Letersi
Vetmia e drurëve në qytet
Vetmia e drurëve në qytet
Në qytet ka aq drurë të bartur nga pyjet,
nga pllajat, nga shpatet, nga brigjet e lumenjve,
nga pampa, nga tropiku, nga tundra dhe nga yjet,
nga Mozambiku, Japonia dhe malet e Pirenejve.
Ca janë pinuse, ca të tjerë cedrus, janiperus,
quercum, canabis, ekualipte, rrëpenj,
ca si xhuxhmaxhuxhë, ca hyjnorë si Zeus,
me emra latinë dhe shqip: pinus – gëdhenj.
Të gjithë rrinë e sehirosen mes rrokamës sonë,
shohin dashuriçka, sherre, zënka dhe mëri;
vashën që la takim dhe priti deri mbrëmjes vonë,
dhe djalin që u vra në pritë nga një dendi.
Dhe çelen, jeshilojnë, zverdhojnë e rrëzojnë fletë,
ndërsa ne mes hallesh pak herë i vëmë re;
si beduinë të çmendur rendim nëpër jetë,
gjersa në një kuti të drunjtë na vënë edhe ne.
Petrit Nika
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu