Nga Martin Leka
Aktori hollivudian George Clooney ka vendosur të tregojë vlerësimin për shokët e tij të cilët e kanë ndihmuar gjatë jetës, duke i shpërblyer me nga 1 milion dollarë. Surpriza ka ndodhur në vitin 2013 kur Clooney telefonoi 14 shokët e tij më të mirë dhe i ftoi për një drekë në vilën e tij.
Ngjarjen e ka rrëfyer një prej shokëve të aktorit, Rande Gerber, i cili kujton momentin e surprizës së papritur për “Grupin e Çunave”, teksa flet në një intervistë për MSNBC.
“Mos harroni 27 shtatorin, 2013. Të gjithë do vini në shtëpinë time për drekë”, iu tha Clooney shokëve. Kur mbërritën në shtëpinë e aktorit ata panë tavolinën e shtruar dhe nga një valixhe të zezë përpara çdo vendi.
“Kur erdha në Los Angeles, jam detyruar të fle në kolltuk. Jam shumë mirënjohës për të gjithë ju. Pa ju nuk do isha ky që jam”, iu tha Clooney shokëve. Ata hapën valixhet dhe mbetën pa fjalë kur brenda tyre gjetën 1 milionë dollarë për çdo njërin nga 14 miqtë e tij.