Nga Auron Tare
Kam një javë që kudo që e kthej televizorin shikoj debate të ethshme për Skënderbenë. Debate pa fund, shpjegime, të reja, të vjetra, fakte, etj. Do ketë ekspozita, ceremoni, mbjellje pemësh për Skënderbenë, libra, forume, dokumentare etj, etj. Domethënë autobusi i famshëm i Kuçit këtë herë ka marrë brenda specialistët e Skënderbeut.
Hëm, ore njerëz, në vend që të ulim kokën, të na vijë turp për atë qe i kemi bërë Krujës nuk lemë televizor pa dalë për të folur për Skënderbenë. Po ç’duam ne me Skënderbenë?
Skënderbenë e duan ata njerëz që ja mbrojnë, ja respektojnë trashëgiminë kulturore të tij.
Brezi ynë dhe ai që po vjen pas ja bëri malet e Krujës gurore, ja preu pyjet dhe vreshtat duke i bërë pallate, ja prishi pazarin e bukur të Krujës dhe e mbushi kalanë me lokale. Kushdo që vjen me avion në Tiranë habitet nga shkatërrimi i pejzazhit të Krujës nga fabrikat e çimentos dhe furrat e gëlqeres.
Në një vend tjetër Kruja do ishte një qendër e rëndësishme pelegrinazhi botëror për madhështinë dhe historinë e lavdishme mesjetare. Lëreni Skënderbenë atje ku është në parajsë, se edhe atij i vjen turp për atë që ne pasardhësit i bëmë qytetit, të cilin ai e mbrojti me shpatë ne dorë.