Nga Jozefina Topalli
Menjëherë pas betimit si deputetë, lista e deputetëve e familjes së Lulzim Bashë Isufit, kontribuoi në zgjedhjen me 80 vota të Gramoz Ruçit, kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, 27 vite pas rrëzimit të komunizmit.
Reagimi i demokrateve në rrjetet sociale ka qenë një fortunë.
Dikush i shkruante: “Nuk besoj të ketë votuar Lule Basha për Ruçin, se do ishte nepotizëm”.
Dikush tjetër: “Hera e parë në historinë e vendit që një opozitë jepet me koncesion nga një sharlatan”.
Tjetri: “Nëse ky lajm është i vërtetë dhe janë shitur qysh sot 3 deputetë të opozitës, atëherë nuk është faji i Edvinit, por i PD që i është thyer busulla morale”.
Të tjerë: “Do bëhesh Kryeministër ti?! Ty të vjedhin votat në Parlament.”
“Nëse ambasadori amerikan bojkotoi Ruçin, po ti pse nuk e bojkotove?”
Në fakt unë nuk u habita që lista e Lulit votoi Ruçin.
Prej shumë vitesh, Luli nuk më zhgënjen për asgjë: Nuk më zhgënjen:
– as, kur qan me lot krokodili për të vrarët e diktaturës;
– as, kur betohet për opozitë ballore dhe flirton me Ramën;
– as, kur proteston për votën e lirë, hyn në qeveri me Ramën dhe vetë vjedh votat brenda PD;
– as, kur çon PD në humnerën me minis 230 mijë vota dhe thotë realizuam njeë fitore morale;
– as, kur voton Ruçin e fill pas kësaj i bashkohet atyre që protestojnë kundër këtij të fundit;
– as, kur thërret me shërbëtorët e tij gaztorë se ia vodhën 3 vota nën reflektorët e dritave të seancës parlamentare, nën xhirimin e 20 kamerave në transmetim direkt, në sy të 3 milionë shqiptarëve dhe me prezencën e pothuaj gjithë trupit diplomatik;
– as, kur e shet dhe e rishet atë që ka mbetur nga PD.
Luli nuk më zhgenjen, kur thotë ekzaktesisht të kundërtën e asaj që do bëjë
Luli luan të gjitha rolet …teatrale.
Por, ai luan dhe role serioze – Nga Zhulieta e Shekspirit, Don Kishoti i Servantesit… deri tek kryetari i “opozitës” dhe nuk ka frikë se bëhet Lul Komiku.
Lulin dhe familjen e tij Isufi nuk e lidh asgjë me PD.
Ata nuk kanë patur kurrë lidhje me këtë forcë politike deri në 2005.
Dhe që nga ky vit, ai vetëm e ka vjedhur atë deri më:
17-18 maj, kur kreu aktin e tradhtisë ndaj demokratëve;
me 21 maj, kur shpalli si Sulltan Bashë Isufi listën e familjes dhe klientëve të saj;
me 22 korrik, kur vodhi karrigen e kryetarit dhe vulën e PD përmes falsifikimit të votave e pjesëmarrjes.
E deri dje, kur i dhuroi Ruçit 3 vota nga lista e tij .
Kur kryetari shet vendet e listës së deputetëve, edhe deputetit i duket se ka të drejtë të shesë votën e tij.
3 muaj më parë Luli çertifikoi shkrirjen e së djathtës. Dje, “opozita” e tij votoi simbolin e komunizmit.
Jo miq, nuk ka humbur dje busullën morale PD.
Kjo nuk është PD. Vendi është pa opozitë.
Edvin Rama nuk ikën nga pushteti, sa kohë në krye të opozitës do jetë çuni i tij i mirë.
Demokratët duhet të largojnë Lulzim Bashën nga karriga e uzurpuar me vjedhje e falsifikim, se ai ka shitur PD thua se është plaçkë që shitet e blihet.