Për të moshuarit që pleqërojnë në azil, qoftë edhe një fjalë e mirë që ju vjen nga bota jashtë është arsye e mjaftueshme për t’u ndjerë të lumtur.
Në jetën e tyre të përditshme ka pak vizitorë që u dedikojnë kohë a fjalë, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve fëmijët e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë.
Në heshtje, larg zhurmës mediatike, thjesht për të falur dhe marrë kënaqësi, 2 parukiere nga Korça, së bashku me kursantet e tyre kanë vizituar sot ambientet e azilit “Vila Kenedi” në Moravë.
Brikena Mullaymeri dhe Klodi Kovaçi tashmë e kanë kthyer në rit vizitën tek të moshuarat që i presin në radhë për t’iu përkëdhelur e rregulluar pak flokët.
Rrudhat në ballë e buzëqeshja në sy janë bukuria e viteve dhe sfidave që nuk mund ta konkurrojë asnjë krehër parukiereje, ama pak vëmendje e sinqertë i rinon këto të moshuara.
“Prej 3 vitesh ne vizitojmë herë pas herë azilin dhe u rregullojmë flokët të moshuarave. Sot patëm një moment më pak të ngarkuar në punë dhe menduam të vinim këtu, ishte instiktive.
Është një dëshirë e jona që shtohet edhe më shumë kur shohim reagimin e tyre. Mezi na presin, zënë radhën sapo na shohin. Kanë dëshirë të bisedojnë me ne, na tregojnë për fëmijët që u jetojnë jashtë Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket modelit të flokëve kanë shije të ndryshme. Njëra i donte kaçurrela, ka të tjera që na e lënë ne në dorë. Kjo është diçka shumë e vogël por ne jemi të lumtura që ato ndihen mirë.
Njëra prej tyre i thërriste të shoqit: ‘Hajde më shiko sa e bukur jam bërë!’, kaq mjafton për ne, të japim sadopak dashuri”, shprehet Brikena