Nga Edi Oga
Në Pogradec jeton njeriu më i dashur në Shqipëri. E takova sot rastësisht, por fola mjaftueshëm gjatë me të. Quhej R.S. dhe ishte 62 vjeç. Nga kjo jetë kish pasur më shumë vuajtje, sesa gëzime, të gjitha të shkaktuara nga njerëz. Nga të njohur e të panjohur. Njerëz që i ka pasur pranë por edhe nga ata që kanë qenë larg.
“E megjithatë, më thotë R., unë nuk kam urryer asnjëherë askënd, përkundrazi, i dua të gjithë. I dua kaq shumë sa nuk ta shpjegoj dot!” “Të gjithë të gjithë? Pa përjashtim?!”
“Ore të gjithë fare po të them. Lypsarët, pronarët, katundarët, arsimtarët, komshinjtë, vendalinjtë, jabanxhinjtë, arixhinjtë, italianët, amerikanët, koreanët, kristianët, myslimanët, shejtanët, sharlatanët, shkurtabiqët, bullafiqët, dembelët, kriminelët, doktorët, aktorët, prokurorët, artistët, futbollistët, kimistët, Enverin, Hilerin, kamarierin, Ediramën, Obamën, tëamën, Saliun, borxhliun, bariun, Metën, Bashën, Letën, Tashën, pilotin, idiotin, patriotin…”
Një orë e më tepër më mbajti R.S. duke më treguar se kë donte. Praktikisht çdo njeri në këtë planet. E unë këtë as nuk e kisha imagjinuar. Një njeri i thjeshtë dhe i vuajtur, në një cep të parëndësishëm të Botës, i dashuron të gjithë, njësoj, pa kushte, madje në heshtje dhe pa dijeninë e tyre.

https://www.facebook.com/eduard.oga.90?fref=search