Nga Alma Nikolli
Pak a shumë e dija se kam lindur duke qarë me ëëëëëë, por për siguri pyeta mamin. Thashë mos ka bërë vaki kam qarë me zanore të tjera, por jo me një grumbull ëëëëëë-sh e kisha shtuar me 1 numrin e popullsisë shqiptare të vitit 1992. Ma merr mendja se edhe ju keni ardhur në botë me këtë tingull.
Sa bukur që shqipja ka një shkronjë për lotin e zëshëm.
Dhe si një zanore, ë-ja zë jo pak hapësirë në të shprehurit e pasthirrmave, apo tingujve 2-3 shkronjësh.
Është në jetën dhe përditshmërinë tonë, në momente habie, lumturie, trishtimi dhe përgjumje. S’e di, imagjinoniiiiii të gjitha ë-të që thoni gjatë ditës, janë të panumërta.
Ama ë-të që shkruani janë më të pakta. Për arsye teknologjie, shpejtësie apo mosdije.
Mosdijen kam qejf të bëj sikur nuk e shoh. Dua të mendoj që duam po nxitojmë. Ama medias nuk i falet. Nuk i falet ta marrë një satus delirant a jo të politikanëve dembelë që e zhdukin një shkronjë të shqipes. Kap, kopjo e hidh.
“Punët e mira vinë kadal”, ndoshta kjo shprehje e lashtë nuk funksionon në rastin e mediave që luftojnë per shpejtësi e ekskluzivitet, por vlen ende.
E di se keni halle të tjera…E di se do më thoni që duhet te gjeja ndonjë temë më aktuale dhe të qenësishme për të trajtuar…ndoshta do donit të shkruaja për Kryeprokurorin, për Palestinën a për lodrat sa të pavend, sa harmonike ke sheshi, ama unë dua dhe ndiej të jem avokate e ë-së.
Shqiptarët krenohen me 36 shkronjat e tyre, që për hir të tastierave i shndërrojnë në 35…madje edhe duke thënë: “Ëëëëëë….ë-ja nuk bëka”.