Lidhu me ne

Temporal

Çfarë mbetet?

Çfarë mbetet?/Nga Grida Duma

Një kompani që jep me qira njerëz për mitingje e protesta! Në libërthin “I besojmë mosbesimit”, Ivan Krastev tregon se si një aktivist politik u bë ideatori dhe drejtuesi i një kompanie që organizonte mitingje në Rusi – ose që, më mirë, “jepte njerëz/turma me qira për mitingje”.

“EasyWork” ishte kompania që administronte një listë me mijëra të papunë – studentë dhe pensionistë, të cilët përkundrejt 4 dollarëve në orë merrnin pjesë në demonstrata dhe evente publike për llogari të organizatave të interesuara.

Nuk mjaftonte kaq – ajo kujdesej të mos përdorte të njëjtët “demonstrues” brenda disa muajve, në mënyrë që shfaqja të dilte sa më e besueshme. Kush i shihte këto turma në televizor, mendonte që njerëzit po ngriheshin për çështje te të cilat besonin. Të njëjtën gjë besonin edhe ata që ndiqnin komentatorët politikë nëpër lajme, pa e vrarë mendjen se ndoshta një grusht analistësh po paguhej për të bërë komente me porosi, duke shtuar tek-tuk edhe ndonjë këndvështrim kontrovers për ta bërë gjithçka të besueshme. Shumë pak ka mbetur për t’u besuar.

Të shndërruar nga qytetarë në konsumatorë, nga nënshtetas në hallexhinj, jo të paktë janë ata që mendojnë se shitja për pak apo shumë para e pjesëmarrjes në demokraci është hakmarrje ndaj qeverisësit për vjedhjen e besimit.

Por, në terma afatgjatë shitja e diçkaje kaq të pavlerësuar vulos vetëskllavërimin. Dhe, ç’është akoma më e rëndë – pas gjithë kësaj, ai që shitet do ta fajësojë vetveten njësoj sa ata që e shtynë deri aty. Sfida e madhe e vendeve si yni, edhe pse tashmë kjo përbën një të vërtetë të stërlodhur, është demokracia liberale. Stërlodhja jonë me demokracinë fasadë vjen në një moment kur në Europë po tronditen disa nga themelet reale të saj. Ndërsa Shqipërisë këto themele i mungojnë. Ajo për të cilën lufton me shpirt ndër dhëmbë (mos)qeverisja aktuale është si të mbajë në këmbë këtë fasadë të mjerë që fsheh diçka edhe më të mjerë akoma. Jo rrallë, nëpër tavolina dëgjohet refreni “fajin e ka populli”.

Ai -i zakonshmi, i vuajturi, fatkeqi popull. Arsyetim ky që shoqërohet me shprehje si “mirë t’ua bëjnë, vetë i votuan, vetë e deshën, ky është popull kokulur, popull që nuk çohet, popull kot, popull që e kanë dhunuar për 50 apo 500 vjet…”, një popull prej të cilit nuk ke çfarë pret.

* * * Teoria legjendare e kotësisë së shqiptarëve si popull blindohet me një radhë shembujsh, barsaletash, skandalesh, përvojash të jetuara, historish të vërteta, të trilluara, si dhe batutash që vërtetojnë përfundimisht dhe pashmangshmërisht se të gjitha dështimet tona, po t’i kërkosh me kujdes, do të gjenden te natyra e veçantë parazitare e KËTIJ populli.

Absurdi më i madh i kësaj performance të stërpërsëritur në mijëra variante është se në fund, ajo i bind njerëzit se të gjithë fajin krijesa fatkeqe “popull” e ka vetë. Dhe kjo s’është veçse fillesa e djallëzisë. Kurorëzimi i këtij absurdi ndodh atëherë kur thuajse kushdo e pranon këtë pohim, madje ushtrohet në perfeksionimin e tij. Ndodh kështu që sot një njeri i thjeshtë, shpesh i papunë, pa shumë opsione dhe me shumë pak shpresë, ndonëse mallkon qeverinë, paralelisht i hakërrehet popullit, këtij shejtani-budalla, që në fakt qenka fajtori final për fatin tonë të keq.

Nuk mungojnë politikanët që dënojnë moralin e politikës, edhe pse përfitimet vetjake nga politika nuk munden, dhe ndoshta as që lodhen t’i fshehin. Dëgjon rëndom sportistë të dënojnë ashpërsisht korrupsionin në sport, artistë që vajtojnë gjendjen e artit –gjithmonë brenda kornizës së popullit bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor – të njëjtët vajtues, të njëjtët përgjegjës, të njëjtët akuzues, të njëjtat viktima të të zakonshmit batak, ku secili merr pjesë vetë.

* * * Besimi i perfeksionuar te paaftësia historike dhe gjenialiteti korruptiv i shqiptarëve shkon deri aty sa për një vend pune në shtet njerëzit janë të gatshëm të marrin borxh që të paguajnë ryshfet rrogën e dy vjetëve, “sepse e tillë është natyra e gjërave dhe ne këta lloj njerëzish jemi”.

Nga ana tjetër, të njëjtëve njerëz u duhet të dëgjojnë kur u thuhet se në fakt punë ka plot, por duhen profesionistë. A thua të jetë kjo thjesht një mbetje e komunizmit -krijimi i tabusë që gjithçka lind dhe mbaron me popullin?

Jo. Ky është vazhdimi i djallëzisë së një regjimi, i cili kap në kurth këdo që e mendon thjesht të sëmurë, paranojak apo patologjik. Në të vërtetë ai regjim ishte strategjikisht djallëzor. Nuk ishte mungesë strategjie shtimi i popullsisë për të shumuar popullin ushtar. As fakti që në kohën e “xhaxhit” tri kurora jetonin në një të njëjtin apartament. Konfliktet që krijoheshin nga ngushtica fizike e dëmtonin aq shumë mendjen e njeriut, sa çdo hapësirë publike jashtë shtëpisë, e shëmtuar, pa asnjë luks, të perceptohej si liri dhe kënaqësi.

* * * Le t’i kthehemi mënyrës se si mobilohej asokohe një shtëpi – thuajse të gjitha banesat kishin absolutisht të njëjtat orendi. Shtë- pia ishte një repart ushtarak. Nuk ishte një kalkulim i thjeshtë ekonomik. Ishte një strategji e mirëmenduar, hartuesit e së cilës e dinin se sadopak ndryshim në modelin e një mobilieje do të sillte një diferencim, diferencimi do të krijonte identitet, ky i fundit do t’i ngrinte kokën individit, i cili duhej absolutisht të zerohej brenda një armate kokulur, pa asnjë identitet.

Çdo element social i jetës nën regjimin komunist llogaritej për një qëllim: nënshtrimin shpirtëror, tharjen e individualitetit të njeriut, por, mbi të gjitha, krijimin e psikozës së fajit. Populli ka faj. Ishte krijuar kurthi mendor brenda të cilit populli është i fajshëm, ai duhet kritikuar dhe kamzhikuar deri aty sa të ngrihet e bëjë autokritikë, ta pranojë vetë, bindshëm dhe me plot gojën se ka faj, se nuk është mjaftueshmërisht i denjë.

Kalimi i peshës së fajit te populli trim dhe bujar, por 100% paraprakisht fajtor ndaj partisë-shtet ishte siguria më e plotë për mbijetesën e pushtetit komunist. Ç’ka të ndryshme nga atëherë gjendja e sotme e shqiptarëve? Ndoshta shumëllojshmërinë e orendive, bareve, restoranteve, hoteleve dhe menyve, të cilat gjithsesi shumica nuk i përballon dot. Vazhdojmë të mbetemi brenda të njëjtit trekëndësh djallëzor, me të njëjtat karakteristika.

* * * Cepi i parë i trekëndëshit është ndërtimi vazhdueshëm i ideologjisë që thotë se ky popull është dembel, mashtron, nuk e do punën, vjedh pronën, ndaj kjo pronë mund t’i merret në çdo moment, madje me çmimin qesharak që mund të dojë të vendosë shteti. Cepi i dytë e trekëndëshit është djallë- zia e krijimi të mitit që “bie era shtet, kur shteti është i fortë”. Forca shpërfaqet përmes dhunës. Nëse ka dhunë, ka shtet.

Në të kundërt, nëse shteti nuk është i fortë, shqiptarët abuzojnë. Miti i shtetit të dhunshëm përdoret nga Rama si një teh i dyfishtë – nga njëra anë duke i thirrur kujtesës kolektive të 50 viteve diktature komuniste, ai risjell farsën e shtetit të fortë, nga ana tjetër manipulon duke kamufluar të fortët nën petkun e shtetit të fortë.

Kështu legjitimohen reformat e ashpra të “Rilindjes” së shtetit – reforma në sistemin fiskal, ku taksat mblidhen me polici. Kështu legjitimohet krimi i strehuar në Policinë e Shtetit, ku qetësia publike ruhet me kriminelë në krye të forcave të rendit.

Kështu ndërtohet shteti “ligjor” ku policia burgos babain e tre fëmijëve për një riparim “të paligjshëm” çatie, por ku askush nuk prek përgjegjësit e vërtetë të tragjedisë, të cilët përgjatë rrugës për Kavajë hoqën mbrojtëset anësore në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Dhe për rrjedhojë, dy fëmijë dhe një grua vdiqën rrugës për të takuar babain e burgosur për atë çati. Një strategji e menduar mirë! Dhe populli, ky i fajshmi popull, ky popull i vetëmohimit, mbyll gojën.

Aq i madh është presioni dhe frika, sa në ambulancën e Kavajës, një pensionist, kur nuk merr dot recetën e ilaçeve të rimbursueshme, i thotë infermieres: “Lëre fare, më mirë të vdes se sa të bërtas dhe të më heqin vajzën nga puna”. Pika e tretë e trekëndëshit djallëzor është bombardimi me lajme fatkeqe. Në 24 orë, veshët e shqiptarit dëgjojnë tri a katër vrasje në ditë, vrasje brenda familjes, aksidente dhe larje hesapesh. 24 orë në ditë shqiptarët përjetojnë në linjë direkte ferrin e të tjerëve që u ikën jeta pa asnjë mbrojtje. Instinktivisht u duhet të mendojnë që janë me fat që janë gjallë. Në zhargonin e përditshëm shprehja “shyqyr që jemi mirë me shëndet” vë kapakun mbi gjithçka.

* * * Kjo psikozë fataliste kombinohet me një fshehje të plotë të diskutimeve për gjënë më të rëndësishme për një popull – mirëqenien. Në këto tri vite, me përjashtim të futjes së fjalës “Mirëqenie” në emrin e një ministrie, askush nuk mund të thotë të ketë dëgjuar të flitet se çfarë do të bëhet në këtë vend që ne të jetojmë më mirë. Strategjia është një tjetër.

Strategjia është kjo: jemi në krizë, kemi borxhe, na e lanë bosh arkën, s’kemi bukë as për nesër. Strategjia për të përballuar disfatën e ekonomisë është paniku, krijimi i panikut: nuk je mirë, por mund të ishe shumë më keq. Nuk ka diskutim për ekonominë, nuk ka diskutim për paratë në shëndetësi, heshtje e plotë për faktin që studimet universitare paguhen trefish, heshtje e plotë nga biznesi që paguan taksa dyfish.

Për ta mbuluar këtë ngrihet një tjetër ideologji – harrojeni varfërinë, ne ju ofrojmë shfaqjen. Thirret populli në shesh si mjeran që të shohë shfaqje, të pijë birrë e të dëfrejë. Nëse nuk ka shfaqje, atëherë dikush nga qeveria del dhe flet për gijotinën ku do të shkojnë gjyqtarët dhe prokurorët.

Gjyqtarët janë po ata, të njëjtët që Kryeministri i linçon publikisht, kur çojnë në burg kryebashkiakun e Kavajës. Janë të njëjtët që lëvdohen prej tij, kur dy javë më vonë e kthejnë në shtëpi. I ngërthyer në këtë trekëndësh djallëzor, populli i çoroditur dhe i mpirë, nuk gjen asnjë fuqi të hakërrehet. Diku shitet me idenë të përfitojë sa të mundë, diku struket e bën sikur nuk sheh, e si në tragjeditë greke, mendon që është i mallkuar, dhe se mëkati qëndron tek ai vetë.

* * * Të shndërruara në “një milion shuplaka”, qindra-mijëra duar të papuna fshikullojnë vetveten, duke i marrë hakun, në trupin e vet, popullit. Por kur, ku, në ç‘moment të historisë, e në cilën pikë të globit ndonjë popull ia ka dalë mbanë pa pasur një grup njerëzish që ta drejtojë si duhet? Si mundet të imagjinohet që kamerieri, shitësi, taksisti, faturisti, të dalin vetë dhe të vetëm të përballen me fuqinë e shtetit? Si mund të dalë kushdo për llogari të tij dhe të protestojë pa asnjë organizim, pa asnjë pikë takimi, pa askënd që t’i thotë nuk je vetëm?! Nuk mundet dhe s’ka për të ndodhur kurrë!

Çfarë i mbetet popullit për të bërë? Së pari i mbetet të pranojë se gjithmonë do t’i duhet një grup që ta organizojë dhe përfaqë- sojë. I mbetet sërish detyrimi për të hapur sytë për të dalluar të vërtetën e mundshme nga gënjeshtra e premtimit të rrejshëm. I mbetet të besojë se jo të gjithë janë njësoj, se ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz që e ndiejnë detyrën të bëjnë më mirë. I mbetet liria që të mos fajësojë veten, por të ngrejë kokën e të shikojë ndryshe.

I mbetet të dallojë mes atyre që pretendojnë ta drejtojnë, fajtorë, të aftë, të paaftë, gënjeshtarë dhe përgjegjës. Shqiptari i thjeshtë, kur dëgjon që me 80 mijë dollarë është blerë një foto për ta gënjyer, e gëlltit gënjeshtrën dhe shkeljen, por fillon të mendojë se sa shumë do t’i duheshin secilit ato 80 mijë dollarë. Ky shqiptar duhet ta dijë se në botën e akademisë, profesionistëve, universiteteve, administratës publike, ka shumë njerëz që e mendojnë një- soj.

* * * Shqiptari i thjeshtë që kur sëmuret dhe duhet të kurohet, sëmuret dyfish dhe rebelohet në pafuqinë e tij -sepse e di që duhet të paguajë pafundësisht, pasi ndryshe nuk i ofrohet asgjë- duhet ta dijë se në këtë vend ka mjekë, profesionistë, menaxherë të të gjitha niveleve që e mendojnë njësoj dhe që mes hallit të tij dhe atyre qindra miliona dollarëve që shkuan për një check-up që nuk bëhet kurrë, e kanë aftësinë ta bëjnë dallimin. Ndryshimi është domosdoshmëri, sepse ky pseudoshtet ka pushuar të jetë qeverisje. I aftë të bëjë asgjë, vazhdon të bëjë të vetmen gjë që i ka mbetur -të fortin. Suksesi i forcës së tij është frika.

Triumfi i dhunës së tij është indiferenca – “Të gjithë janë njëlloj”. Si ata që janë, si ata që ishin. Ç’kuptim ka ndryshimi? A nuk është kjo klasë qeverisëse e njëjta, pavarësisht nga krahët, a nuk janë të gjithë “në tavë”, a nuk duhen futur të gjithë në të njëjtin thes? Por nëse çdo populli i mbetet një detyrim për të përmbushur, ai e ka një emër: të shohë dallimin.

Nëse qytetari, në fjalët e një profesori të shquar, është shndërruar në viktimë, ai duhet të kuptojë se ku e ka xhelatin. Nëse xhelati ngul këmbë se të gjithë qenkemi njësoj, atëherë është koha që ai të ndërrojë vendet me viktimën. Forca dhe përgjegjësia –jo faji– qëndron te një popull që duhet të dijë të dallojë të ndryshmit, që të mund të kërkojnë dhe imponojnë ndryshimin.

Dhe ndryshimi nuk mund të bëhet nga një protestues i blerë, një pemëshitëse e gjobitur, apo nga njëzet OJQ të shitura, por nga shumë njerëz që kanë kurajën, kapacitetin dhe vullnetin të qeverisin.

Nuk mund të besohet se një popull, sado që të vazhdojë të thotë me bindje se fajin e ka vetë – nuk do të bëjë diçka që do t’i japë fund abdikimit të të qenët popull. Nuk mund të pranohet gjendja e një të ardhmeje më të mirë që nuk mund të fillojë. Kjo është përgjegjësia e vetme e madhe që kemi. Kjo është gjithçka mbetet. (Marrë nga Panorama)

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix5 orë më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix5 orë më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix5 orë më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix5 orë më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix5 orë më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix5 orë më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix5 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix6 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix6 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar6 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook