Lidhu me ne

Temporal

Nuk duhet të korrim kanabisin, por qeverinë

astrit-patozi-1-e1460029360884-420x254

Astrit Patozi

Edhe sikur mos t’i kishte ato problemet e rënda me të drejtat e njeriut, me cënimin e privatësisë apo shkelje të tjera të rënda, ky do të ishte një ligj i pavotueshëm prej nesh. Sepse mbi të gjitha ai është tërësisht hipokrit. Do ta shpjegoj më poshtë përse.

Në pamje të parë, duket sikur qeveria po kërkon ndihmën e teknologjisë për të luftuar krimin në Shqipëri. Por unë e kam të vështirë ta besoj këtë. Sepse mendoj që në përballjen me krimin nuk kanë asnjë vlerë të kesh më shumë sy, kur të mungon zemra dhe kjo qeveri na ka dhënë prova të plota në këto tre vjet se nuk ka asnjë grimë vullneti për ta kryer këtë detyrim.

Po ju jap dy shembuj për ta ilustruar argumentin tim. Gati dy vjet më parë u vra mu në kërrthizë të Tiranës bankieri i njohur Artan Santo dhe pamjet e tmerrshme të krimit i kemi parë të gjithë në video, sepse u filmua nga kamerat rrotull, por deri më sot nuk ka asnjë gjurmë të autorëve. Nga ana tjetër, kam bindje se secili prej nesh ka parë me sytë e vet fusha, kodra dhe male të mbjella me hashah, por kjo nuk e ndalon aspak epideminë e kultivimit të drogës, që po zgjerohet me përmasa marramendse në këtë vend.

Dhe pyetja është cfarë do zgjidhim ne duke shtuar sytë e dëshmitarëve në qytete, kur qendra gravitacionale e krimit është spostuar në male dhe kodra, sepse droga sot është shndërruar në një sport kombëtar? A kemi nevojë ne realisht për kamera që t’i kapim banditët dhe mafiozët, ndërkohë që ne u kemi lënë atyre me mijëra hektarë në dispozicion për t’i mbjellë dhe për t’i korrur, për t’i paketuar dhe për t’i eksportuar pastaj, si finalizim i një cikli të mbyllur kriminal, që gjeneron miliona e miliona euro të pista? Si ka mundësi që kultivimi i drogës në Shqipëri, shkon në përpjestim të zhdrejtë me progresin e teknologjisë, pasi e dimë të gjithë se sot janë sofistikuar shumë mjetet e zbulimit, sidomos nga ajri, të saj?

Përgjigja është vetëm një, sepse kjo qeveri, në rastin më të mirë, u ka dhënë licencë bandave për të ushtruar qetësisht biznesin e drogës, dhe në rastin më të keq, është edhe vetë e përfshirë në këtë aktivitet të rëndë kriminal.

E di se shumë prej jush, sidomos ministri i Brendshëm, e kanë në majë të gjuhës pretendimin se qeveria po bën aq sa mundet, dhe se kanabis është kultivuar edhe në të shkuarën, por jeni krejtësisht të pabesueshëm kur e thoni këtë. Kam dëgjuar justifikimin me qesharak për pafuqinë e qeverisë, kur Saimir Tahiri tha se nuk kemi pse habitemi nga avionët në Shqipëri, sepse në Amerikë droga transportohet edhe me nëndetëse. Dhe për ta cuar deri në fund shakanë e tij, unë po them sot se ne nuk e ndjekim dot shembullin e Amerikës thjesht për faktin se nuk kemi nëndetëse. Se ato katër që kishim në Pashaliman i nxorrëm në pension, mesa di njëra prej tyre, e famshmja 105, shërben tani si muze. Sepse po të ishin në punë sot ato nëndetëse, do ta bënin tre herë në ditë, me shpesh se tragetet, rrugën Vlorë-Bari.

Po na kërkojnë me ngulm që të mos e konsiderojmë si gjë të madhe faktin që droga transportohet me avion, sepse kjo, sipas tyre, ndodh kudo në botë. Në fakt, kanë të drejtë, sepse transporti ajror nuk është dega më e rëndësishme e eksportit të drogës nga Shqipëria. Më thoni një mënyrë transporti, nga më e thjeshta, tek më e komplikuara, që nuk përdoret për të transportuar kanabis dhe drogëra të forta nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian? Që nga njeriu që e kalon në këmbë kufirin me thesin e hashashit në krahë, me mushka, me makinë të vogël,por edhe me autobuz apo maune, me skaf, por edhe peshkarexhë apo me traget. Vetëm me nëndetëse jo, thjesht sepse nuk kemi. Ndoshta më vonë, kur mafia të fuqizohet, mund të blejë edhe të tilla.

Por pse është më i rëndë për të implikuar qeverinë rasti i avionëve? Sepse të gjithë e dimë se ajri ka një monitorim të rreptë kombëtar dhe ndërkombëtar, dhe vetëm një bashkëpunim i autoriteteve mund t’ua bëjë të lehtë jetën trafikantëve. Dhe në Shqipëri cfarë po ndodh sot? Po rrëzohen avionët sportivë të drogës si të ishin balona kalamajsh. Dhe kur bien dy brenda një viti, do të thotë se frekuenca e fluturimeve të tyre është shumë e lartë, sepse gjithkush e di se aksidentet ajrore nuk janë aq të shpeshta.

Kam dëgjuar Edi Ramën të mburret para shumë kohësh se qeveria e tij, ndryshe nga paraardhëset, ka marrë në kontroll të plotë territorin. Duke e besuar atë plotësisht, e akuzoj sot se një pjesë të këtij territori, atë pistën për avionë sportivë në Ishëm, e ka vënë në dispozicion të trafikantëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë të drogës. Dhe kam frikë se nuk është e vetmja, sepse ajo u zbulua për shkak të një aksidenti, kur avioni u rrëzua, jo se e kapi policia.

Dhe është jashtë cdo dyshimi se një gjendje e tillë prodhon dëshpërim dhe depresion kudo në Shqipëri, por ne nuk duhet ta konsiderojmë atë si një fatkeqësi natyrore, por si një të keqe që mundet dhe duhet shkulur. Ka nga ata, që në mungesë të cdo shprese për reflektim nga kjo qeveri, i kërkojnë opozitës që të marrë në dorë kosën dhe t’i korrë vetë arat e mbjella me hashash, si zgjidhje të vetme. Inovatore është si ide. Por problemi është, se sipas meje Partia Demokratike nuk mund të bëhet si FARC-u, edhe pse Shqipëria po trajtohet për ditë e më shumë si Kolumbia e Europës. Për aq kohë sa ajo beson se do ta mundë dhe do ta rrëzojë me votë këtë qeveri, dhe jo me armë apo me revolucion.

Ka edhe të tjerë, që jo domodoshmërisht mund të jenë të majtë, që mendojnë se kanabisi është një mënyrë mbijetese për shumë familje të varfëra, të cilat nuk kanë asnjë mundësi tjetër nga qeveria e tyre. Para disa kohësh dikush, më shkroi një mesazh, pasi fola në parlament për drogën. Më thonte pak a shumë, se kishte pasur respekt për mua, por kishte ndryshuar mendim, sepse sipas tij me hashashin hanin bukë shumë shqiptarë. Sigurisht, që unë nuk mund të kem debat me të dhe as me qindra apo mijëra shqiptarë të tjerë që për shkak të mungesës së një alternative tjetër, mendojnë se kultivimi i drogës është punë si gjithë të tjerat.

Unë debatin e kam me këtë qeveri, e cila pasi i vari vetes në gjoks medaljen e trimërisë pas ndërhyrjes në Lazarat, nuk la cep të Shqipërisë pa qëndisur me hashash. E kam me këtë kryeministër, i cili një javë më parë, na foli për farën e re të kanabisit, që po aplikojnë trafikantët, e cila jepka më pak prodhim, si një sukses të paparë kësaj qeverie. Dhe kjo më kujton atë helmin që do ia jepnim miut, pasi ta kapnim, që ai të ngordhte. Pra të mos shohim gunën, po të shohim punën, sepse nuk është ashtu sic duket. E kam me Edi Ramën që na tund këtu si krenarist i kanabizmit heshtjen e diplomatëve të huaj, si një provë të mjaftueshme se droga nuk ekziston në Shqipëri. Madje mezi pret që dikush prej nesh të thotë ndonjë fjalë, se e ka gati akuzën, që jemi, jo vetëm më të këqinj, se kriminelët, por edhe armiq të perëndimit.

Natyrisht, unë nuk jam aq naiv sa të mendoj se shpëtimin për të gjitha problemet tona duhet ta kërkojmë tek partnerët ndërkombëtarë. Ato janë në radhë të parë betejat tona, të cilat nuk duhen shmangur, por duhen fituar. Por thënë këto, nuk e kam fare kompleks të shpreh edhe një lloj habie për sapo ndodh, sepse gjykoj se beteja me trafikun e drogës është një sfidë globale, në krye të së cilës qëndrojnë SHBA dhe BE.

E kam shumë të vështirë të pranoj krekosjen e ministrit të Brendshëm, që na tregon nëndetëset e drogës në Amerikë, për të përligjur plantacionet e hashashit kudo në Shqipëri. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara njëri nga dy kandidatët për President e ka si tezë kryesore të fushatës ngritjen e një muri me Meksikën, për shkak të drogës që vjen prej andej, jo për ndonjë arsye tjetër, se Amerika ka gati 20 përqind të popullsisë hispanike. Ndoshta, ne s’do të donim që ai të bëhej president, por atë e vendosin amerikanët.

Për shkak të kësaj qeverie, kemi mbërritur në një pikë sa duhet t’i kërkojmë ndjesë Koco Kokëdhimës, për gjitha sa kemi thënë kundër tij, kur shpalli platformën e legalizimit të hashashit. Jo se kemi ndërruar mendje dhe na duket ide interesante tani. Por, se po të ishte aplikuar ajo, ndoshta dëmin do ta kishte më të vogël se sa hashashizimi klandestin i Edi Ramës.

Kjo qeveri tashmë ka humbur cdo shans që ta mposhtë këtë flamë kombëtare, edhe sikur një ditë të zgjohet nga drogimi i gjatë dhe të kërkojë ta ndalojë. Sepse po e lë të mbillet dhe kultivohet, për vite me radhë, dhe kjo është evidente, nuk ka asnjë mundësi më ta ndalosh të eksportohet, edhe sikur të mobilizosh armatën e madhe të Kinës. Leqë nuk ka asnjë shenjë që të besosh te kjo mrekulli. Sepse presioni i parasë i tillë është, shndërrohet në ortek. Ne e kemi provuar një herë me piramidat, kur shteti shkoi në kolaps, edhe pse vetë qeveria pati zero implikim tek firmat rentiere. Përfytyro cfarë ndodh tani kur qëveria është ulur këmbëkryq mbi dengjet e kanabisit.

Ndaj edhE për këto arsye, opozita nuk ka për mision të korrë kanabisin, por duhet të korrë këtë qeveri.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix43 minuta më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix45 minuta më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix51 minuta më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix53 minuta më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix54 minuta më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix57 minuta më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix1 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix1 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix1 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar1 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook