Nga Alma Nikolli
E dielë. Mbylla sytë dhe fillova të ëndërroj për të dielën. Paksa e çuditshme. Është si të thuash isha në Egjipt, përballë piramidave dhe fillova të ëndërroj për to. Do duhet të ketë dy arsye nëse ndodh kjo, ose nuk janë siç i imagjinoje dhe duhet t’i plotësosh me mendime, ose janë shumë më të bukura se aq dhe ti po prapë fillon të ëndërrosh.
Po mendoja për të dielën ideale, ndërsa në rrjete sociale isha përballur me postime të shumta të miqve të mi. Të dielën postimet nisin herët. Thuajse që në 6 të mëngjesit dhe nuk pushojnë gjithë ditën. Këta punëtorët e shtetit kanë edhe të shtunën, por janë më pak në numër dhe më përtacë, përderisa punojnë në shtet (paragjykim).
E diela në Facebook e Instagram është paradë dhe garë vendesh të bukura, pjatash të shijshme në dukje dhe verërash adoleshente a të plakura. S’po bëj moral, qenie virtuale jam edhe unë herë pas herë, ndër të tjera. Më qëlloi kjo e dielë kryesisht shtëpiake dhe fillova të mendoj, imagjinoj e shkruaj.
Ka ardhur një kohë që e kemi të vështirë të jemi nëse nuk dukemi. Përmes fotografisë, në jo pak raste modifikojmë dhe perfeksionojmë realitetin. Nëse gjendemi pranë një fushe plot me luledielli që në skaj ka një grumbull mbeturinash, ne edit-ojmë. Mbeturinat i presim ndërsa luleve u japim një efekt më shkëlqyes, e kombinojmë me buzëqeshjen tonë të rastit.
Nëse postojmë një fotografi të fëmijërisë, ku vetëm për të realizuar disa shkrepje të numëruara kishim veshur një fustan të bukur, ndërsa rastësisht kishim jo sandale por disa këpucë me lidhëse, thujase po aq të grisura sa të “Lulit të vocër” të Migjenit, ne presim këmbët. Me fustan të bukur, pa këpucë dhe me këmbë të prera, fotografia në Instagram të jep idenë e perfeksionit. Dhe miqtë do thonë “Ua, po ti moj qenke një modele e lindur. Aparati të dashuroka.”
Kështu krijojmë imazhet e gabuara që më pas duhet t’i ruajmë. Njerëzit shohin miq virtualë që ushqehen vetëm në restorante. “Friends” që udhëtojnë vetëm në makina personale, avionë e jahte. Të njohur e të panjohur që blejnë vetëm në qendra tregtare e veshin rroba markash.
Unë për vete di të gatuaj 4, 5 pjata, por në shumë raste marr dy feta bukë, brenda tyre gri një gjysmë domate i hedh pak kripë, copëza djathi dhe ha, pa shtruar mbulesë të hekurosur në tavolinë. Madje ka raste që dal në ballkon dhe ushqehem bashkë me zogjtë që kënaqen me pak thërmija buke. Një realitet që e pasqyroj edhe në Instagram, megjithatë preferoj që aty më me qejf të postoj një fotografi teksa drekoj në Dajt.
Kur isha pak më e vogël se kaq, netëve të dimrit doja shumë të fikeshin dritat që babi të na tregonte histori. Nga ato të frikshmet me orë malesh e hije të gjallësh që shfaqeshin pak orë para vdekjes apo nga ato të komunizmit. Nëse dritat nuk do fikeshin, me shumë gjasa që vemendjen familjare do na e merrte televizori.
Tani që nuk fiken më dritat, tentoj që herë pas herë të rrimë larg celularëve dhe televizorit që të kemi këto momente. Unë as gjyshe dhe gjyshër nuk kam më, ndaj ku ta gjej që mbi prehërin e hallave, me celularin larg nesh të dëgjoj histori që me kalimin e viteve nuk do mund t’i dëgjoj më.
A jemi ata që dukemi? Pyetjen e kam për mua dhe për ju.