Lidhu me ne

Temporal

Mbi Eljanin dhe Erjonin

FATOS LUBONJA 

Ndoqa me ndjenja kon tradiktore reagimet në rrjetet sociale kundër Eljan Taninit, pasi u shpall fitues i një konkursi për vendosjen e një vepre arti diku në një park- që shoqëroheshin edhe me një foto ku ai shtrëngonte dorën me kryetarin e Bashkisë. Dihet se reagimet u nxitën nga fakti se fare pak kohë më parë, Eljani u rrah dhe u arrestua nga policët e Erjonit teksa protestonte kundër betonizimit dhe prerjes së pemëve te Parku, madje edhe u refuzua në zyrat e Bashkisë si përfaqësues i protestuesve. Pas kërbaçit, erdhi karota, që Eljani e mbllaçiti pa u menduar gjatë (ndoshta), dhe njerëzit nxituan t’ia ngecin në fyt.


lubonja-300x213

Me të drejtë apo pa të drejtë? Me të drejtë, do të thosha, por kam edhe disa mëdyshje të rëndësishme për të shprehur.

Të qenët i pavarur dhe i lirë, që do të thotë, mes të tjerash, edhe të flesh i qetë kur kthehesh në shtëpi, pa ta prishur gjumin ndjenja e turpit se ke vepruar shtrembër pasi dikush të ka futur në xhep një shuk me para apo të ka bërë ndonjë nder, është luks. Luks i madh, madje. Dhe si për çdo luks, edhe për këtë duhet të paguash: duke mos kënaqur dot shumë nevoja materiale që sheh t’i gëzojnë të tjerët në sajë të pareve të shukut p.sh., por edhe, si në këtë rast, duke mos pritur të fitosh çmime nëpër konkurse të organizuara nga pushteti për pushtetin, përkundrazi duke i refuzuar ato. Diçka të tillë duhet të ketë menduar italiani i shquar, Longanesi, kur ka shkuar edhe më tej duke thënë: “Çmimet jo vetëm duhen refuzuar, por as nuk duhen merituar”. Nëse ka ndonjë vend ku kjo thënie tingëllon veçanërisht e vërtetë, është Shqipëria jonë, siç e kemi ndërtuar ne tash njëqind e ca vjet. Prandaj mendoj se Eljani duhet ta kishte refuzuar atë çmim që të meritonte një çmim shumë më të madh në zemrat e shumë njerëzve.

* * *

Thënë kjo, më duhet të ndalem, megjithatë, edhe te një shije e keqe që më lanë mjaft sulme ndaj Eljanit për faktin se nuk gjeta në to një lloj mirëkuptimi ndaj tij që do të na fuste në thellësinë që meriton trajtimi i rastit.

Disa reagime më bënë të mendoj se komentuesit e shihnin Eljanin si heroin e një filmi- që e kanë ndjekur nga divani përpara televizorit – dhe që, në një moment të caktuar, në vend të trimërive bën një akt zhgënjyes, duke rënë në kurthin e ngritur nga i ligu. Në një nivel psikologjik këto reagime i interpretova si reagime pse Eljani u vrau një hero tek i cili ata donin dëshpërimisht të besonin; sikur u vrau shpresën e një shpëtimtari që mezi e kanë pritur. Te një pjesë tjetër (fatkeqësisht jo e vogël) nuk vura re as ndonjë keqardhje pse heroi përfundoi kështu, por gati-gati një si zhgënjim të gëzuar, sikur u provua një bast i vënë se ai nuk ishte hero, por një aktor, që e kishte luajtur gjithë atë rol, deri duke u përleshur me policinë, për të marrë atë çmim – gjë që e ktheu filmin nga dramatik në satirik.

* * *

Dhe këtu fillojnë mëdyshjet e mia. Të urtët thonë se heroin mund t’ia kërkosh vetëm vetvetes, jo të tjerëve, çka lidhet ngushtë me thënien e ca të urtëve të tjerë që thonë: mjerë ata popuj që kanë nevojë për heronj. Sepse kjo tregon se njerëzit e atyre popujve kanë mbetur në nivelin e fëmijës; nuk kanë arritur të kuptojnë se arketipin e heroit, që e kemi të gjithë brenda (po t’i referohemi Jungut), duhet ta integrojmë brenda vetëdijes sonë dhe jo ta projektojmë te ndonjë shpëtimtar. Sepse, përndryshe, në jetën reale (jo atë të filmave), herët ose vonë do të zhgënjehemi keq, jo aq me heroin, sesa me veten tonë.

Prandaj, duke kërkuar kuptimin dhe mirëkuptimin më të thellë ndaj Eljanit, do të shtroja ndonjë pyetje për komentuesit. Pse të mos mendojmë se ky Eljani, pasi e pa se shumë nga ata që e kritikojnë sot, apo që i kërkojnë të mbetet hero, nuk e lëvizën bythën për t’iu bashkuar kur shkonte të protestonte te Parku, kur rrihej e arrestohej nga policia apo kur e pa që pushteti e fitoi betejën e betonizimit, vendosi, edhe ai, të mos i bjerë më betonit me kokë, por të thotë: varja këtij mileti, kaq meriton, do të bëj edhe unë siç bëjnë të gjithë shqiptarët. Mund të mos jetë kështu, por a nuk do të meritonte qoftë edhe disa momente reflektim kjo qasje që kërkon pak më shumë empati për njeriun Eljan, për kushtet ku jeton ai, si dhe pak më shumë vënie në diskutim të vetvetes. Përse duhet ta shohim Eljanin si një hero, apo se ka parë shumë në jetë nga ata artistë apo intelektualë që kanë refuzuar çmimet e paratë e pushtetit për të mbrojtur parimet dhe mendimet e tyre? A nuk është rritur ai gjithë jetën me shembullin e atyre që për të realizuar ambiciet kapen si bimët kacavjerrëse te pushteti –ku shembulli më elokuent, më i suksesshëm e më grotesk njëherësh është Kryeministri dora vetë, i cili, për të kapur maja sa më të larta, ka zgjedhur të jetë edhe pemë, edhe bimë kacavjerrëse njëherësh.

Pra, pse të mos e shohim Eljanin si njeri si të gjithë ne, me të mirat dhe të këqija e veta, me trimëritë dhe frikërat e veta, me nevojat dhe idealet e veta dhe zhgënjimet e veta etj., etj. që dikush, pasi i vuri kërbaçin, ka vendosur t’i miklojë vanitetin, vesi i vetëm, sipas Rusoit, nga i cili njeriu vështirë se heq dot dorë? A nuk meritonte ai në këtë rast edhe një lloj mirëkuptimi, në mos keqardhje, që në fakt nuk janë mirëkuptim e keqardhje për Eljanin, por për veten tonë, sepse të gjithë jemi nën kërcënimin e këtij dikushit dhe të gjithë kemi dobësitë tona?

* * *

Dhe këtu vijmë te thelbi i çështjes, që nuk është sjellja e Eljanit, por ajo e Erjonit. Ajo që më bëri përshtypje për keq ishte se një pjesë sulmesh ishin aq të egra ndaj Eljanit dhe aq të buta (qoftë dhe në formë heshtjeje) ndaj Erjonit, saqë sikur ndjeva thellëthellë, që një pjesë i thoshin viktimës (Eljanit dhe të gjithë neve): fajin e ke ti që hape këmbët jo ai/ata(Erjoni me shokë) që të përdhunuan.

Sepse mund t’i kishin thënë edhe Erjonit ndonjë fjalë të tipit: po mirë mor Erjon, kur ky Eljani qenka një djalë kaq i talentuar, sa i denjë për të fituar një konkurs artistik, a nuk vlente që ti ta kishe pranuar në zyrat e tua për t’i dëgjuar edhe kritikat për Parkun dhe jo ta shaje nëpër televizione e t’i vije policët publikë e privatë në kurriz që ta rrihnin e ta fusnin e nxirrnin nëpër qelira?

Është sjellja e Erjonit, problemi i madh, pra, që pasi e ka rrahur, fyer dhe poshtëruar tani po kërkon ta vrasë fare moralisht duke e kthyer nga një njeri dhe artist, në një shërbëtor dhe artizan të punishtes së tij? Është sjellja e institucioneve shqiptare më në përgjithësi, që kanë në krye individë që punojnë natë-ditë, ditë-natë pa turp dhe pa asnjë fije moralise si të korruptojnë intelektualët, artistë, shkrimtarët, gazetarët, të vdekur dhe të gjallë, për t’u blerë bashkëpunimin, konformizmin apo heshtjen në mënyrë që të vazhdojnë poshtërsitë e tyre të patrazuar.

* * *

Dhe kjo sjellje ngre një pyetje tejet serioze në krahun tjetër: po mirë, nëse një i ri ka aspirata për t’u bërë artist, shkrimtar, të drejtojë një gazetë apo revistë letrare apo artistike, të hapë një ekspozitë, d.m.th., të rritet në krijimtarinë e tij, në mendimet e tij, çfarë duhet të bëjë në këtë shoqëri, kur mesazhi që i jepet është: nëse do të krijosh diçka, duhet të bëhesh palë me njerëzit e pushtetit? Çfarë duhet të bëjë ai kur sheh se Kryeministri, për të blerë intelektualët, hap edhe një dyqan në katin e parë të Kryeministrisë ku ata hyjnë kokulur pasi u bëhet monitorimi te dera se mos kanë ndonjë bombë me vete apo se mos duan të thonë ndonjë mendim kundër projekteve të Kryeministrit; kur sheh se paratë, çmimet e nderimet qeveria i shpërndan për artizanët e pushtetit që bashkë me Kryeministrin dhe ministren e Kulturës janë edhe juria, edhe artisti, edhe fituesi.

Nuk është e lehtë do të thosha. Fakti është se të rinjtë në shumicën më të madhe kanë ulur kokën dhe i janë nënshtruar këtij rregulli të diktuar nga pushteti. Dhe rezultati është ky që është: nuk ka gjë më të ulët sesa, 25 vjet pas diktaturës, të rinjtë, d.m.th. fëmijët tanë, po rriten ende nën sundimin e një klase qeverisëse që në vend se të punojë se si t’i ndihmojë njerëzit që të jenë sa më të lirë e sa më krijues, se si të stimulojë ata më të mirët, më të aftët, se si të thithë idealet e tyre më të larta në të mirë të shoqërisë, punon për t’i ulur e përulur ata në llumin e këmbëve të veta. Duke e kthyer Shqipërinë, kësisoj, në një hale të parespirueshme nga era e mutit dhe shurrës.

***

Kritikat ndaj Eljanit në këtë aspekt ishin edhe një tregues shpresëdhënës. Sepse tregonin se me sa neveri shihen sot njerëzit që bashkëpunojnë me këto institucione, që pranojnë paratë dhe çmimet e këtyre institucioneve, se është rritur vetëdija se jetojmë në një shtet ku të marrësh ndonjë gjë nga shteti është si të marrësh ndonjë gjë nga një bandë hajdutësh që vjedh në kurriz të njerëzve. Por nuk mund të mos vëmë re, megjithatë, se shumica e këtyre kritikave u bënë në rrjetet sociale në mënyrë anonime, ndoshta nga po ata persona që në jetën e tyre reale janë të detyruar të përkulin shpinën.

Të kuptohemi, bëj pjesë ndër ata që mendojnë se nuk jemi në nivelet e shtrëngimit të diktaturës dhe se, prandaj, mundësia për të qenë më me kurajë, më me personalitet, qoftë edhe duke ikur e i bërë naftën këtij vendi, është shumë më e madhe. Por ama, përtej kësaj, le të shohim realitetin ku jetojmë: njerëzit e kulturës dhe artit që po i rezistojnë këtij regjimi që nuk përdor burgjet, por që u pret atyre bukën e gojës së fëmijëve po pakësohet dita-ditës. Dhe problemi më i madh i këtij varfërimi nuk është ai se në këtë mënyrë disa bëjnë para, bëjnë karrierë, bëhen të famshëm, kurse të tjerë vuajnë një ndjenjë padrejtësie, çka nuk është për t’u neglizhuar. Jo, pasojat janë shumë më të rënda. Nga kjo ne humbasim njerëzit e lirë, krijimtarinë e lirë, mendimin e lirë dhe të humbasësh këto, do të thotë që arti dhe krijimtaria, në vend se të hedhin dritë mbi realitetin: errësirën, mjerimin dhe degjenerimin që sundon prapa fasadave, të mashtrojë duke lyer e zbukuruar fasadat e pushtetit.

* * *

Dikush do të më thoshte se jam kontradiktor, se më një anë them se Eljani duhet ta refuzonte Erjonin e më anë tjetër, mundohem ta mirëkuptoj atë. Po, jam kontradiktor, sepse edhe realiteti është kontradiktor. Sepse lufta e Eljanit për Parkun, për mua, nuk ishte një luftë për të mbrojtur thjesht disa pemë, por për të mbrojtur një rini ndryshe që presim të lindë; e ndryshme nga Erjoni të cilit i shkon fjala e Konicës se “Në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur më parë dhe ca që kanë lindur më pas”. Kurse lufta e Erjonit ishte që nesër ne të themi me dëshpërim se edhe Eljani është një që thjesht ka lindur ca më pas se Erjoni, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Edi Rama, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Sali Berisha, i cili thjesht ka lindur ca më pas se Enver Hoxha, i cili thjesht ka lindur ca me pas se Ahmet Zogu.

Dhe ky çmim që Erjoni i dha Eljanit dhe tërë ato reagime për të ndihmuan për ta parë këtë kontradiktë e ndoshta për t’u ndërgjegjësuar se duhet ndërprerë sa më parë ky cikël trashëgimie që të mund të kalojmë në stadin e popujve të rritur, që nuk jetojnë duke pritur duarlidhur heronjtë të vijnë t’i shpëtojnë, por si njerëz me vetëdije që në momente të caktuara bëjnë detyrën, duke shpëtuar vetveten. Dhe për këtë nuk mund të presim engjëjt nga qielli, por duhet që njerëzit si ne, me të mirat dhe të këqijat që kemi, të bashkohen me njerëz si Eljani kur luftonte për Parkun, për t’u dhënë më shumë forcë që të mos bien, por edhe që t’i ndihmojmë të ngrihen.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix4 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix4 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix4 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix4 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix4 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix4 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix4 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix4 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix4 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix4 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook