Lidhu me ne

Aktualitet

Paketa Anti-Media


Ndonëse shoqatat e gazetarëve  i pranojnë problematikat e medias online, ata janë kundër që ajo të rregullohet nga qeveria, që kërkon kështu sipas tyre të vendosë censurë e të asgjësojë dalëngadalë pushtetin e katërt.

Projektligji për median online është kthyer në një test të rëndësishëm për qeverinë dhe vullnetin e saj për të reflektuar ndaj kontestimeve të brendshme dhe ndërkombëtare. Si mund të arrihet një kompromis për variantet dhe a do të tërhiqet Rama siç i këshillojnë disa zëra brenda PS apo do të vijojë me miratimin më 19 dhjetor në Parlament

Si për t’i paraprirë  votimit në Kuvend të “Paketës Antishpifje”, vajza e bashkëshortes së kryeministrit fitoi gjyqin kundër shtatë portaleve online, të cilët më herët i kishte paditur për shpifje, mbi një lajm të postuar që Rea Xhillari e cilësoi si të rremë, shoqëruar sipas saj me komente të turpshme. Dëmshpërblimi në total ishte 600 mijë lekë të reja, ndërsa të gjithë portaleve u ngarkohej të paguanin shpenzimet gjyqësorë.

Xhillari shkruante në muajin prill, se ndihet e detyruar të vinte në lëvizje gjykatat dhe ishte pikërisht sistemi i drejtësisë që  gjykoi në fund në favor të paditëses, duke treguar se raste të tilla rregullohen përmes gjykatës.

Por kryeministri Rama, i cili prej kohësh i ka etiketuar mediat si “kazan” dhe vetëm pak ditë më parë i quajti ato “skandaloze”, duket se e sheh të domosdoshme që ashtu si “Paketa AntiKÇK” që do të ndalojë të korruptuarit e drejtësisë përpara se t’u vijë koha e vetingut, edhe mediat online të bllokohen apo të paguajnë gjoba tek Autoriteti i Mediave Audiovizive përpara se të përballen në gjykatë.

Prej ditësh, gjatë takimeve me banorë në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri bën thirrje të mos i lexojnë mediat e madje as të mos shohin fare televizor apo rrjete sociale.

Për përhapje paniku përmes lajmeve të rreme, policia shoqëroi administratorët e faqes online “JOQ” dhe arrestoi një vajzë, e cila nuk ka as në pronësi e as në administrim ndonjë media, vetëm sepse kishte postuar në facebook-un e saj një lajm të pavërtetë, që mund të nxiste panik pas tërmetit me magnitudë 6.4 Rihter që goditi vendin.

Tre muaj më parë , për të njëjtën akuzë – përhapej paniku me një lajm të lidhur me tërmetin e 21 shtatorit, u  shoqërua në polici një gazetar i “Syri.net”.

Por megjithë kundërshtitë nga aktorë vendas e ndërkombëtarë, Kuvendi ka njoftuar se ligji do të hidhet për votim në seancën e fundit për këtë vit, atë të 19 dhjetorit, ndërsa kryeministri Rama e lajmëronte që vitin e kaluar miratimin e projektligjit.

Edhe tani, si atëherë OSBE dhe BE e kanë kundërshtuar projektligjin, duke theksuar se i jep shumë kompetenca AMA-s dhe AKEP-it, Autoritetit  të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

“Nëse OSBE nuk do kishte ndërhyrë projektligji do të kishte mbetur siç u paraqit në janar. Topi është në fushën tuaj tani. Gjobat janë shumë të larta dhe duhet të jenë proporcionale. Duhet të ndahen kritikat ndaj qeverisjes me shpifjen. Po presim disa përmirësime të rëndësishme në këtë ligj”, do të thoshte përfaqësuesja e OSBE Irina Radu, në diskutimet e komisionit të ligjeve mbi Paketën Antishpifje, duke shtuar se jo të  gjitha rekomandimet e OSBE janë marrë parasysh.

Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias Harlem Desir, do të deklaronte në fillim të kësaj jave se  projektligjet e qeverisë kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme, ndërsa deputetë të mxhorancës kishin pretenduar më herët se ato ishin konsultuar me zyrën e zotit Desir.

Nga BE, Monika Bylaite do të thoshte gjatë seancave të konsultimit se mendimi i tyre  nuk kishte ndryshuar nga ai i herës së kaluar se duhet të ketë përputhshmëri me të gjitha standardet për lirinë e shprehjes. “Ne rekomandojmë qasje më pak të ashpra dhe të bazuar në qasjen e vetërregullimit. Ne mobilizuam edhe tjetër ekspertizë për paketën ndaj ju bëjmë thirrje që edhe njëherë të përfitoni. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndjekin proces shterues konsultimi, ky duhet të jetë proces i plotë përpara miratimit. Ne nuk na duket sikur kjo mund të arrihet në mënyrën e duhur deri në fund të këtij viti”, do të thoshte Bylaite

Në fillim të javës, ishin gjithashtu  7 organizata europiane në mbrojtje të lirisë së medias, të cilat  dolën me një deklaratë  në lidhje me projektligjin “Antishpifje”.

“Ne i bëjmë thirrje Parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias”, thuhej në deklaratë.

Me gjithë kundërshtitë që erdhën edhe nga pedagogë, gazetarë e përfaqësues të mediave, për Komisionin e Ligjeve konsultimet quhen të kryera dhe java që vjen me gjasë do ta gjejë ligjin të miratuar, edhe pse nga OSBE bëhej thirrje për më shumë rishikim të projektligjit.

“Besoj se draftet do të marrin në konsideratë disa nga sugjerimet e organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare. Nuk kemi ndonjë ngutje”, do të shprehej kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Shumë përfaqësues të mediave online dhe gazetarë druhen se në kategorinë e shpifjes do të hyjnë edhe kritikat ndaj qeverisjes.

Ndonëse shoqatat e gazetarëve  i pranojnë problematikat e medias online, ata janë kundër që ajo të rregullohet nga qeveria, që kërkon kështu sipas tyre të vendosë censurë e të asgjësojë dalëngadalë pushtetin e katërt.

Përfaqësuesit e mediave i konsiderojnë gjobat të larta, të cilat tentojnë edhe mbylljen e tyre.

Por ndërsa deputetët e maxhorancës pretendojnë të rregullojnë dhe kufizojnë fenomene si

gjuha e urrejtjes,ksenofobia apo homofobia dhe të sigurojnë  mbrojtjen  e fëmijëve, që sipas tyre gjenden rëndom në portale, në vendet perëndimore, këto vetërregullohen.

ekspertja  e Këshilli i Europës, Deirdre Kevin  mendon se projektligjet e qeverisë bien në kundërshtim me një sërë rekomandimesh dhe rezolutash të Këshillit të Europës, të cilat promovojnë vetërregullimin në media. Kevin do ta shihte si të pazakontë propozimin e qeverisë duke bërë vërejtje se projektligji ishte edhe diskriminues, pasi ai nuk përfshinte faqet online të gazetave.

Kevin do të hidhte poshtë pretendimet e maxhorancës se projektligjet adresojnë dizinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, duke i parë më të fokusuara tek pretendimet për shpifje.

“..thelbi i qëllimit të ligjit është sërish problematik dhe nuk përputhet me standardet e lirisë së shprehjes”, do të thoshte ajo, ndërsa ka vënë në diskutim sesi  autoriteti rregullator mund t’u përgjigjet brenda 72 orëve çdo ankese të veçantë,  për shkak se gjykata thekson se ka nivele të ndryshme mbrojtjeje për njerëzit dhe politikanët janë më pak të mbrojtur ndaj kriticizmit. “Ka gjithashtu kërkesa për të ndarë faktet nga gjykimet dhe opinionet,” do të theksonte ajo.

Shqetësimet e përfaqësueses së BE, Bylaite ishin tek  rritja e kompetencave të AMA-s, që sipas saj  ndikon në lirinë e shprehjes. Masat e rrepta, përmes gjobave dhe  bllokimeve do të sjellin për pasojë një lloj autocensure, duke penguar lirinë e medias.

“Ne jemi të shqetësuar që AMA është kaq e pranishme në ligj. Ne do të donim që të drejtat të zgjidheshin para gjykatës dhe në asnjë mënyrë nga AMA. Vërejmë se gjobat janë ulur, por sërish nuk janë proporcionale,” do të vërente  Irina Radu, drejtuese e Zyrës së Medias në OSBE, duke theksuar se ndryshimet e sugjeruara nuk janë reflektuar në projektligj. Ndonëse anëtarët e AMA-së janë shprehur vetë kundër projektligjit, kanë thënë se në rast se do të miratohet nga Kuvendi, do të jenë të detyruar ta zbatojnë. Vetë gazetarët i shohin dy organet, AMA dhe AKEP si të politizuara.

Edhe Komiteti i Helsinkit ka shprehur shqetësim rreth paketës Antishpifje.  Këshilltari i Komitetit, Bob Hand është shprehur se mënyra se si trajtohet kjo çështje, mund të përdoret si një shembull pozitiv i angazhimit me shoqërinë civile dhe bashkëpunimin me institucionet e OSBE-së, për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm.

Megjithë këshillat e ndërkombëtarëve për të bërë një hap pas, pasi rregullimi nuk ishte në linjë as me standardet e Këshillit të Europës dhe as me praktikat  europiane, kreu i Komisionit të Ligjeve, Manja i konsideroi ato thjesht si këndvështrime të ndryshme.

Unionet e gazetarëve dhe shoqatat në mbrojtje të lirisë së mediave kanë lajmëruar protestë më 19 dhjetor, nëse maxhornaca nuk do të tërhiqet nga projektligji. Kështu gazetarët kanë menduar të protestojnë për tri ditë kundër paketën Antishpifje.

Por kryeministri Rama, ka menduar të futë në paketë edhe shpifjen në gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa ditë më parë u është drejtuar mediave, edhe atyre audiovizive se mund t’i mbyllte në gjendje të jashtëzakonshme, pasi këtë të drejtë ia jepte pikërisht ligji për gjendjen e jashtëzakonshme.

Në faqen e tij të Facebook-ut, me pretendimin se mediat po përhapnin panik dhe po e rëndonin edhe më situatën psikologjike të qytetarëve pas tërmetit , u bëne apel mediave të filtronin përmbajtjet, pasi në të kundërt shkruante Rama “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!”.

Kështu nga 20 dhjetori, shpifjet do të gjykohen nga AMA, e cila do të vendosë edhe sanksionet, ndërsa AKEP do të bllokojë aksesin në internet portaleve, që gjykon se  kanë shfaqur pornografi me fëmijë, kanë publikuar vepra për qëllime terroriste apo kanë shkelur sigurinë kombëtare. Provat e para u bënë me faqe online, të lindura jo si media siç është “Jeta Osh Qejf” apo “Brryli Broadway”, të cilëve iu bllokua aksesi nga AKEP.  Në të ardhmen, kur ligji të ketë hyrë në fuqi e kur nuk do të duhet pritur që çështjet të rregullohen me vendime gjykate, të tjerë media do të rrezikojnë gjoba dhe mbyllje, derisa ngadalë, të jenë vetëcensuruar aq shumë, sa të qëndrojnë jo politikisht korrektë,  por korrekt sipas qeverisë apo qeverive të radhës. Maxhoranca qeverisëse dhe kreu i saj duket se nuk presin që të jetë publiku, përmes zgjedhjeve dhe besueshmërisë që i jep mediave të caktuara, të bëjë edhe rregullimin, por kërkon që këtë ta kontrollojë përmes projektligjit, i iniciuar dhe hartuar nga deputetët e saj. A do të mundet më media të ushtrojë presion, si pushtet i katërt, mbi qeverinë apo do të tutet nga presioni që qeveria po ushtron mbi të, duke e kthyer në ligj?

Por edhe nëse të gjitha mediat të mbyllen, ERTV me siguri do të transmetojë live çdo veprimtari të kryeministrit, i cili këto ditë pas tërmetit ka qenë më aktiv se kurrë.

3 ditë protestë, gazetarët do të kundërshtojnë pakten “anti-shpifje” të Qeverisë

Gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë vendosur të kundërshtojnë me protesta në rrugë dhe ‘on line’, paketën “anti shpifje” të përgatitur nga mazhoranca e Edi Ramës, për të cilën thonë se është përpjekje për të kapur median ‘on line’ në Shqipëri.

Në një takim të organizuar sot në Tiranë, gazetarët dhe aktivistët kanë theksuar se protestat nuk mund të lihen për në datën 19 dhjetor, kur mazhoranca kërkon të kalojë në Kuvend këtë paketë, por ato duhet të zhvillohen më përpara për të bërë presion për tërheqjen e deputetëve. Pritet që protestat të nisin tre ditë përpara seancës plenare.

“Unë jam dakord që ne t’i përdorim të gjitha format e protestës, dhe ne u bëjmë thirrje dhe mediave që të shprehen në të gjitha format. Ne lutemi që këta ta heqin përpara se ta fusin në Kuvend, sepse po bëmë protestë me 19 dhe ata e kanë futur në rendin e ditës, ata i kanë votat në shumicë për ta kaluar. Problemi është që të rrisim presionin, unë jam dakord me të gjitha këto pikat e propozuara, përjashto rendin, sepse ky takimi me ambasadorët mund të bëhet qysh nesër, se s’ka kuptim të lihet me 19. Ne nuk duhet t’ju lëmë kohë në këtë gjë, se po i lamë kohë, ç’kuptim ka pastaj. Dhe e treta, nënkupton të gjitha format e reagimit dhe protestën mund të mos e lëmë me datë 19, mund ta bëjmë 3 ditë rresht”, është shprehur gazetari Aleksandër Çipa në takim.

“Duhet t’i përgjigjemi dhe me një gjuhë teknike. Qëndrimi im është pro protestave fizike, pro protestave on line. T’ju bëjmë thirrje të gjithëve sa munden, njerëz me influencë ta skuqin, ta nxijnë ose ta zbardhin Facebook me një gjë që është slogani ynë kundër paketës antishpifje, që nuk është një paketë antishpifje sepse shpifja s’ka nevojë për gjykim administrativ, kemi nevojë për gjykim gjyqësor”, është shprehur aktivistja Aranita Brahaj.

“Mua më pëlqen ideja e zonjës, të përfshijmë dhe shoqërinë civile, sepse nuk është vetëm çështje e gazetarëve. Është e jona kryesisht. E para duhet të krijojmë një grup, të bëhet një planveprimi konkret dhe më pëlqeu ideja që mos ta lëmë protestën me 19, por 3 ditë. E dyta të krijohet një grup për ambasadat, të krijohet një grup negociimi. T’i drejtohemi të gjithë ambasadave me kërkesa për takime. Të zgjidhet një grup se të gjithë s’mund të shkojmë”, është shprehur pedagogu Mark Marku.

Paketa antishpifje është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile, pasi, siç thonë ato, kufizon lirinë e shprehjes dhe rrezikon të vendosë median nën kontrollin e Qeverisë. Edhe OSBE ka kërkuar nga mazhoranca që të marrë në konsideratë shqetësimet e gazetarëve.

Zëra kundër, ndonëse të paktë, ka patur edhe brenda mazhorancës, të cilët kërkojnë që të paketa të realizohet në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.

Edhe AMA kundër

Nënkryetari i Autoritetit i Mediave Audiovizive, Sami Neza është shprehur sot kundër paketës antishpifje të propozuar nga qeveria.

I ftuar sot në emisionin ‘Real Story”, gazetari tregoi dhe arsye pse ky ligj duhet rrëzuar dhe sipas tij kufizon lirinë e shprehjes.

“Këshilli i AMA-s është shprehur kundër këtij projekt-ligji, për disa arsye, por arsyeja kryesore është parimi i vetërregullimit. Media mund të rregullohet me parimin e rregullimit. Po ashtu është edhe cenim i lirive të shprehjes. E dyta Në dy vitet e fundit ka pasur shumë diskutime në  lidhje me këtë ligj. Në asnjë rast nuk sugjerohet që mediat e shkruara ose online të rregullohet përmes institucioneve publike ose të balancuara”, ishte kjo një pjesë e deklaratës së Nezës.

Qeveria socialiste është investuar prej 2 vitesh në krijimin e një pakete të quajtur “Paketa Anti-shpifje”e cila do të kalojë në Kuvend në 19 dhjetor. Kjo paketë, e cila synon të vendosë rregulla në mediet online, është pritur negativisht nga gazetarët dhe organizatat që mbrojnë fjalën e lirë. 

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore2 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore3 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar3 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix3 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix3 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix3 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix3 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook