Lidhu me ne

Kryesore

Muç Nano: Si i kam parë unë NJEREZIT me influencë: Nano, Veliaj, Rama, Soros, Berisha, Kurti, Xhaferrin, Maks Velon e Pandi Majkon (LIBRI I RI)

Muç Nano: Si i kam parë unë NJEREZIT me influencë: Nano, Veliaj, Rama, Soros, Berisha, Kurti, Xhaferrin, Maks Velon e Pandi Majkon (LIBRI I RI)

Mustafa Nano dhe libri i tij i ri

“Si e kam njohur” është libri më i ri i gazetarit Mustafa Nano me ese për personazhe të politikës, artit, kulturës, diplomacisë e historisë, njerëz që në kohë, vite apo periudha të ndryshme kanë lënë gjurmë në historinë e vendit në periudhën e demokracisë.

Janë rrëfime të drejtpërdrejta, nga njohja personale e autorit me personazhet, që në fakt, tregon më shumë karakterin e tyre (personazheve) sesa të vetë Muçit që është thjesht një person i vëmendshëm, deri tek detajet.

Dje në një ambient shumë miqësor, Mustafa Nano, në praninë e gazetarëve, politikanëve dhe miqve të tij promovoi librin, i cili, sapo fillon të shfletohet, të ngjall kuriozitet të njohësh dhe ti personazhet, por…”me sytë e Muçit”.


Pasazhe për disa nga personazhet

Për George Soros

Nuk ua ndaja shikimin qeskave poshtë syve të tij. Më tërhiqnin si të ishin hajmali, që dikush ia kishte varur mbi kockën e mollëzave. Sa do kisha dashur që e dashura e tij aziatiko-amerikane t’i afrohej, t’ia zinte me dorë ato qeska, dhe t’ia shtrydhte në praninë tonë, sidomos gjysmat e poshtme të tyre, që ishin të varura e palosura. Mund ta bëja edhe unë atë punë në vend të saj. Madje, pa m’u rëndur fare. Veç një miratim më duhej. Do të ishte bëma më e madhe në biografinë time. Në enciklopeditë online, pas shumë vitesh, ndoshta që tani, poshtë zërit “Mustafa Nano” do të shkruhej mes të tjerash: “…Ka shtrydhur qeskat e syve të George Soros-it…”

Për Edi Ramën

Prej viteve ‘90 mbaj mend antikomunizmin e Edi Ramës, të cilin unë e besoj se i dilte nga rropullitë. Mbaj mend që u derdhej me tërsëllëm veteranëve. Mbaj mend gjithashtu ca shënime mbi një udhëtim në Dijon të Francës, në të cilat ai tallej me shumë personazhe të njohur të jetës publike. Mbaj mend edhe shprehjen “Ina, Ina, hiqi brekët!”, që ai e kishte kujtim prej fëmijërisë së vet urbane. Dhe në këtë pikë po bëj një sugjerim për reporterët e kronikës politike: “Pse nuk bëni një gjurmim gazetaresk për të marrë vesh se kush ka qenë kjo Ina? Ka më shumë kureshtje për të marrë vesh kush është Ina sesa kush janë ministret e Ramës. Apo mos vallë Ina vetë është ministre? Nuk ka gjasa, në fakt. Ina do duhej të ishte sot të paktën 55 vjeçe. Në kabinetin ‘Rama’ nuk ka asnjë grua me këtë moshë.”

Për Albin Kurtin

Unë nuk besoj që Albin Kurti nuk ka tundimin për të abuzuar me pushtetin. Ky tundim është natyral te njeriu, po aq natyral sa është edhe të urinuarit. Albini thjesht ka fuqinë (nëse e ka këtë fuqi, të kuptohemi; është për t’u parë kjo gjë), Albini pra thjesht ka fuqinë për t’i mundur tundime të tilla. Rastin e kundërt, përsëris, nuk e besoj. Sepse më gënjen mendja që e njoh mirë njeriun. E nëse del ndonjë politikan, apo kushdo tjetër, e thotë se nuk e ka fare tundimin për të abuzuar me pushtetin, ai, nëse nuk gënjen, është një rrezikzi. Ai është më i frikshëm se politikani më i korruptuar. Duket paradoks, por është bash kështu: Politikanët që shiten sikur të kenë dalë nga shpura e Jezu Krishtit janë më të frikshëm sesa politikanët e korruptuar. Ata s’e kanë për gjë t’i mbushin mendjen vetes se askush si ata nuk e meriton të qëndrojë në pushtet. Kështu u lind natyrshëm dëshira për më shumë pushtet, apo për të gjithë pushtetin. Dhe “të gjithë pushtetin” e duan për të mirën e të tjerëve, jo për të mirën e vetes. Dhe kur vjen puna në këtë pikë, robit i bëhet e afërt ideja se mund të bëjë çdo të keqe për një të mirë (nën shembullin e Raskolnikovit të Dostojevskit), apo në përgjithësi, për të mirën publike.

Për Arbën Xhaferrin

Arbën Xhaferi ishte shumë kritik ndaj fesë islame. Por, kishte një kontradiktë në të gjithë këtë histori. Sikur nuk pajtoheshin shumë edhe ideja e forcimit të kombit shqiptar, të cilën ai e promovonte, edhe kritika ndaj fesë më të rëndësishme mes shqiptarëve. Brenda tij rrinin çuditërisht rehat edhe mendimtari, edhe patrioti. Mendimtari e njihte këtë kontradiktë, por patrioti përpiqej të mos e evidentonte. Arbëni kishte vesin e të gjithë mendimtarëve shqiptarë të të gjithë kohërave: Nuk i interesonte e vërteta përpara interesit kombëtar.

Për Maks Velon

Kam qenë në Louvre. Në shtëpinë e Maks Velos, sidoqoftë, për arsye që nuk i kam të qarta, kam përjetuar emocione më të forta. Se si ishte ajo shtëpi! Por më pas i thashë vetes: “Po pse, ç’prisje ti? Prisje që shtëpia e Maksit të ishte si ato të ekspozuara në Elle Decor?”

Për Dritëro Agollin

Unë nuk e mora ndonjëherë në telefon Agollin. Por sikur ta kisha marrë, isha i sigurt që biseda do të fillonte kështu: “Alo, Dritëroi?” “Jo, jam Sadija.”

Po shkëmbenim përshëndetjet e rastit, kur Agolli më bëri një nga ato pyetjet e veta të papritura: “Cili shkruan në familjen tënde?” “Askush,” i thashë. “Nuk ka mundësi.” “Ka mundësi që ç’ke me të,” iu përgjigja. Por aty për aty, si të doja t’ia ushqeja për një ndjenjë detyre atë bisedë surreale, i thashë: “Shkrimtari i vetëm në familjen time ka qenë gjyshja ime që ka vdekur para tre vjetësh; fjalori i saj, gjithë-gjithë, nuk i kapte 400-500 fjalët; por i përdorte ato fjalë si askush tjetër në këtë botë.” “Po ajo është shkrimtarja; nga ajo ke dalë,” shpërtheu me hare Agolli, sikur të kishte dëgjuar një zbulim. “Mos e shiko me të qeshur këtë punë: është kështu si të them unë; pse çfarë i di shkrimtarët ti? Ja, si gjyshja jote janë, që dinë të përdorin fjalët; madje t’i marrim të keqen asaj.”

Për Fatos Nanon

Më kanë treguar se si njëherë Fatos Nanos, duke ikur për në jug, i zunë rrugën disa fshatarë të Kavajës a të Lushnjës. Ishin tifozë të tij. Donin ta shihnin e ta takonin. Ishin të prirë nga kryetari i komunës, një barkderr. “Ne duam të na kthehesh pak në fshat. Atje po të presin,” i tha ky i fundit. “Po mirë, po ndalem 10 minuta, jo më shumë.” Për të shkuar në fshat, që ishte buzë rrugës, u duhej të kapërcenin një kanal të ngushtë. Dhe tjetri, në shenjë respekti, e zuri për krahu, si për ta ndihmuar që të hidhej në anën tjetër. Jo vetëm që po e bezdiste e po e pengonte, por edhe ia kishte shtrënguar shumë krahun. “Ma lësho krahun,” i tha “se hidhem vetë.” Por barkderri bëri të kundërtën. Ia shtrëngoi më shumë. Me sa duket, nuk gjente dot mënyrë tjetër për t’i shprehur dashurinë. “Më çave trapin, më çave! Hiqe krahun, të thashë! Shkërdhatë! Bythqirë!” Barkderri më në fund bëri mënjanë.

Për Leka Zogun

Leka Zogu u dha në derën e dhomës së pritjes, me kryet që i uli pak, për të mos prekur pjesën e sipërme të parvazit të derës. Duhet të ketë qenë më i gjatë se 2 metra, por ishte i hollë, pa asnjë çikë bark. Kur u mat të ulej, ca ngaqë ishte shumë i gjatë, ca ngaqë veprimet i kishte shumë të ngadalta, unë zura të besoja se atij do t’i duhej një copë herë e mirë (Një orë? Dy orë? Apo më shumë?) për të zënë vend në ndenjësen e rehatshme. Kur ia doli, unë e gjeta veten duke marrë frymë i lehtësuar. Këmbët iu zgjatën përpara, gati të pambarimta e të panatyrshme, trupi i mori një hark me qendrën në mesin e shpinës, dhe mua m’u bë se dikush që mund të kishte mendje të keqe mund ta merrte në krahë, pasi ta kishte palosur paraprakisht.

Për Erion Veliaj

“Mjaft-i e ka mbaruar misionin e vet,” më tha Erion Veliaj, teksa po bisedonim te Qendra ”Stefan” andej nga viti 2007. “Ose duhet të shndërrohet në një parti, ose duhet t’i bashkohet PS-së.” Unë i këshillova të parën. Ai bëri të dytën. Dhe sot është një nga njerëzit më me ndikim të vendit.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore1 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore3 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar3 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix3 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix3 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix3 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix3 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook