Lidhu me ne

Kryesore

Zgjedhjet e Dibrës — 5 gjëra që kuptuam

edi-rama-muharem-rama-701x526-1

Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Dibrës sollën fitore të thellë për PS-në dhe, për shumëkënd, të papritur në këto përmasa. Ndërsa një analizë e thellë mund të kërkojë më shumë informacion dhe të dhëna, disa gjëra duken qartë që tani. Ja pesë të tilla.

1. Makina informale media-biznes-krim e Kryeministrit Rama funksionon dhe ka nxjerrë tashmë jashtë loje procesin politik dhe vetë sistemin politik në vend.

Edi Rama qeverisi në krye të Bashkisë së Tiranës përmes ushtrimit personal dhe informal të pushtetit në bashkëpunim me një “konsorcium” biznesesh dhe mediash, një pjesë më aktivitete të dyshimta, interesat e biznesit të të cilëve u lidhën me lejet e ndërtimit dhe favoret e tjera që mund të ofronte Bashkia e Tiranës.

Në këmbim të financimit dhe mbështetjes politike, Edi Rama i mundësoi këtij konsorciumi një biznes gjigant ndërtimesh në Tiranë ku u qarkulluan miliarda euro, pa asnjë konsideratë morale apo ligjore—duke i lidhur kështu interesat e mediave, bizineseve dhe individëve me aktivitete të dyshimta me fatet e karrierës së tij politike.

Në këtë mënyrë lindi modeli informal, ekstraligjor dhe ekstrapolitik i ushtrimit të pushtetit, i cili bazohet në qeverisjen autokratike të një individi në bashkëpunim me një rrjet të ngushtë individësh jashtë politikës.

Dhe vërtet, pushteti i Ramës në Bashkinë e Tiranës u ushtrua dhe u fuqizua krejtësisht jashtë kontrollit dhe jashtë kuadrit institucional të Partisë Socialiste. E vetmja lidhje e Edi Ramës me PS-në ishin aleancat apo marrëveshjet individuale të tij me drejtues të lartë të saj në shërbim të karrierës së vet, duke shfrytëzuar për këtë qëllim me mjeshtëri luftën e brendshme për pushtet në PS.

Me fuqinë e këtij koalicioni informal pushtet-biznes-media-krim, por edhe propagandës mjeshtërore, në vitin 2005 Edi Rama arriti në krye të Partisë Socialiste dhe në vitin 2013 në pushtet.

Pas ardhjes në qeveri, Edi Rama e përsosi dhe forcoi modelin e suksesshëm të cilit i detyrohet gjithë karrierën e tij. Duke pasur në kontroll një pushtet të plotfuqishëm politik, miliarda nga buxheti i shtetit dhe dhe gjithë pasuritë e vendit, ai e zgjeroi dhe fuqizoi “konsorciumin” informal biznes-media-krim duke bërë aleanca të reja me faktorët kryesorë të biznesit në vend, pothuajse të gjitha mediat dhe disa nga njerëzit më të fuqishëm të lidhur apo të dyshuar për lidhje me krimin.

Ky koalicion—interesat e të cilit janë të lidhura ngushtësisht me ruajtjen e pushtetit politik të Ramës—është tashmë ushtruesi dhe përcaktuesi kryesor i politikës në vend.

Prova e parë e fuqisë së tij ishte sigurimi i 71 votave në Kuvend për të sprapsur tentativën PD-LSI për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike.

Prova e dytë ishin zgjedhjet e Dibrës, gjatë të cilave u pa jo vetëm fuqia e kësaj makinerie, por edhe funksionimi perfekt i saj, pa pasur nevojë për angazhimin e përditshëm të vetë Edi Ramës.

Edi Rama nuk harxhoi kohë në fushatën e Dibrës—ai shkoi aty pak orë në hapje të fushatës, pak orë në mbyllje të saj dhe bëri 2-3 statuse në rrjete sociale. Në vend të tij dhe në shërbim të tij në fushatë në Dibër u angazhuan individë të dënuar për krime, biznesmenë përfitues fondesh publike, funksionarë publike që duhet të ishin të depolitizuar—të koordinuar mes tyre, me detyra të qarta dhe me një mision të përbashkët.

Rezultati qe spektakolar.

Kjo makineri e kaloi provën dhe është, tashmë, e gatshme të përballojë dhe triumfojë në zgjedhjet e vitit 2017.

2. Procesi politik, veçanërisht procesi i votimit, po kthehet gradualisht në proces tregtar. Zhgënjimi i vazhdueshëm dhe humbja e besimit tek politika po i shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë drejt shitjes së votës.

Për të gjithë ata që politika nuk ka ndryshuar asnjëherë ndonjë gjë në jetët e tyre, që nuk ju ka lehtësuar kurrë mjerimin dhe pafuqinë, është tashmë e qartë se i vetmi përfitim që mund të kenë prej saj është tregtimi i votës.

Është veprim thellësisht racional: është më mirë ta japësh votën për një thes me miell, pra për bukën e disa javëve se për një premtim që nuk do të mbahet kurrë.

Lejimi i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka sjellë një “lehtësi” të madhe në kthimin e votës në mall të tregtueshëm: ka zëvendësuar pagesën në para me tolerimin e shkeljes së ligjit—në vend që të paguajë të holla, tani qeveria u ofron qytetarëve lirinë për të kultivuar kanabisin në këmbim të votës.

Me këtë strukturë të re “pagese” mund të blihet vota në mënyrë masive.

3. LSI dhe Ilir Meta janë humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve të Dibrës. PS fitoi thellë në Dibër pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e LSI-së, me gjasa pavarësisht sabotimit nga LSI.

Pasi dështoi në përpjekjen për të siguruar votat e nevojshme për të rrëzuar Ramën nga Kryeministër, Ilir Meta vendosi të qëndrojë në koalicion pasi mijëra anëtarë dhe mbështetës së tij janë të varur nga punësimi dhe përfitimet nga pushteti. Por ai ka zgjedhur të qëndrojë në qeveri si një shtojcë mekanike e cila punon për interesin e vet, pa dhënë kontribut politik për qeverisjen apo koalicionin.

Në këtë “frymë” të re, LSI nuk dha pothuajse asnjë kontribut në Dibër, me shpresën se PS do të humbiste dhe kështu do të kuptonte nevojën për LSI-në ose do të dëmtohej psikologjikisht. Por strategjia e saj e “luftës së ftohtë” dështoi, duke e bërë LSI-në të duket gati e parëndësishme për zgjedhjet e ardhshme.

Në këto kushte, tashmë LSI duhet të zgjedhë të mbështesë dhe kontribuojë realisht në koalicionin me PS-në ose duhet të dalë kundër për ta dobësuar realisht Edi Ramën, përndryshe ajo do të humbasë rëndësinë e saj politike për PS-në.

Strategji “tërhiq e mos e lësho” duket se është strategjia më e keqe për të.

4. Strategjia e deritanishme opozitare e PD-së është e dështuar. Vendi ka nevojë për alternativë politike dhe zgjidhje politike, ndërsa strategjia e PD-së është krejtësisht jopolitike.

Shtylla e parë e kësaj strategjie—propozimet teknike programative—jo vetëm injorojnë origjinën dhe natyrën thellësisht politike të problemeve dhe gjendjes së mjeruar të vendit, por ato duken edhe jorealiste dhe gënjeshtare. Kështu, për shembull, propozimet me subvencione dhe ulje taksash duken qesharake, kur problemi kryesor i fshatit është problemi i tokës dhe kur problem kryesor i biznesit është ai i mungesës së lirisë dhe konkurrencës për shkak të kapjes së shtetit nga një grusht biznesmenësh që shkatërrojnë çdo konkurrencë dhe përparim ekonomik.

Shtylla tjetër, ajo e denoncimit të krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes është gjithashtu joefikase. Në qasjen formale ajo është përsëritje e lodhur e shfaqjeve bajate me recitime nga podiumet e veshura me banderola, të përdorura nga të gjitha partitë opozitare prej shumë vitesh. Qytetarët tashmë e dinë që kjo është shfaqje pa ndikim.

Por mbi të gjitha strategjia e denoncimit nuk është efikase sepse PD nuk ka hedhur asnjë hap konkret vetë për t’u bërë e besueshme si luftëtare e sinqertë dhe e paanshme e krimit dhe korrupsionit.

Besueshmëria dhe ngjallja e shpresës kërkojnë që PD në radhë të parë të pastrohet vetë nga figurat e korruptuara, si dhe të presë lidhjet e veta me oligarkët e biznesit dhe të medias, të cilët po plaçkitin popullin dhe vendin duke përdorur politikën.

Nëse oligarkët paradite janë në zyrën e Ramës dhe mbasdite në të Bashës, opozita nuk do jetë kurrë e besueshme dhe deklaratat e saj kundër krimit e korrupsionit nuk do “të ngjisin” kurrë.

5. Zgjedhjet riforcuan mendimin se ndryshimi politik në Shqipëri nuk fillon nga zonat rurale dhe të varfra. Në të gjitha ndryshimet e deritanishme, të mëdha apo të vogla, politike ndryshimi ka filluar përherë nga qytetet e mëdha dhe pastaj është shtrirë në pjesën tjetër të vendit, përfshi zonat rurale, në ciklin pasardhës zgjedhor.

Në strategjinë e saj zgjedhore opozita duhet të përqendrohet në qytetet e mëdha dhe të përcjellë ide dhe mesazhe të drejtuara në radhë të parë tek popullsia urbane. Mundësia e fitores së opozitës gjendet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë apo Vlorë, kërkimi tjetër kund nuk do sjellë as ndryshim dhe as rezultat zgjedhor./Exit.al

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore1 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar1 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar1 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal1 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook