“Te tanë e fotografojnë e ikun e shkojnë. Kurkush s’ven dore n’te. Me t’ardhe gjynah e marre..si me e lanë Kafen e Madhe tash sa vjet n’ket fare feje”

Është ky reagimi i një shkodrani të moshuar, kur na sheh duke fotografuar Kafen e Madhe. Ndalet e na pyet, nëse dimë se ç’fat do të ketë kjo godinë, dikur krenaria e qytetit të Shkodrës. Nis e tregon se çfarë simbolizon për të Kafja e Madhe: “…kam pi kafen e parë të jetes teme n’at’ veń… tash m’vjen me kja sa her e shoh… kena kalu rinine te ky veń.”

Si ky shkodran i vjetër ka dhe të tjerë që ndalin e të shohin me çudi pse e fotografojmë atë godinë të harruar prej gjithkujt.

Gjëja më e thjeshtë për të gjetur në Shkodër është pikërisht ajo, “Kafja e Madhe”. Të gjithë ata që jetojnë në atë qytet apo ata që e vizitojnë, e kanë pikë reference. Është vendi ku mblidheshin shkodranët dhe të gjithë ata që dëshironin të njihnin e të preknin thelbin e këtij qyteti.

Ka një konstruksion të stilit austro-hungarez si kafanetë e Vjenës në periudhën e Habsburgëve. Konstruksioni i kafes së Madhe është realizuar nga Koli Idromeno. Ishte ambjenti më luksoz  në Shkodër. Atje mblidhej gjithë elita. Pak ditë më parë 27.al publikoi një fotografi ku ishin bashkë personalitete të shquara të viteve ’30, të mbledhur te Kafja e Madhe, që nga Lasgushi, Gaqo Tashko, Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Dom Nikoll Koliqi, Tefta Tashko, Asdreni, Gjergji Canco dhe Koço Tashko.

foto-kolloset_1477380517-5683215Kafja e Madhe kishte shumë hapësirë. Interiori ishte me pasqyra. Kishte disa seri tavolinash, një bilardo në një vend anësor, ndërsa pjesa tjetër ishte një bar i madh ku bëhej vetëm kafe. Ishte një sallë e madhe që të shërbehej kafe. Në Kafen e Madhe shkonin shtresat e mesme dhe të larta. Vizitohej patjetër nga çdo i huaj që vinte atje dhe janë pikërisht ata që i dhanë famën e mirënjohur Kafes së Madhe në Shkodër. Kafja e Madhe është një ndër fotografitë e gdhendura në kartolinat austriake në vitin 1914.

Me ardhjen e regjimit komunist sigurisht që e humbi  një pjesë të identitetit të saj, por megjithatë në vitet 1960 u klasifikua si monument kulture. Pas vitit 1990 nisën hallet më të mëdha për Kafen e Madhe. Ato lidhen me problematikën mbi pronësinë e saj aq sa edhe me indiferencën e autoriteteve për ta trajtuar atë si monument kulture.

Ja si ishte dikur Kafja e Madhe:

kafja_madhe

Por si duket sot Kafja e Madhe. Si një gjë e huaj mu në mes të pjacës, pa sharmin e së shkuarës. Ishte simboli i këtij qyteti, por që po rrënohet dita-ditës. Kjo godinë është sot e mbyllur duke u rrënuar në pritje të restaurimit që nuk po do të nis. Përreth Kafes së Madhe Shkodra ka marrë tjetër pamje, është restauruar thuajse çdo detaj i saj duke gëzuar pamjen që i takon këtij qyteti. Ndrsa nëpër dritaret e Kafes së Madhe shfaqen postera me njoftime për koncerte këngëtarësh tallava, duke e kthyer fasadën e saj si ato tabelat e dikurshme të emulacionit, ku shfaqej shëmtia e parullave të komunizmit e ndonjëherë fletërrufetë për të padisplinuarit e klasës.

Ja si duket sot Kafja e Madhe

1

2

3

4