarëdo që të vendosë të bëjë Zemmour, ai bashkë me “CNews” dhe media të tjera të krahut të djathtë, e kanë ndryshuar debatin, duke detyruar të gjithë kandidatët që të fokusohen tek emigracioni dhe kriminaliteti në vend.

Edhe Macron është detyruar që t’i përshtatet rrethanave, dhe kjo shihet për shembull në vendimin e tij për të vendosur kufizime të rrepta mbi autorizimet e vizave për shtetasit marokenë, algjerianë dhe ata tunizianë. Pa u bërë ende kandidat, Zemmour është tashmë një forcë me ndikim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

MË TEPËR

Mix17 minuta më herët

Sophie Turner: Taylor Swift, mbështetja ime gjatë divorcit nga Joe

Sophie Turner është mirënjohëse që Taylor Swift e lejoi të qëndrojë në apartamentin e saj në Nju Jork pas divorcit...

Mix22 minuta më herët

Dieta e vezëve/ A duhet ta provoni për të ulur peshën?

Një nga temat me interesante në kërkimet shkencore për dietat dhe jetesën e shëndetshme është roli i vezëve dhe proteinave...

Mix26 minuta më herët

Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë të falënderojë Bes Kallakun për famën që ka, më parë nuk e njihte askush

Këngëtari i njohur Robert Berisha ka bërë së fundmi disa deklarata të forta që kanë nxitur diskutime në sferën publike,...

Radar30 minuta më herët

“Pronat publike”/ “Vjedhje me ligj!”,Lulzim Basha: Skemë e qeverisë me mafian e pronave dhe oligarkët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp foli në lidhje me ligjin e miratuar ditën e...

Radar37 minuta më herët

VIDEO/ Rama i mat kohën Vuçiçit gjatë fjalimit në Samit: Gjithmonë flet më shumë se të tjerët! Presidenti serb nuk mban dot të qeshurën

Një moment epik ka ‘shpëtuar’ nga takimi i djeshëm në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Kotor të Malit...

Mix43 minuta më herët

FOTOT: Koha për Naomi Campbell ka ngrirë që nga 1996 dhe veshja e saj është prova

Ajo që Naomi Campbell demonstroi në ‘Festivalin e Filmit në Kanë 2024’ është se si mund të bësh një pakt...

Mix1 ditë më herët

“The Line”, qyteti futurist në Arabinë Saudite: Ferr apo parajsë?

Imagjinoni dy rreshta rrokaqiejsh 500 metra të lartë (shumë më shumë se Empire State Building në Nju Jork, i cili...

Mix1 ditë më herët

Diamanti blu që mund të arrijë 50 milionë dollarë në ankand!

Diamanti më i madh blu, i zbukuruar, pa të meta, i nxjerrë ndonjëherë në ankand mund të shitet deri në...

Mix1 ditë më herët

Cilat janë markat më të mira të hoteleve luksoze në botë?!

Ka renditje të hoteleve më të mira në botë. Por një listë e re, e lëshuar nga grupi vetëm për...

Mix1 ditë më herët

Ky shtet ka më shumë nga 50 restorantet më të mira në botë se çdo vend tjetër!

Nuk do të ishit larg nëse do ta mendonit Italinë ose Francën si vendin me më shumë nga restorantet “50...

Facebook