Lidhu me ne

Kritike

“O sa mirë me qenë shqiptar!” është frazë idiote

PYETESORI 33
Gazetari vuan kur kërkon një titull. Titulli është, sa thelbi i gjërave që ka thënë i intervistuari, sa vitrina që kërkon t’i ekspozojë të gjitha; për të thënë dhe për ‘të shitur’. Të intervistuarit nuk të ndihmojnë me këtë, ose e bëjnë me kursim të madh. Njerëzit, edhe ata që shëtisin profilin e një veteje të thellë a transgresive, janë kryesisht të rrafshët. Derikur takon Flutura Açkën, shkrimtare dhe botuese. Prej secilës nga 33 përgjigjet e saj mund të nxirrje një titull, dhe madje të fortë e të mirë. Çfarë fati për gazetarin!

1.Çdo të thotë të jesh shqiptar?
Të jesh më shumë naconalist, se patriot. Patrioti e ruan atdheun edhe për gjeneratat.
2.A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?
Ka, dhe janë sociale, të gjitha thuajse të diktuara nga kohët. Si fizik, shqiptarin e mund ta dallosh kudo që të jetë. Nga kafka, nga vështrimi, nga një lloj inferioriteti që ndrydh një krenari të papërballueshme. Një qenie që përshtatet, që mëson të përshtatet, që nuk ndihet i humbur ta bëjë këtë, ndoshta pse e zotëron thelbin e vetes.
3.Kur themi “qytet” në kuptimin “polis”, ku ndaleni me mendje në hartën e Shqipërisë?
Në Butrint, së paku nuk ka beton, por prapë edhe ai një të tretën e kohës popullohet nga hijet. Përmeti, do të thoja si pëlqim dhe Skampisi si nostalgji.
4.Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?
Aht, më thotë shumë. Fjala tamam, nuk më ndenji kurrë tamam, nuk e kam përdorur nëpër shkrime.
5.Ka një traditë letrare në gegnisht, por ka edhe përpjekje të rimarra për të patur edhe një gegnishte të standardizuar. A i kuptoni ata që i bëjnë këto përpjekje?
Po i kuptoj, e shoh si pasuri dhe liri të tyre, por vetëm ata që e kanë të natyrshëm, që kanë jetuar me të edhe në kohë shtrëngesash. Ka një dallim të qartë mes asaj gegënishteje burimore dhe gegënishtes së shkruar si përkthim i letrares.
6.A e konsideroni të tejkaluar nocionin Shqipëri etnike?
Jo. Etnia nuk i nënshtrohet gjeopolitikës, por natyrisht gjeopolitika e shkujdesur e thërrmon etninë. Është e njëjta gjë, por unë pëlqej termin Shqipëri natyrale; edhe para të huajve “syçelët” ndaj gjakut të thartë ballkan, kjo duket edhe më e butë.
7.A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Po, i dukshëm. Mjafton të analizosh pesë vitet e fundit, kemi bërë disa hapa prapa.
8.A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Jo, nuk mund të quhet rrezik, sepse është një kahje për ku shqiptarët shkojnë vetë.
9.A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?
Po, e artikuluar frikshëm dy-tri vitet e fundit edhe nga politika. E ushqeu komunizmi, dhe po e ushqen mosintegrimi (ose integrimi i ngadaltë) me Kosovën. Druaj të them, se ka diku një skenar që e drejton këtë moskuptim dhe ndarje shqiptaro-shqiptar.
10.Si do e përkufizonit një toskë e si një geg?
Një tosk është një qejfli më i sofistikuar se një geg, por thelbi është po ai.
11.A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?
Padyshim po shkruhet letërsi shumë e mirë; ndryshimi është se nuk ka direktiva leximi nga Partia, dhe kjo e vonon “rënien në sy”. Lokalja, është plaga e letërsisë shqipe, nga e cila duket se po çlirohet me vështirësi.
12.Një shqiptar/e që ju frymëzon…
Është një personazh i imi, shqiptar është edhe ai.
13.Çfarë mund të thoni në pak rreshta për kontesha hungareze Geraldine Apponyi e cila u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve?
Mendoj se u martua me mbretin, jo me burrin, atë burrin që kishte zbritur djalosh fare i ri me ushtrinë e tij të mbronte Princ Vidin e që në subkoshiencë mbase po shihte se si mund ta zëvendësonte. Tek kjo gjë, te dëshira për t’u dominuar nga fama dhe paraja, rehatia dhe burri i zot, duket që bota femërore nuk ka ndryshuar fare. Por ka qenë e bukur dhe me klas, dhe në gra të tilla, vështirë të rrijë e keqja. E shoh si një grua të pafat.
14.Partizani, Tirana apo Vllaznia?
Vllaznia.
15.Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…
Viti 1990. Unë jam krijesë letrare e lirisë. Pa të, natyra si imja nuk kishin zgjedhje, ose burg, ose heshtje. Më mjaftuan vitet e fundit para 90-tës ta provoja këtë.
16.A ekziston një Shqipëri europiane dhe një orientale?
Është një përzierje, shprehja është europiane, sjellja është gati orientale.
17.Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?
I sundoj, por ndodh që gjejnë ndonjëherë të çara te dobësia ime.
18.Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë…
Është një vit (1913-1914) që e njoh mirë, kam vite që e studioj. Haxhi Qamili është periferik, para thelbit të çështjes: A u vu shqiptari të vrasë shqiptarin në kohën e Princ Vidit? Nëse po, a quhet kjo një luftë civile? Nuk ka qenë një kryengritje e vegjëlisë, ka qenë një rrebelim i mirëfilltë kaotik. Por me habit diçka e asaj kohe. Mes kërkesave që “haxhiqamilsat” kishin ndaj qeverisë së Vidit, kishte edhe të tilla: “Duam rrugë” dhe “Rroga e mësuesit të bëhet më e madhe se e hoxhës”. Tani pas njëqind vitesh, rroga e mësuesit është ende më e vogël se e hoxhës.
19.Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan…
Unë kam një roman, të katërtin, me titullin “Ku je?”. Është skaneri i asaj kohe, aty e shpjegoj gjithçka në mënyrë gati shteruese.
20.“Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”… premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
Në kohë të caktuara Diaspora ka mbajtur thelbin tonë, ndoshta kjo shpjegon edhe këtë shtegtim të shpeshtë të mendjes që kemi.
21.A mendoni për vdekjen?
Po, ndonjëherë. Nuk do të doja të vdisja në gjumë, sepse ashtu nuk u them dot çastin e fundit njerëzve që dua se sa i kam dashur. Unë dua që ta them këtë.
22.Për këtë diell! apo, për Zotin!?
Për këtë diell!
23.Nëse do të zgjidhnit një epitaf për kryet e varrit tuaj…
Diti të ishte njeri!
24.A është i paragjykuar Kanuni?
Përderisa vepron ende, qoftë edhe i fragmentarizuar, është ai (ose fuqia e tij) që paragjykon ligjet tona, organizimin e shoqërisë sonë, bën sarkazmë me pafuqinë e saj. Ose diku kemi deformime të pariparueshme. Duhet të ishte relikte, po ja që nuk është.
25.Çfarë u ndodh kur bëheni koniciane e mendoni “ky vend nuk bëhet”?
Mund ta mendoj shpesh, por fakti që asnjëherë nuk ika me gjithsej, edhe pse jam një qytetare europiane prej vitesh, do të thotë që besoj se ky vend edhe (mund) bëhet.
26.Kur dëgjoni “o sa mirë me qenë shqiptar!” si ndiheni?
Më ngjan një frazë idiote. Cili komb nuk ndihet krenar për atë që është. Po të mos ishte kështu, nuk kishte pse në Zwaziland të martoheshin me ceremoni të veshjeve dhe me ritet shekullore, edhe pse i kanë të gjitha markat në shitore. Kur dëgjoj fjalën “shqiptar” po, kam ndjesinë e qenies me identitet.
27.Kriza, ka bërë që në aula të ndryshme, kuptohet të majta, të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. Në ç’lloj krize jemi në fakt: shpirtërore, morale, financiare apo sistemike?
Nuk jam e sigurt, por mbase e ka thënë Churchill: “Diktatura është këllirë, por edhe demokracia mban erë”. Nuk e di nëse njerzimi do të mund të shpikë më rende të tjerë shoqërorë. Ne jemi në një krizë të thellë morale, që po e shkatërron botën me një shpejtesi marramendëse, ajo e pjell edhe krizën financiare, dhe atë shpirtërore. Kam drojë se do të ndodhin shumë shpejt ndryshime të mëdha, lëvizje të mëdha të popullsisë së botës, nga kushtet klimaterike, nga luftërat, që do t’ia ndryshojnë rendin botës.
28.Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?
Zgjedhja e misterit më ngjan një sjellje naïve dhe disi përulëse, por edhe përkufizimi i të kundërtës si absurd, është kategorik. Unë barabitem në të vërtetë në një ndjesi mes të dyjave, se ka një rregullator i kurdisur nga perfeksioni kjo bota ku jetojmë, si të thuash, jam gati-gati agnostike. Jam idhtare e shkencës, çfarë do të ishim pa shkencën? Meqenëse kam përshtypjen se ky mister ndonjëherë e ka ndarë shtëpinë me terrorin, dhe është në vetvete një formë diktati, mbaj një lloj distance nga përfshirja në të; e shoh si filozofi e prodhuar nga nevoja e përhershme për purifikim shpirtëror, dhe e respektoj si të tillë.
29.Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. Pse kështu?
I pari ishte aq i madh, sa nuk e nxinte rasoja e pushtetit; i dyti ishte aq i vogël, sa i binte shumë e madhe. Një personazhi im në romanin historik që po shkruaj për atë kohë, thotë për Princ Vidin: “Ai nuk di ç’të bëjë as me gjatësinë e vet”. Ndonjëherë më duket se këtë problem e ka edhe kryeministri ynë i tanishëm.
30.Ndër gjërat që ndalojnë fetë, cila është më e pandalueshmja?
Seksi në agjërim, duket denatyruese.
31.Ka një debat rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Nëse është fjala për shtypin si letër, po, është në fazën e fundit të ekzistencës së tij. Dora e fundit e fanatikëve të letrës, do të vdesin. Por jo media vetë. Do të ndryshojë mediumi, por jo thelbi. Madje kështu ka edhe më shumë lexues. Ky proçes ndodhi më shpejt se ç’po ndodh me librin, për vetë natyrën e medias. Unë, një njeri i dashuruar me letrën, ble gjithnjë e më rrallë gazeta. Por me librin nuk më ndodh; ndoshta sepse ndër fragrancat e mia më të dashura, është letra e librit të saposhtypur, nuhuritja e së cilës hyn tani te kenaqësitë e mia. Nuk mendoj se në ekran librat kanë atë aromën e autorit, për të cilën flet Amos Oz.
32.Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
Clarice Lispectorit: “A ke ti pengun e të qenit grua?”
33.Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
A nuk mendoni se skrupujt ua kanë mpakur jetën?
/RevistaMapo
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix10 orë më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix10 orë më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix10 orë më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix10 orë më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix10 orë më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix10 orë më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix10 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix10 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix10 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar10 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook