Nga dom Gjergj Meta

Kaloi edhe kjo festë. Dua t’u them dy fjalë disa personave, të cilët i vlerësoj këtu nëfb dhe në jetë, pasi i kam njohur e takuar. Në disa komente të tyre janë treguar cinikë e deri diku edhe sarkastikë me mënyrën sesi është përjetuar prej shumë shqiptarëve kjo ditë, por deri dhe me vetë figurën e Nënë Terezës. Kjo e fundit përveçse tregon cektësi është tregues edhe i një shpirtligësie. Këtu nuk bëhet fjalë për qarqe ekstremiste që frymëzohen në shkrimet e ndonje gazetari sporadik apo ndonjë media të izoluar, por për njerëz që unë i vlerësoj si seriozë. Disa komente nga këta persona (pa dashur të bëj publik emra) nuk i prisja sinqerisht. Unë jam edhe vetë kritik në mjaft raste, madje edhe në këtë rast, për shumë gjëra, dhe në kohën e duhur ndoshta i them dy fjalë.

Ajo që dua të them është se ka një parim bazë në kulturën shqiptare e ndoshta edhe në shumë kode të tjera sjelljeje të popujve të ndryshem: tjetri, kur është në mort ose ne dasëm lihet i qetë. Nëse mund të ndihmosh në shtimin e gëzimit apo pakësimin e hidhërimit të tjerit, kjo është një gjë e mirë. Nëse nuk mundesh, së paku hesht dhe për një ditë lëre tjetrin të festojë. Kjo është një çështje virtyti. Mungesa e virtytit në këtë rast më bën të rimendoj vlerësimin tim e të ridimensionoj komunikimin.

Që ka gjëra për të thënë gjithmonë, kjo është e kuptueshme, por për një ditë së paku mund të pezullohen gjykimet e sidomos, kur ato janë negative rreth ngjarjes së gëzueshme që po përjeton dikush apo një komunitet.

Sa për komentet rreth Nënë Terezës, thjesht këta persona iu bashkuan një kori “korbash” që enden, ku të gjejnë ndonjë të vdekur për ta shqyer se me të gjallët nuk maten dot. Nënë Tereza tashmë është një yll e sado t’i lehin nga toka mbetet gjithmonë një yll …