Lidhu me ne

Radar

Shtypi britanik, 3 shkrime pompoze në një javë për Shqipërinë, publicitet me pagesë i qeverisë Rama?

Shtypi britanik, 3 shkrime pompoze në një javë për

Alfred Lela/ Politiko.al

Shtypi britanik e çnderon Shqipërinë sa herë i jept rasti. Në faqet e tabloideve londinezë ka, thuajse çdo ditë, një shqiptar të keq: që ka vrarë, ka mbjellë kanabis, ka hyrë ne vend ilegalisht, e me radhë. Shkrime të tilla janë, kryesisht, të ndërtuara me të njëjtën çantë instrumentesh: stereotipizimin e shqiptarit, mosdaljen e gazetarit nga zyra, duke përdorur informacion të pakonfirmuar nga rrjetet sociale (sidomos Instagram), apo etjen për skandalistikë, e cila sjell me vete edhe rritje të tirazheve apo klikimeve.

I vetmi lajm i mire që vinte (përgjysmë!) nga Shqipëria, për gazetat britanike këto kohë, ka qenë Lea Ypi dhe libri i saj Të lirë. Në tekstin e Ypit pajtoheshin si berlinerët seriozë, The Times dhe The Guardian, ashtu dhe tabloidët e skandalistikës, Daily Mail dhe Mirror.

Në mes të dy këtyre shinave, stereotipizimit dhe shmangies (disi) së tij (rasti Ypi), herë pas here ngre krye ndonjë raportim pak rreshtësh i korrespondentit të The Economist për Ballkanin, Tim Judah, i cili vetë e pranon se, mungesa e lajmeve nga Shqipëria është lajm i mirë. Në të njëjtën kohë, të gjesh lajme në normalitet apo rutinë, sidomos për një lexues të largët dhe snob si britaniku, është thuajse e pamundur. Raportimi i tij i fundit nga Shqipëria ka qenë përpjekja e banorëve dhe mjedisorëve për të shpëtuar Vjosën nga ‘hidrocentralizimi’.

Çfarë ka ndodhur atëherë, që shtypi britanik është ngutur këtë javë të prodhojë tre shkrime pompoze për Shqipërinë? Çfarë ka bërë vendi ynë dhe qeveria për ta merituar këtë sajdisje në shtypin e Madhërisë së Saj?

The Times, në një shkrim të 9 janarit, e konsideron Shqipërinë një aleat të Britanisë në luftën kundër Kinës dhe Rusisë. Shkrimi rrotullohej rreth dy pikë ca metrave lartësi të kryeministrit Rama dhe lapsave të tij të famshëm ngjyrashumë në tavolinën e zyrës. Edhe fotoja paraqiste një Ramë basketbollist, me dorën e zgjatur në projektim të ‘tre pikëshit’, dhe një shikim fajkoi në kërkim të koshit të së ardhmes.

Shtypi britanik, 3 shkrime pompoze në një javë për

Titulli që evokonte aleancën britaniko-shqiptare kundër Moskës e Pekinit, nuk kish se si të mos ngjante si humor i zi anglez. Sepse britanikët kanë qenë në anën tjetër të aleancës, kur Tirana rreshtohej me pompë kundër bllokut të NATO-s, herë në krah të Rusisë e Kinës, e herë si një lunatike e vogël e vetme.

Shpërpjestimi, megjithatë, nuk mund të mos të të bëjë të buzëqeshësh, edhe pse ai kërkon të bëhet i pranueshëm me anë të përsëritjes.

E njëjta gazetë, pak ditë më vonë, më 15 të janarit, e kap Shqipërinë nga një kënd tjetër: refugjatë afganë të nisur nga Qabeja e luftës për në Amerikën e ëndrrës, e të kapur në rrjetën e gjirit të vogël të Shëngjinit, ku gjatë verës fërgohen, si sardelet e Gjergj Lucës, në vaj dhe në diell, kosovarë e shqiptarë. Tema e afganëve ngre krye në të gjitha shkrimet. Ajo shfaqet dhe konsiderohet, thuajse brutalitet, edhe në shkrimin e The Finacial Times, një tjetër gazetë britanike, e botës së financës së lartë. Ai që e konsideron të tillë (ç’i ke ato fjalë!?), është vetë kryeministri shqiptar, po në sfond të lapsave, po i pazakontë, gjithaq i gatshëm për të prodhuar epitafe për gurëvarrin e vet. Bash siç bëjnë ata që e kanë gjithmonë një sy të hapur për kah përjetësia.

Gazetari Alec Russell futet thuajse në zhanrin e magjepsjes, që ushtron mbi britanikët fantastikja e llojit Lord of the rings apo Harry Potter. I kthyer pas 30 vjetësh në Shqipëri, ai përdor fjalën ‘mrekulli’ për ta ilustruar kontrastin në kohë të vendit të vogël ballkanik. Shkon sa nga refugjatët te Rama, dhe që aty te e shkuara. Pa harruar stacionin e Harry Potter-it tonë, kryebashkiakut Veliaj. Nga kulmi i Bashkisë ai i tregon me dorë qytetin që hedh shtat, dhe faktin se Tirana është shpallur kryeqyteti i Rinisë për 2022.

Më kujtohet Tim Judah, kur thotë se normaliteti i Shqipërisë nuk shet. Anormalen e kaosit e të luftës e ka zëvendësuar tashmë ‘shitja e mrekullisë shqiptare’. Një vend që ka dalë nga ferri dhe është montuar si instalacion artistik në stacionet e Purgatorit. Që aty ajo niset për në hapësirë me Amerikën dhe Britaninë, kundër Rusisë dhe Kinës. Në atë orbitë është lejekalimi për në parajsën e së nesërmes. Sa kohë është këtu, edhe pse me probleme, ajo hap dyert e bujarisë për afganët e shpërngulur nga lufta. U jep tokë dhe liri muxhahedinëve që vijnë nga Irani. Ka një qendër të përpunimit të azilantëve që mbërrijnë, bashkë me traumat, nga zonat e luftës në Afrikën e Veriut.

Shtypi britanik, 3 shkrime pompoze në një javë për

Kur, kështu siç është, një vend që nuk synohet, si Britania psh, për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen, por si trampolinë kalimi nga ferri në purgator e në parajsë, pse të mos e hapë edhe pak derën për një qendër më shumë të përpunimit të refugjatëve. Më sak, atyre që synojnë brigjet e ishullit britanik. Është që është një Nënë Terëzë e kohës dhe mëtuese me të drejtë e shenjtores katolike, pse të mos jepet edhe më shumë në industrinë e ‘lebrës së pasluftës’.

Ka patur negociata mes britanikëve dhe qeverisë shqiptare, pandehma që kanë ngritut krye disa herë në shtypin britanik, por janë hedhur poshtë nga kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes. Me luftën në opozitë dhe me mungesën e kundërshtarit, është tani koha më e mirë për të kryer një lëvizje që nuk do ndeshte rezistencë. Me rruzaren propagandistike të Nënë Terezës, dhe të shtëpisë së shqiptarit, që është e mikut dhe Zotit (Kanuni kur na intereson), Rama me të tijtë do të mund ta kënaqnin naivitetin e publikut.

Sigurisht, problemi nuk është te qendra, refugjatët e luftës, britanikët dhe aleanca me ta. Sfida gjendet më poshtë shtresave të së përditshmes. Shqipëria po bëhet një vend-kalim, një strehë vorfnore, një han kalimtar mes Lindjes dhe Perëndimit. Nga izolimi hoxhist kemi kaluar në ekstremin tjetër: ‘everything goes’. “Albania” nuk është më një vend apo një realitet, por një urë mes vendeve dhe një nocion piari. Ne presim refugjatë lufte dhe prodhojmë emigranët paqeje. Askush nuk do të vijë për të ndenjur, sepse edhe ata që janë duan të ikin diku tjetër. Ne jemi një WC luksoze për bythën e madhe të rendit liberal të botës.

Kjo do të ishte një alamet teme për Tim Judah dhe gazetarët britanikë, por nuk shet.  

Për të qenë më pak të magjepsur se britanikët me fantastiken e realitetit, duhet thënë se ka edhe një vektor tjetër në këtë histori. Pas Brexit, Londra ka një të dërguar të posaçëm për Ballkanin, ashtu si edhe amerikanët kanë të vetin. Loja e fuqive të mëdha në rajon është pesëshe tashmë: BE, ShBA, Rusia, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar. Në këtë plan, një pakt dhe mirëkuptim me britanikët është pjesë e lojës. Por realpolitika e zbukuruar me indulgjencat e piarit, duhet pikasur, që të mos na shitet si natyrë e gjërave. Ose si teprim.

Siç i gjithë interpretimi më lart mund të jetë (teprim). Dhe, tre shkrimet në shtypin britanik të javës që u mbyll asgjë më shumë se publicitet me pagesë i qeverisë Rama. E cila është në të drejtën e vet ta shesë Shqipërinë jashtë për t’ia zbutur thepat së brendshmi. Por, të paktën kolegët britanikë, që mburren për gjithë atë traditë gazetareske, të shënojnë në fund të shkrimeve advertorial. Domethënë një shkrim publicitar, apo i paguar.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook