Për shumë vite pjesë e ekranit dhe gazetarisë, Endri Xhafo ka spikatur me profilin dhe profesionalizmin e tij. Nga radio në television, me programe të ndryshme të aktualitetit e më gjerë, Endri e ka bërë televizionin shtëpinë e tij të dytë, falë punës dhe pasionit për gazetarinë.
Por a e dinit se daja i tij është një prej figurave më të njohura të ekranit shqiptar, Reis Çiço?

Endri ka qenë i ftuar këtë pasdite në programin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer më shumë për punën në ABC News, ekrani ku ai punon aktualisht, familjen, por edhe për pasionet e tij jashtë gazetarisë.

Një detaj që është vënë në dukje nga Rudina ishte edhe fakti që Endri është nipi i Reis Çiços dhe për këtë marrëdhënie, ai tregon më shumë detaje. I pyetur nëse ka qenë Reisi një model gazetarie apo nëse ka qenë nxitës që edhe ai të bëhej gazetar, Endri thotë “jo”, por tregon se daja ka qenë një mbështetje dhe nxitje që ai të bënte çdo gjë që ka dashur: “Për t’u bërë gazetar, jo, por Reisi më ka ndihmuar më shumë për qasjet me gazetarinë dhe për të qenë me këmbë në tokë. Gjithmonë më thoshte se “askush nuk do të dijë nëse ti ke bërë këtë apo atë. Ti duhet të kërkosh vetë sa më shumë mundësi.” Më ka ndihmuar shumë në fillimet e mia, në vitin ’98, kur unë sapo kisha mbaruar studimet. Në atë kohë, Reisi ka qenë në kulmin e karrierës së tij. As atij nuk i vjen keq nëse e them këtë. Në atë kohë, më ka mbajtur me këmbë në tokë… Mbaj mend që me Reisin dhe Vjollca Vokshin kemi punuar te radio “Kontakt”. Ajo periudhë ka qenë shumë e vlefshme për mua…”