Aktori dhe moderatori Gent Zenelaj, i cili së fundi është bërë pjesë e Teatrit Kombëtar me shfaqjen “Don Kishoti”, ka qenë i ftuar këtë fundjavë në programin “Tek Unë” në InTv, ku ka folur ndër të tjera edhe për marrëdhënien e gjatë me kolegun e tij në programin investigativ “Stop” në Tv Klan, Saimir Kodra.

Pasi ka kujtuar vitet dhe eksperiencat e tij në televizion, Genti është ndalur edhe te marrëdhënia e tij me Saimirin, me të cilin fillimet nuk kanë qenë edhe aq të mira:

“Kam pasur gjithmonë ëndërr të isha pjesë e një emisioni investigativ. Siç duket, Saimiri e kishte marrë vesh këtë gjë dhe më ftoi ta bënin bashkë një projekt të tillë dhe unë pranova me kënaqësi. Në fillim, nuk ka qenë e lëhtë, sepse me Saimirin bëmë “xixa”. Ai i kishte hipur një treni që ecte me 300 km/orë, ndërkohë që unë nuk kisha ritme aq të shpejta edhe prej mungesës së eksperiencës në një format të tillë. Megjithatë, isha unë ai që duhet të merrte vrull dhe jo të ngadalësonte Saimiri. Tani jemi mirë, kemi kimi mes nesh!”

Me vitet, Genti dhe Saimiri treguan se janë një dyshe me kimi të jashtëzakonshme.