Lidhu me ne

Temporal

Aleanca e qelbësirave për Parkun

koloreto cukali
Po luftohet rrugicë më rrugicë, shtëpi më shtëpi… këto janë fjalët me të cilat hapet Radiostacioni, filmi i vetëm që flet për çlirimin e Tiranës. Sot, e gjejmë veten në të njëjtën situatë. Po luftojmë pemë për pemë, lulishte për lulishte. Ndërsa preokupoheshim për shkatërrimin e Parkut Rinia, priten pemët e shtrohet beton në mes të parkut të Tiranës. Ndërsa luftojmë për Parkun e liqenit, një monstër betoni po ngrihet përballë Ekonomikut, në vendin ku dikur ishte park. Ndërsa monstra tjetër 17 katëshe po ngrihet poshtë te Diga. Jemi në luftë. Ata që kanë paratë kundër atyre që kanë vetëm ajrin. Dhe sikur mos mjaftonte fakti që një grup protestuesish ka kundër tërë mekanizmin e propagandës (jemi strukur të gjithë në një sajt të vetëm), vjen edhe PD-ja dhe e piraton lëvizjen.
Piratë, vandalë e qelbësira
Është e turpshme që pasi dha leje ndërtimi mbi lulishte e deri dhe në trotuare, z. Basha të ngrihet për të mbrojtur parkun. Protestuesit e tij me autobusë mund t’i dërgonte tek monstra që po ndërtohet përballë ekonomikut, mund t’i dërgonte edhe tek monstra tjetër te Diga. Por jo, ndërtues- shkatërruesit e monstrave janë miq me të dy palët. Projektet, i kanë bekuar si partia e Erionit edhe partia e Lulit. Krimi është bërë në bashkëpunim. Pra, qëllimi nuk është të mbrohet ajo pak hapësirë që ka mbetur, qëllimi është të duket sikur po mbrohet. Ndaj është hipokrite piratimi nga PD-ja i lëvizjes për parkun. Ky piratim i bëri njerëzit që vërtet shqetësohen për atë që po i ndodh parkut (e nuk janë pak) që të rrinë larg lëvizjes, duke i bërë automatikisht shërbimin më të mirë shkatërrimit.
Nga ana tjetër, mediat pranë pushtetit- sa shumë që janë bërë- u morën me CV-në e atyre që ishin në protestë. Pushteti tentoi të denigrojë protestën duke treguar me gisht disa pjesëmarrës. Por, pushteti nuk ka të drejtë morale të tregojë me gisht z. Malltezi, përderisa ka në gjirin e vet z.  Kokëdhima. Palët, janë të barabarta në këtë pikë. Mediat reciproke janë kujdesur të na ofrojnë informacione të gjëra për këdo prej tyre. Për çdo njeri që mund të tregojnë me gisht këtej, ai ka të ngjashmin e vet që mund ta tregojë me gisht andej. Shqipëria nuk është vendi i ëngjëjve dhe askujt nuk i hiqet e drejta e protestës, pavarësisht kush është. Nëse ishte e drejtë aleanca e qelbësirave për të hedhur Berishën, atëherë është e drejtë edhe aleanca e qelbësirave për të mbrojtur parkun.
Për të denigruar protestën pushteti gjeti edhe tjetër argument: vandalizmin. Pra, t’i heqësh sharrën pemëvrasësve, qenka vandalizëm. Të mbrosh pemët nga rruspat, qenka krim ndaj pronës publike. Por, nëse ishte e drejtë të prishnim bulevardin e të digjnim makina me 21 janar për të hedhur Berishën, atëherë është e drejtë të prishim dhe rruspat për të mbrojtur parkun. Edhe armët e gardistëve janë pronë publike, sikurse ushtarët paguhen nga ne, por, ja që ato armë pamë se mund të vrasin edhe popullin sikurse rruspat e Bashkisë vrasin pemët. Ndaj, nuk ka mëshirë për vrasësit dhe armët e tyre.
Cirku i Bashkisë
Ndoshta e keni parë tabelën që lajmëron për Cirkun Belluci, mbështetur nga Bashkia e Tiranës. E pra, cirqe si ai nuk i lejojnë në Europë sepse keqtrajtojnë kafshët. Cirqet moderne nuk kanë kafshë. Ata që kanë vajtur kanë dalë të traumatizuar nga rrahja e tigrave. E pra, mbështetet nga Bashkia Tiranë. E njëjta Bashki që ka premtuar të mbështesë shoqatat e kafshëve. S’kam dyshim se Bashkia po bën e do bëjë diçka për të ndihmuar kafshët e rrugëve, por jam i qartë që Bashkia nuk i do kafshët.
Rasti i Cirkut të Bashkisë më lë të kuptoj së pari që Bashkia nuk ka parime, as frymë, as koncepte. Nëse i do kafshët, ai cirk nuk do lejohej në Tiranë. Njësoj sikurse po t’i duash fëmijët, nuk ua pret pemët. Por, Bashkia nuk punon me parime, punon me interesa të momentit, punon me çfarëdo gjëje që bën show.
Gjëja tjetër që kuptoj është se kush punon në atë Bashki. Aty, nuk punojnë profesionistë. Profesionistët nuk e do kishin lejuar këtë punën e cirkut që të ndodhte. Profesionalizmi i Bashkisë duket edhe te fakti që po gërmon projekte të vjetra e po i aplikon deri dhe gjysmake si projekti i të ashtuquajturit park lodrash që doli se do aplikohet i pjesshëm, pa kafenenë. Nuk besoj se aty ka një urbanist me integritet që të guxojë e të dalë e të mbrojë atë që po i bëhet Parkut Rinia e Parkut të Liqenit, apo atë që po bëhet nën sytë e Bashkisë te Diga po te Ekonomiku. Vetë Bashkia është një cirk. Vetëm se tigrat janë projekte prej letre.
Aria- Dormi amore- La situazione non e buona
Jam përpjekur të kuptoj veprimet e Bashkisë, qoftë dhe duke u përpjekur të mos jem i padrejtë apo tendencioz.
Por, më shqetësojnë shumë dy fakte. Së pari, fshehtësia me të cilën Bashkia po i bën gjërat. Ky projekt nisi pa bujë dhe ishte fat që disa aktivistë panë pemët që po priteshin në fshehtësi. Gënjyen për numrin e pemve të prera, derisa shiu nxori cungjet e dhjetëra pemëve të mbuluara me dhe për të mos u dukur. Akoma nuk kanë treguar projektin por një reel që nuk të lë të kuptosh asgjë, as hapësirën e vërtetë ku do bëhet betonizimi. Ata që janë përpjekur ta shtrijnë reel-in e Bashkisë, kanë llogaritur që hapësira që do betonizohet nuk do jetë 4.000 m2, por mbi 11.000.
Shqetësimi tjetër është arroganca. Ndërsa ftoi për dëgjesë për Parkun Rinia, ajo vetë nuk ka në plan të dëgjojë dhe projekti tashmë ka marrë rrugë. Tek Parku i Liqenit, Pemë- vrasësi del e me arrogancë njofton që projekti do të vazhdojë. Në të dyja rastet i janë ofruar alternativa- parkingje në vende të tjera, pa dëmtuar parkun Rinia; kurse për tek Liqeni ndërtimi me lodra kalamajsh prej druri, e deri tek realizimi i projektit pak më poshtë, aty ku janë hapësirat e Gardës. Por, Bashkia nuk ka vesh për të dëgjuar alternativa, aq sa të krijon përshtypjen që vendimet nuk i merr më kryetari i Bashkisë, por të tjerë, që qëndrojnë pas. Për Parkun te liqeni i vetmi argument për të mos e zhvendosur diku tjetër ishte se “se do bëhet vetëm aty sepse fëmijët kanë nevojë për hije”. Dhe këtë po e bën duke prerë pemët që do bëjnë hije për kalamajtë e duke e shtruar me beton përvëlues.
Ndërkohë, akuzon protestuesit se janë kundër fëmijëve. Fëmijët, edhe talibanët i nxjerrin gjithmonë para kur duan të hedhin njerëz në erë.
Arroganca e frikës
Arroganca e Kryetarit të Bashkisë, është frika e tij. Ai ka frikë se mos ata 50 protestues i bëhen 50,000 ndaj tenton t’i mbajë larg protestave duke përcjellë idenë se ata do bëjnë atë që duan, dhe se nuk pyesin njeri. Për këtë sjell si argument ata që e kanë votuar. Por, ata e kanë votuar për premtimet që ka bërë, dhe prerja e pemëve nuk figuron si pretim, as shkulja e Pakut Rinia. Pra, Kryetari është I PAMANDATUAR për të prerë pemë aty. Sikurse, është i PAMANDATUAR për të shkatërruar Parkun Rinia.
Diçka po përvijohet qartë, nuk është dhe aq ky park lodrash, por ajo që do bëhet më pas. Ky është testi jonë, testi juaj. Ky është Gezi Parku jonë. O ne o ata. O krimi, o ajri i pastër.
Arroganca e Bashkisë, nuk është thjesht fenomeni Veliaj. Është sindroma e Rilindjes që mendon se “i di të gjitha”, edhe pse në vend të profesionistëve kanë punësuar tigra të rrahur. Kjo arrogancë shoqërohet me delirin përkatës.
Deliri
Deliri, i përzierë me arrogancë, po na shfaqet kudo, në forma projektesh “artistike” si ajo që po bëhet para Galerisë, apo dhe “arkitekturore” urbanistike si shkatërrimi i rrugicës anash Pallatit të Kongreseve. Ajo pedonale e vogël e lezetshme ku kalojnë përditë mijëra njerëz, po bëhet rrugë makinash. Por, Pallati i Kongreseve është i projektuar bashkë me rrugicat, pra, nuk është vetëm ndërtesa, është një e tërë. Nuk ka arkitekt që do e lejonte që t’i shkatërrohen rrugicat anash, sepse cënohet arkitektura e saj, por, ja që ashtu po bëhet. Dhe lind pyetja, kush i ka mandatuar kryetarët e Bashkive që të “transformojnë” Tiranën duke prishur “landmarks” të qytetit? Kush u ka thënë që kanë leje të shkatërrojnë çdo gjë, qoftë dhe vila 120 vjeçare për të dhënë leje ndërtimi pallatesh? Kush u ka mbushur mendjen që mund ta ri-pikturojnë Tiranën sipas qejfit të tyre e shijeve të dyshimta duke fshirë pa teklif arkitekturën dhe urbanistikën mbi gjysëm- apo një-shekullore të qytetit? Parkun e Liqenit e kanë ndërtuar vullnetarisht me dhjetëra mijëra njerëz, ndër ta edhe im atë, bashkë me mijëra njerëz që janë akoma gjallë. Kush e ka mandatuar kryetarin Veliaj të fusë rruspat aty pa përfillur ata që e kanë ndërtuar e të deklarojë me arrogancë se nuk tërhiqet? Unë jo. As ju. As ata dhjetëra njerëz që dalin për kafe te liqeni dhe shohin me kuriozitet pasiv luftën e Taninit e disa dhjetëra të rinjve që nuk pranojnë t’i hapin rrugë arrogancës.
Bob Marley- antinjeriu i vitit
Një mik gazetar, shkruante se anti-njeriu i vitit 2015 ishte “vetëdija shoqërore” që është aq e ulët sa nuk na lejon të vetëmbrohemi nga arroganca e pushtetit.
Për fat të keq, miqtë gazetarë janë bërë palë me pushtetin duke ua mpirë vetëdijen njerëzve. Njësoj si një pjesë e shoqërisë tha me 21 janar: “mirë ua bënë atyre që protestuan” dhe justifikonin gardistët “që ishin në krye të detyrës”, sot fotokopjet e tyre të krahut tjetër thonë: “nuk ka kauzë, ç’kanë këta që protestojnë?”. Nuk mund të ketë vetëdije shoqërore kur nuk ka gazetarë të lirë e media të lira. Ndaj arroganca pretendon se nuk ka frikë. Mendon se i ka krahët të ngrohtë me medie të blera e me ndërtues- shkatërrues të pasur. Por, heshtje nuk do të ketë. Kur të ngelet edhe blogu i fundit, edhe pema e fundit, edhe llogaria e fundit e Twitter-it apo e FB, lufta për parkun dhe për qytetin, do të vazhdojë. Propaganda do të vazhdojë, shumë njerëz do të shohin apatikë sesi po na e marrin Parkun e po ua japin ndërtues- shkatërruesve, bashkë me tërë qytetin.
Do të vazhdojë të ketë njerëz që do të presin bileta për te Cirku Belucci dhe do të shohin tigrat që rrihen me kamzhikë. Por, ata 50 djem të rinj do të jenë në protestë. Unë do jem këtu duke shkruar. Ky është Gezi Parku jonë. Dhe nuk kemi tjetër veç atij.
Është e vërtetë, Z. Veliaj, mund të gënjesh tërë popullin për pak kohë, mund të gënjesh edhe një pjesë të njerëzve për tërë kohën. Por, nuk mund ta gënjesh tërë popullin, për tërë kohën.Nga Lapsi
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar9 minuta më herët

TIRANA 2030/ Projektet arkitekturore që do të transformojnë kryeqytetin shqiptar (FOTO)

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, po kalon një transformim të jashtëzakonshëm të nxitur nga një vizion ambicioz për të ardhmen e...

Mix3 ditë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix3 ditë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix3 ditë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix3 ditë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar3 ditë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix3 ditë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix3 ditë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix3 ditë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske3 ditë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Facebook