Nga Edison Ypi
Mylandi është një vend banorët e të cilit mburren me Historinë që nuk e kanë, lavdinë që nuk e meritojnë, trimërinë që nuk janë.
Mylandi është vend i shenjtë ku shtëpitë janë Kisha dhe Teqera, banorët janë murgj dhe dervishë që meditojnë s’dihet se për çfarë dhe kërkojnë ca gjëra që nuk ekzistojnë.
Në Myland, ku këndon bilbili, të deh pranvera, të rrënqeth vjeshta, të dalldis Prilli, të sëmur muzgu, rritet një frut që po ta tymosësh të bën të ëndërrosh, po ta shesësh në Itali mund të mbytesh në det ose mund të përfundosh në burg.
Mylandi është një patate e zjerë, e nxehtë, e shijshme, që nuk kafshohet, nuk gëlltitet, nuk hahet, vetëm rrotullohet nëpër gojë, shoqëruar me ulurimat përkatëse të ngjajshme me ato të seksit.
Mylandi është një pusetë ujrash të zeza të cilës i kanë vjedhur kapakun dhe e kanë shitur për skrap.
Mylandi është orë muri pa akrepa me një qyqe që del e bën ku-ku sa herë që i duket se Mylandi ndodhet buzë humnerës dhe botës po i afrohet fundi.
Mylandi do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi që do mbledhi male me pare nga budallenj kureshtarë që do vinë nga an’ e anës për të marrë në Myland përvojat e fitimit pa punuar, diturisë pa e kuptuar, dashurisë pa e ndjerë.
Mylandi është një dentierë nga ato që vihen ditën për të kafshuar të tjerët, hiqen natën për të kafshuar veten.
Mylandi është vend ku po të jesh sallam të shndrron në derr, dhe po të jesh derr të shndrron në sallam nga ai që po ta hash pa e coptuar dhe pa e përtypur ndjehesh i lumtur.