Lidhu me ne

Aktualitet

Kriza e re politike – Pesë gjëra që kemi kuptuar

Situata politike në vend ka kaluar nga ngërçi për miratimin e reformës në drejtësi në një krizë politike të shumicës qeverisëse.

Si erdhëm deri këtu? Më poshtë, janë pesë gjëra që kemi kuptuar deri tani.

1. Kryeministri Rama injoroi gjatë faktin më thelbësor politik të qeverisjes së tij: pushteti i tij buron nga LSI-ja

Zoti Rama, në rastin më të mirë, ka rreth 60 vota në Kuvend—qeveria ka nevojë për të paktën 71 vota për të mbajtur pushtetin. Por, përkundër këtij fakti, Zoti Rama e ka injoruar vazhdimisht politikisht LSI-në dhe Kryetarin e saj Ilir Meta, duke mos u dhënë hapësirën dhe ndikimin politik që atyre ju takonnë çështjet e vendit.

Në këtë frymë, Zoti Rama e injoroi krejtësisht Zotin Meta në lidhje me reformën në drejtësi, duke vepruar vazhdimisht në mënyrë të njëanshme dhe duke e marrë të mirëqenë mbështetjen e LSI-së—të paktën, deri në momentin që Zoti Meta bëri të qartë që kjo siguri ishte iluzion.

Makineria gjigante dhe e sofistikuar e propagandës dhe e marrëdhënieve publike të Kryeministrit Rama është përpjekur ta portretizojnë atë si figurë të madhe udhëheqëse, prijës i Kombit, udhëheqës i Ballkanit, intelektual i kalibrit Evropian, njeriu që po rilind Shqipërinë. Kriza e fundit tregoi që e gjitha është një realitet fallco—një kështjellë e ngritur mbi rërën e Gjirit të Lalzit.

2. Kryeministri Rama e përdori reformën për të goditur politikisht rivalët e tij

Duke mbivlerësuar pushtetin e tij—mbasi vuri nën kontroll pothuajse gjithë median, biznesin dhe shoqërinë civile—Zoti Rama vendosi të heqë qafe rivalët e tij politikë, në radhë të parë Zotin Meta.

Reforma në drejtësi u bë arma kryesore e tij për arritjen e këtij qëllimi. Duke përfituar nga qëndrimet naive apo pragmatike të përfaqësuesve ndërkombëtarë, ai arriti ta portretizojë veten si luftëtar parimor dhe i sinqertë në krah të SHBA-ve dhe BE-së për të sjellë drejtësi në Shqipëri; ndërkohë që Lulzim Bashën, Sali Berishën apo Ilir Metën u përpoq t’i paraqesë si forca kundër reformës, të cilët mbajnë peng të ardhmen e vendit nga frika se mund të ndëshkohen për krimet që kanë bërë.

Ai i përshkroi ata direkt apo indirekt si forca anti-amerikane dhe anti-perëndimore. Arriti deri atje sa javët e fundit pushoi së foluri si kryeministër i Shqipërisë, por si përfaqësues i SHBA-ve dhe BE-së.

Mbi të gjitha, Zoti Rama e përdori reformën për të dobësuar politikisht Zotin Meta. Duke shfrytëzuar një perceptim jo pozitiv të Zotit Meta në publik, si dhe një farë distancimi që duket se faktori ndërkombëtar ka patur ndaj tij, Kryeministri Rama zhvilloi një fushatë sistematike të nëndheshme për të përhapur idenë se Zoti Meta ishte piketuar nga ndërkombëtarët dhe reforma në drejtësi do të zbatohej së pari kundër Zotit Meta dhe LSI-së.

Qëllimi ishte i qartë: ta paraqiste Zotit Meta si kartë të djegur politike për të zvogëluar mbështetjen ndaj tij dhe për të tërhequr tek vetja gjithë interesat ekonomike dhe politikë që sot rrotullohen rreth Zotit Meta. Kjo gjë do të zvogëlonte peshën elektorale të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme—në fund të fundit, pakkush mund të dojë të mbështeste në zgjedhje një njeri i cili mbas zgjedhjeve mund të përfundojë pa pushtet në mos pas hekurave.

Kështu, reforma u paketua dhe propagandua nga Zoti Rama si një aksion kundër personave konkretë dhe jo si një përpjekje për të ndryshuar vendin.

Zoti Meta e shprehu qartë zhgënjimin e tij me këtë lojë dinake të Zotit Rama kur para dy ditësh deklaroi haptazi:

S’ka konsensus duke thënë se do të shkosh në burg. Nuk bëhet reformë duke thënë ‘do shkosh ti në burg’. Reforma dhe konsensusi, atë që do Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarët bëhet duke thënë ‘unë do shkoj në burg’, nëse kam shkelur ligjin. Vetëm duke folur kështu ne mund t’i japim vendit një Kushtetutë të re. Reforma nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet që vijnë në këtë vend.”

3. Asnjë nga politikanët kryesorë në vend nuk ka qenë realisht pro reformës në drejtësi

Në fakt, është naivitet të mendohet se politikanët duan të miratojnë një reformë, e cila nëse zbatohet ndershmërisht rrezikon karrierat dhe ndoshta lirinë e tyre.

Kundërshtia e PD-së dhe LSI-së ka qenë e dukshme, kurse kundërshtia e Zotit Rama e kamufluar dhe strategjike. Zoti Rama u mundua fillimisht të realizonte një reformë për të shtënë në dorë sistemin e drejtësisë. Kjo përpjekje u pengua nga Komisioni i Venecias dhe opozita.

Reforma, për rrjedhojë, përparoi në kundërshti me interesat pragmatiste të Zotit Rama. Por Zoti Rama zgjodhi që vetë të vazhdonte të mbështeste reformën në publik, por të përdorte kundërshtarët e tij kundër saj—ai filloi një fushatë të kamufluar për të shtuar frikën dhe kundërshtinë e PD-së dhe LSI-së ndaj reformës.

Ai përhapi kudo opinionin se tani reformën e kishin në dorë amerikanët dhe ndërkombëtarët, të cilët kishin bërë një listë me emrat e politikanëve që do të përfundonin në pranga, në krye të së cilës qëndronin emrat e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Në Tiranë filloi të flitej për 10-12 prokurorët e prokurorisë anti-korrupsion, që parashikonte drafti i reformës, të cilët do të trajnoheshin dhe “përpunoheshin” në SHBA për rreth 6 muaj me qëllim që kur të ktheheshin në Shqipëri të fillonin një fushatë arrestimesh anti-korrupsion.

Loja e Zotit Rama u ndihmua, në mënyrë të pavetëdijshme, nga partnerët e huaj, të cilët filluan të deklaronin në publik se nga reforma po dridheshin të korruptuarit që reforma do t’i çonte në burg. Në mënyrë të veçantë, zgjedhja e ambasadorit amerikan për të marrë autorësinë e draftit të reformës i shërbeu më tej qëllimit të Zotit Rama për të përhapur panikun se amerikanët do të fusnin në burg Ilir Metën dhe Sali Berishën.

Pas kësaj, sa më shumë Kryeministri Rama fliste në emër të SHBA-ve dhe BE-së e sa më shumë ambasadorët e huaj e konfirmonin direkt apo indirekt atë që thoshte Zoti Rama, aq më tepër ngulitej bindja se Zoti Rama kishte bërë një pakt personal me amerikanët, e cila përfshinte arrestimin e rivalëve të tij.

Ajo që injoruan Zoti Rama dhe partnerët ndërkombëtarë ishte fakti se rivalët e Zotit Rama kanë shumicën në Kuvend. Për më tepër, përvoja e tyre e gjatë politike u ka dëshmuar se amerikanët dhe të huajt, në fund të fundit, do të bashkëpunojnë me këdo që është në pushtet.

4. Përpjekjet për miratimin e reformës kanë sjellë mundësinë e një zgjidhjeje të re politike

Reforma ringjalli bashkëpunimin Meta-Berisha (ose Meta-Basha), por befas ky bashkëpunim ka filluar të perceptohet si alternativë më e mirë se sa ajo e Zotit Rama, apo të paktën si një zgjidhje më pak e keqe se qeverisja aktuale.

Qeverisja Rama ka qenë zhgënjim i madh për shumë nga votuesit dhe mbështetësit e saj dhe qytetarët në përgjithësi. Në tre vjet ajo ka prodhuar korrupsion të përmasave të mëdha, grabitje të pasurive kombëtare dhe publike dhe krizë të thellë ekonomike.

Kjo situatë është shoqëruar me pandjeshmëri dhe bezdi të theksuar të Kryeministrit Rama ndaj gjendjes së njerëzve dhe problemeve të tyre, ndërkohë që ai është vënë në shërbimin total të një pakice të pasur.

Kjo qasje e Zotit Rama duket se po prodhon një efekt shkatërrues elektoral për Zotin Rama. Zoti Rama është sot në minorancë jo vetëm në Kuvend, por me gjasa edhe në elektorat.

5. Partitë politike janë burimi i të gjitha problemeve në Shqipëri; korrupsioni në drejtësi është vetëm një nga pasojat

Kriza politike zbuloi një vërtetë domethënëse: sistemi ynë partiak nuk ka prodhuar elita të reja politike dhe nuk siguron qarkullimin e elitave drejtuese. Në këto kushte, çdo rotacion pushteti është në thelb riciklim i të njejtës kastë politike apo derivateve të saj.

Mjafton të hedhësh një vështrim nga tre partitë kryesore në vend dhe kupton se në to nuk ka zhvillim dhe përparim politik. Në PS nuk ka asnjë alternativë të ndryshme ndaj Zotit Rama. Në LSI, edhe formalisht, alternativa të Zotit Meta janë disa të rinj 20 e pak vjeçarë, pa përvojë dhe kapacitete politike, që për gjithçka i detyrohen Zotit Meta. Në PD, sikurse në 25 vitet e fundit, faktori më i rëndësishëm politik mbetet Zoti Berisha.

Të mendosh se tre (ish) kryeministra të qeverive thellësisht të korruptuara do të bëhen pionierë të luftës kundër korrupsionit është e tepërt. Kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse në krye të partive politike do të vinë politikanë të rinj, të papërlyer në qeverisje dhe që nuk janë peng i së shkuarës.

Fatkeqësisht, kur e shkuara duket më e mirë se e tashmja dhe e vetmja alternativë për të ardhmen, vendi nuk ka të ardhme. Këtë realitet nuk mund ta ndryshojë dot as ndonjë reformë në drejtësi dhe asnjë lloj reforme tjetër që nuk prek burimin e problemeve në vend: partitë politike./Exit

Rama-Nishani-Meta-Basha-lr-701x420

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix11 orë më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix11 orë më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix11 orë më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix11 orë më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix11 orë më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix11 orë më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix11 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix11 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix11 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar11 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook