Nga Klodian Tomorri

Rritja e pagës minimale nuk është rritje të ardhurash për të varfrit, por është rritje taksash për të varfërit dhe gjithë të tjerët. PO! Në Shqipëri, rritja e pagës minimale nuk e ul varfërinë, por e rrit atë.

Çështja është e thjeshtë. Sot, paga minimale në Shqipëri është 22 mijë lekë. Por, në industrinë e fasonit, në dhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë me produktivitet të ulët pune mund të gjesh me mijëra punonjës që paguhen me 16 mijë lekë e ndoshta më pak. Vetë ministri i brendshëm e ka pranuar publikisht që rojat e policive private paguhen 17 mijë lekë. 

E dini pse ndodh kjo? Nuk është vetëm fakti që ne kemi institucione të dobëta që nuk mund të detyrojnë dot bizneset të paguajnë pagën minimale sipas ligjit. Kjo është një arsye, por jo e vetmja.

Arsyeja themelore është që paga nuk rritet me vendim qeverie, as me ligj, por reflekton produktivitetin e punës. Si mundet një biznes të paguajë 25 mijë lekë një punonjës që prodhon gjithsej 18 mijë lekë. Nuk e paguan. Nëse ti e detyron me ligj t’i japë rrogë 25 mijë lekë, ai do e heqë nga puna. Do shkurtojë vendin e punës.

Kjo është arsyeja që rritja e pagës minimale çon në rritjen e papunësisë dhe godet të varfrit. Për këtë u zu Obama me republikanët dy vjet.

Tani të kthehemi në Shqipëri. Nëse qeveria do e rrisë pagën minimale në 26 mijë lekë, industria e fasonit dërrmohet. Jo, sepse fasonistët do paguajnë rroga më të larta për punonjësit e tyre. Punëtorët nuk kanë për të përfituar asnjë lek më shumë, përkundrazi.

Por, sigurimet që do i paguajnë shtetit tani nuk do të llogariten më mbi pagen 22 mijë lekë, por mbi pagën 26 mijë lekë. Kjo rrit taksat për pronarin, rrit sigurimet edhe edhe për punonjësin.

Rritja e pagës minimale ka vetem një të fituar; Ministrinë e Financave. Vetëm arka e shtetit fiton, sepse mbledh më shumë taksa. Gjithë të tjerët humbasin. Dhe dëmi në ekonominë tonë është i madh. Eksportet e fasonëve kanë shkuar gati 100 milionë dollarë në muaj. Po mbajnë ekonominë. Nëse u rrit pagën minimale këta i fundos.

Ndaj Ministria e Financave, megjithëse fiton nga rritja e pagës e kundërshton këtë projekt. Kështu që sindikatave, drurin si Thaçeri dhe përpara me shkollën e Çikagos.