Ben Blushi ka themeluar partinë e tij politike. Deputeti zgjodhi ta shpallte krijimin e saj, dje, në orën 18.00 në sallën e Akademisë së Arteve në praninë e mbi 1 mijë përkrahësve dhe personazheve të njohur të jetës publike.

Para të pranishmëve ai sqaroi edhe emërtimin e kësaj partie, që e ka postuar më pas edhe në faqen e tij në Facebook.

“LIBRA do të jetë një LIBËR që do shkruhet nga njerëzit e lirë të këtij vendi të cilët besojnë vërtet se mund ta ndryshojne faqen e jetës së tyre me pune,me besim dhe me drejtësi.

Dua t’ju them atëhere se cfarë është LIBRA.

LIBRA do te thotë dije. LIBRA do te thote liri.LIBRA do te thotë peshore,ekuilibër dhe drejtësi. LIBRA është liria e të qenit i ditur dhe i drejtë.

Unë mendoj se mungesa e dijeve,kufizimi i lirisë dhe cënimi i vazhdueshëm i ekuilibrit social janë shkaktarë të mjerimit dhe pabarazisë së vendit.

Këto janë tre arsyet që më kanë nxitur të jem pjesë e këtij projekti: Dija, Liria dhe Ekuilibri dhe besoj se kurrë në jetën time nuk kam marrë një vendim më të drejtë të cilit do t’i shkoj deri në fund bashkë me të gjithë ju.

Nisur pra, nga nevoja për dije, për liri dhe për barazi, LIBRA do të jetë streha e atyre që kanë më shumë nevojë të mbrohen nga shoqëria”, ka thënë Blushi.

Logoja e Partisë është fjala e shkruar në një sfond të bardhë bashkë me emrin e gjatë Lista e barabartë dhe një katror në ngjyrë të verdhë.

Faqja online është libra.al dhe në fotot e publikuara mund të shohësh Ben Blushin dhe Mimoza Hafizin, dy deputetët e larguar nga Partia Socialiste dhe shumë të rinj.