Sot në mëngjes janë larguar nga rezidenca kuqezi në Austri katër “skarcimet” e De Biazit. Sikurse duket edhe në video, Gjimshiti, Rrahmani, Rashica dhe Rrahmani janë mjaft të mërzitur, thuajse nuk komunikojnë fare me Bogdanin dhe Bushin, të cilët po i përcjellin. Mungon De Biazi në momentin e largimit të tyre. Ndoshta italiani nuk e ka prishur gjumin. Me çanta në shpinë, ata i janë drejtuar me një furgon të qendrës stërvitore Aeroportit të Gracit, për t’u nisur në destinacione të ndryshme, duke marrë me vete më shumë se 10 ditë përgatitje intensive, me shpresën se do të ishin në Francë. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur.

Ata i bie të mos ia kenë mbushur mendjen trajnerit De Biazi në 10 ditë qëndrimi e stërvitjeje aty, ndërsa të tjerë, që erdhën dy ditët e fundit, po. Sidoqoftë, përgjegjësia dhe meritat në kësi rastesh janë të De Biazit. Nëse ai paraqitet mirë në finalet e “Euro 2016” do t’ua mbyllë gojën të gjithëve, edhe atyre që kanë filluar ta shohin atë si menaxher lojtarësh. Nëse ndodh e kundërta, atëherë duhet të japë llogari dhe ndoshta më shumë se kaq.

Sepse tjetër tha, se do të merrte në Francë lojtarët që kanë dhënë kontribut në fushatën kualifikuese të “Euro 2016”, dhe tjetër bëri. Rasti i “Gjimshitit, në antipod me atë të Veselit, tregon se meritokracia nuk funksionon edhe aq në kombëtare, çka, në të vërtetë, u pa që në mosgrumbullimin fare të Hamdi Salihit dhe Alban Mehës, dy prej kuqezinjve më produktivë se gjithë të tjerët, në klubet respektive.