Nis sezoni i testimeve për të gjithë mësuesit që kanë përfunduar masterin në një nga degët e mësuesisë, si dhe kanë kryer praktikën profesionale. Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon kalendarin me datat dhe orën për 20 profile mësuesish, të cilët kanë aplikuar për t’u futur në provimin që u siguron licencën për ushtrimin e profesionit. Ato nisin të mërkurën e javës që vjen, me datë 23 nëntor me profilin e historigjeografisë dhe përfundojnë më 12 dhjetor me testimin e mësuesve të arsimit fillor, të cilëve u janë lënë më shumë data në dispozicion për shkak të numrit të lartë të aplikuesve.

Aktualisht ka përfunduar procesi i regjistrimit të kandidatëve, lista me të cilët do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve gjatë ditëve në vijim. Secili duhet të azhurnohet me datën dhe orën kur duhet të paraqitet për t’u testuar. Përbri shkrimit, gazeta boton mënyrën e organizimit të provimeve, ndërsa më herët është publikuar rregullorja dhe dokumentet që duhet të ketë me vete kandidati për të ushtruar profesionin. “Ditën e provimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim, kopje të kartës ID ose pasaportës, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP­së në varësi të herës së pjesëmarrjes dhe në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim”. Ndryshe nga herët e kaluara, në listën e dorëzimeve kërkohet edhe një dokument shtesë si kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, si dhe njohjen e tyre nga ministria në rast se kandidati ka përfunduar studimet jashtë shtetit. Qëndrojnë të pandryshuara rregullat e zhvillimit të testimeve të provimit të shtetit. Kandidatët duhet të paraqiten së paku gjysmë ore përpara fillimit të provimit.

Atij i ndalohet të marrë me vete apo të përdorë celularë, ose mjete të tjera komunikimi. Po ashtu i ndalohet duhani apo konsumimi i ushqimit, si dhe komunikimi gjatë orarit të provimit. Rregullat e mësipërme janë kusht, mosrespektimi i të cilave çon direkt në skualifikimin e të regjistruarve./Panorama/