‘Portokalli’ është bazuar jo rrallë herë në imitime, për të mos thënë që një pjesë e mirë e spektaklit është mbajtur shpesh mbi të tilla performanca. Kujtojmë se politikanët kanë qenë shënjestra e preferuar e autorëve të programit të së dielës mbrëma, madje prej tyre shumë nga aktorët e ‘Portokalli’ etiketohen ende me emrat e personave realë. Por, duket se këtë sezon, spektakli ka preferuar një natyrë tjetër imitimi.
‘E Diela Shqiptare’ dhe Ardit Gjebrea në veçanti, ‘Zonë e Lirë’ me në krye Arjan Çanin, Robert Aliaj janë disa nga emrat e televizionit Klan, të cilët janë bërë pjesë e ‘Portokalli’ me anë të imitimeve të performuesve në këtë format. ‘Ujvara e Ëmbëlsisë’ përfaqëson dukshëm spektaklin e Gjebreas, ndërsa ‘Zona e Bryllit’ sjell gjithçka kemi parë në gjithë këto vite nga Çani. Florian Binaj, i improvizuar me mantel të zi, syze e thonj të po së njejtës ngjyrë ishte një version humoristik i Robert Alisë, që nuk linte vend për dyshime mbi të kundërtën. E kur i mendon të gjitha këto, çfarë po përpiqet të tregojë Top Channel me këtë shënjestrim të radhës?
Kujtojmë se ky vit solli një fluks largimesh nga ‘Portokalli’, e këtu nuk po flasim për ‘venitje’ figurash. Të fundit që u larguan ishin Bes Kallaku dhe Erion Isai, dy performues që rendën menjëherë tek dyert e telivizionit konkurrent të Top-it, pikërisht në Klan. Si për të mos mjaftuar kjo, bashkarisht u prezantuan nga vetë Arditi si dy nga emrat që do të drejtojnë “Kënga Magjike 2017”. A ka lidhje kjo me ironizimin e Gjebreas në ‘Ujëvara e Ëmbëlsisë’…?