Shqipëria humb 7 vende në Indeksin e Lirisë së Medias

Në një vit, Shqipëria ka humbur shtatë vende në Indeksin global të Lirisë së Medias, hartuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Në indeksin e vitit 2019, Shqipëria rendidet në vend të 82-të nga 180 vende në total që vëzhgohen. Teksa liria e medias në Shqipëri ishte përmirësuar dhe në vitin 2018 arriti në vendin e 75, pozicioni më i mirë deri më tani, në vetëm 12 muaj, liria e medias në vend u përkeqësua dhe Shqipëria humbi 7 vende.

Këtë vit Shqipëria renditet krah Kirgistanit, Timorit Lindor, ndërsa Kroacia, Mongolia dhe Tunisia, – vende që nuk janë të njohura për tolerancën ndaj medias dhe lirinë e shprehjes, u renditet më mirë se Shqipëria.

Për situatën e medias në Shqipëri, RSF shkruan:

“Sulmet ndaj mediave nga qeveria dhe krimi i organizuar arritën një nivel të paprecedentë në vitin 2018. Gazetarët u përballën me ofendime, sulme, kërcënime me vdekje dhe padi penale e civile për t’i trembur dhe penguar ata në hetimin e korrupsionit.

Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i kanë quajtur gazetarët ‘kazan’, ‘plehra’ dhe si prodhues të lajmeve të rreme.

Kryeministri Rama ka propozuar një ligj që forcon kontrollin e shtetit mbi median dhe sipas organizatave ndërkombëtare, ky ligj kufizon qasjen në informacion të qytetarëve dhe cenon lirinë e gazetarëve.

Një raport i përbashkët i botuar nga RSF dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në mars të vitit 2018, ka raportuar mbi një sërë kërcënimesh ndaj mediave në Shqipëri. Raporti gjeti se standardet rregullatore manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe se pronësia e mediave elektronike është e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj. Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në të ardhmen e tyre profesionale.”