Lidhu me ne

Aktualitet

Vetëm tetë veta kundër krimit


“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor”, shkruhej në mesazhin e urimit, duke theksuar se ShBA mbeten partner  në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.

Me  betimin e tetë prokurorëve tek presidenti dhe zgjedhjen e kreut të SPAK, dita e djeshme u pa si sukses i zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë të të gjithë zyrtarëve të korruptuar. Por me gjithë optimizmin, Prokuroria e Posaçme e nis punën me vetëm gjysmën e kapacitetit të saj dhe ende pa asistencën e BKH-së, ndërsa Bundestagu pret rezultate të prekshme e të shpejta të saj si një prej nëntë kushteve në rrugën e integrimit në BE

Suadela Balliu-Liberale.al

E enjtja u pa si ditë e rëndësishme për Drejtësinë, ndërsa tetë prokurorët e parë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion bënë betimin para presidentit dhe pak orë më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjidhte edhe kreun e saj.

Nuk vonuan urimet, që në orët e para të ditës, nga përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë, duke e parë ngritjen e SPAK si nisjen e një faze të re të zhvillimit demokratik e ligjor.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ambasada e ShBA-së do të përgëzonte tetë prokurorët që morën dje detyrën zyrtarisht,  të cilët do të nisin betejën me krimin e organizuar dhe zyrtarët e korruptuar.

“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor”, shkruhej në mesazhin e urimit, duke theksuar se ShBA mbeten partner  në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.

Edhe  ambasadori i BE-së, Luigi Soreca  do të shprehej në një postim në Twitter se mirëpriste betimin e prokurorëve tek presidenti, duke e parë si një gur të rëndësishëm miljeje në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Sipas Soreca-s, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi kryesore për Shqipërinë në integrimin drejt BE-së.

Edhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf u shpreh se lufta që SPAK do i bëjë korrupsionit dhe krimit është një nga çelësat e integrimit drejt BE-së, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë në këtë rrugë të vendit si partner i ngushtë. “U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji për këtë detyrë të rëndësishme”, shkruante Zingraf.

Përshëndetjet për ngritjen e SPAK nuk erdhën vetëm nga ndërkombëtarët, të angazhuar fort në Reformën në Drejtësi, por edhe nga Partia Demokratike, ndërsa kreu i saj prej muajsh i ka dhënë besim SPAK në hetimin e zyrtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin veçanërisht pas prezantimit të nëntë kushteve të Bundestagut ku kërkoheshin rezultate nga SPAK në këtë sferë. Në mesazhin e saj, PD theksonte se nisja nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

“Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, thuhej në mesazhin e PD-së duke theksuar se ajo e ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të BKH-së dhe ka vullnetin për t’i japë  besim dhe të mos paragjykojë asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, por nuk ka lënë pa përmendur vendimet e disave prej tyre në të shkuarën.

Sfida

Ndërsa ngritja zyrtare e SPAK u pa si gur i rëndësishëm në ndërtimin e Drejtësisë së re përmes Reformës që mori jetë tre vjet më parë,  barra e dosjeve të “nxehta” mbi shpinën e

Altin Dumanit, Arben Krajës, Behar Dibrës, Edvin Kondillit, Elida Celamit(Kaçkini), Ened Nakuçit, Enkeleda Millonait dhe Klodian Brahos duket e rëndë aktualisht,  kur ende nuk është ngritur Byroja Kombëtare e Hetimit, anëtarët e së cilës do të përzgjidhen përmes testimeve dhe intervistave dhe do të jenë nën varësinë e SPAK.

Prokuroria e Posaçme, e cila siç edhe e ka theksuar shpesh ambasada e ShBA-së në Tiranë do të hetojë zyrtarët e korruptuar dhe të përfshirë në krimin e organizuar, nis  punë me gjysmën e kapacitetit ndërsa pritet që kandidatët e tjerë që formojnë 15-shen dhe që janë intervistuar dhe pikëzuar nga KLP, do të duhet të kalojnë vetingun.

Gjithashtu, që puna të nisë konkretisht dhe  që prokurorët të kenë të gjithë ekspertizën e nevojshme për dosjet që i  presin- ku e para do të jetë ajo e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla siç e ka lajmëruar kreu i KLP-së Ibrahimi -, do të duhet më parë të kalojnë trajnimin amerikan.

Pak ditë më parë ambasada amerikane bëri të ditur se  nga fillimi i vitit 2020, prokurorët amerikanë do të ofrojnë trajnim për SPAK mbi çështje të tilla si lufta ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, trafikimit të njerëzve.

Ashtu siç zbulonte Ibrahimi pak muaj më parë, se kryeprokurori i SPAK, i cili tashmë ka një emër dhe ai është Arben Kraja,  do të rekrutojë  më pas  drejtuesin e BKH  dhe të dy bashkë do rekrutojnë hetuesit e BKH-së. “Pas përzgjedhjes ata do të trajnohen nga ekspertë amerikanë të FBI,  gjë që do të marrë disa muaj”, pranonte Ibrahimi por që në ndërkohë SPAK do ta nisë punën duke përdorur oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila dje u shkri zyrtarisht.

SPAK do të trashëgojë kështu, siç do të thoshte Ibrahimi, rreth 90 përqind të portofolit të dosjeve të Krimeve të Rënda, prokurorët e së cilës janë transferuar nga KLP në prokurori të tjera. “Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë çështje të fjetura”, i thoshte Deutsche Welle-s  kreu i KLP-së, ndërsa e kishte parashikuar ngritjen e SPAK në fillim të vjeshtës.

Ibrahimi, i cili do të thoshte se kur shtatë apo tetë prokurorë të kishin kaluar vetingun, nga 15 kandidatët, do të shpallej krijimi dhe funksionimi i SPAK. Megjithëse thoshte se nuk ishte kompetencë e KLP-së të caktonte sesa prokurorë i duheshin Prokurorisë Speciale, do të pranonte se sipas Kushtetutës nuk mund të ishte më pak se 10 prokurorë. Për fat të keq ky numër nuk u arrit dot as në dhjetor, duke i dhënë jetë kështu institucionit më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi me një numër të cunguar prokurorësh.

Kreu i SPAK

Pas zgjedhjes nga anëtarët e KLP-së me 6 vota, kreu i SPAK do të thoshte se shqiptarët duhet të besojnë se prokurorët e kësaj strukture do të punojnë.

“Besoj se do të e çojmë bashkë me të gjithë të tjerët atë që kemi nisur. Pa diskutim si të gjithë të tjerët. Dosjet, ato që janë do të zgjidhen të gjitha me radhë. Ka qenë një nga prioritete tona që kemi vendosur për të rakorduar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për të rivlerësuar opinionin negativ për punën tonë. Sot shqiptarët duhet të besojnë se të gjithë ne si grup do të punojmë. I ashpër brenda ligjit”, do të shprehej Kraja, duke shtuar se kushdo që shkel ligjin duhet të trembet.

Kraja ishte në garë për kryesinë  e SPAK, së bashku me prokurorët Edvin Kondilli dhe Altin Dumani. Ky i fundit prej kohësh shihej edhe si favoriti për të drejtuar Prokurorinë Speciale, por mundi të marrë vetëm katër vota kundrejt gjashtë të tjerave që zgjodhën Krajën, duke vlerësuar aftësitë menaxheriale në burimet njerëzore si përvojë e gjatë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kreu i KLP-së do ta cilësonte si momentin më të vështirë atë të zgjedhjes së kryeprokurorit të SPAK,  pasi sipas tij të tre kandidatët ishin të fortë. “Sot zgjodhëm gurin e fundit të “mozaikut” të SPAK. Tani fjala është për ta.  KLP do t’i japë mbështetjen maksimale, qoftë për pavarësinë e tyre, por edhe mbikëqyrje për sa i përket rezultateve”, do të shprehej Ibrahimi.

Me ngritjen e SPAK do të reshte së funksionuari jo vetëm Prokuroria e Krimeve të Rënda, por edhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Në një tjetër postim në Twitter, ambasadori i BE-së Luigi Soreca do të përshëndeste edhe zgjedhjen e kreut të SPAK, ndërsa shkruante se nga dje niste punën edhe Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me 18 gjyqtarët e parë të caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Dy ditë më parë, KLGJ emëroi  ka  gjyqtarët që do të jenë anëtarët e Gjykatës së Posaçme, duke caktuar gjashtë  si të përhershëm dhe dymbëdhjetë si të përkohshëm.

Në një njoftim për mediat bëhet me dije se pas emërimit të këtyre gjyqtarëve, niste edhe  funksionimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të dymbëdhjetë gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të cilët vijon procesi i rivlerësimit kalimtar apo nuk ka ende një vendim përfundimtar për konfirmimin në detyrë”, thuhej  në njoftim.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese është aktualisht në ngërç dhe ende nuk ka konkretizim të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Reforma në Drejtësi i shënoi dy sukseset e saj të para në organet e akuzës, fillimisht me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela e më pas me ngritjen e SPAK, edhe pse do të duhet kohë që ajo të jetë në kapacitet të plotë funksional për të përballuar volumin, por edhe “nxehtësinë” e  dosjeve, ndërsa tre vjet më parë ish-ambasadori amerikan Lu fliste për peshq të mëdhenj që  do të binin në rrjetën e drejtësisë së re.

Kush bërtiste se Reforma në Drejtësi nuk po ecën përpara, apo ka ngecur, kush u përbetua se do ta bllokonte, sot ka marrë përgjigjen”, shkruante në rrjetet sociale kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndërsa e quante moment historik betimin e tetë prokurorëve dhe vetëm pak kohë më parë i druhej një pengese që mund të krijonte presidenti Meta, duke mos i thirrur për betim siç kishte ndodhur me gjyqtaren e zgjedhur automatikisht të Kushtetuteses, Arta Vorpsi. Por presidenti Meta pak kohë më parë pati një takim me kreun e KLP-së, ku i shprehi mbështetjen në procesin e  krijimit të organeve të rëndësishme të drejtësisë penale në mënyrë që të jenë sa më shpejt funksionale, duke nxitur që procedura e konstituimit të tyre të kryhej brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur, ku kreu i shtetit do të përmbushte çdo detyrim në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës.

Edhe tetë anëtarët e parë të SPAK u betuan dje para presidentit se do të respektonin së pari Kushtetutën, ligjet dhe parimet etike.

Si presidenti, i cili pas betimit iu uroi suksese në punën e tyre prokurorëve, edhe PD  që ka qenë kritike ndaj Reformës në Drejtësi duke akuzuar kryeministrin se po përpiqej ta kapte atë, do të besonte se ngritja e SPAK është një shans i ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Por panorama aktuale, megjithë optimizmin e aktorëve vendas dhe të huaj për ngritjen e strukturës, nuk është aq shpresëdhënëse ku janë vetëm tetë prokurorët që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin e niveleve të larta, ndërsa Bundestagu ngut me kushtet e tij për rezultate, të cilat lidhen drejtpërdrejt me rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, pavarësisht mbylljes së derës në vjeshtë.

Shefja e ONM-së,  Genoveva Calavera do të shprehej para disa kohësh se donte të shihte zbatimin e ligjeve dhe njerëz që shkojnë në burg. A ka nisur t’i trembë ngritja e SPAK zyrtarët e lartë, siç lajmëronte Palmer në prill kur vizitonte Shqipërinë  se kush ishte përfshirë në praktika korruptive dhe kishte shkelur besimin e qytetarëve, do të duhet të kishte frikë?

Ambasada amerikane: Në krah të Shqipërisë për sistem transparent në drejtësi

Ambasada amerikane në Tiranë doli dje  me një tjetër  deklaratë pas  krijimit të SPAK, ku shpreh pozicionin e saj krah Shqipërisë për reformën në drejtësi.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ ambasada theksoi se dje , i Ngarkuari me Punë Daniel Koski ishte aty ndërsa tetë prokurorët e rinj të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK) bënë betimin e tyre përpara Presidentit Ilir Meta.

Po ashtu ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të qëndrojnë në krah të atyre që janë angazhuar për t’i sjellë shqiptarëve sistemin etik dhe transparent të drejtësisë.

“Shtetet e Bashkuara qëndruan krah Shqipërisë kur reforma në drejtësi u miratua në 2016-ën. Ne ishim aty kur filloi procesi i vetingut dhe ndërsa themeloheshin këshilli i lartë gjyqësor dhe këshilli i lartë i prokurorisë. Edhe sot, i Ngarkuari me Punë Daniel Koski ishte aty ndërsa tetë prokurorët e rinj të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK) bënë betimin e tyre përpara Presidentit Ilir Meta. Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të qëndrojnë në krah të atyre që janë angazhuar për t’i sjellë shqiptarëve sistemin etik dhe transparent të drejtësisë që ata të gjithë meritojnë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ngritja e SPAK, PD: Shqipëria ka shans për të luftuar krimin me mbështetje qeveritare

Pas betimit para presidentit Ilir Meta të 8 prokurorëve të SPAK, vjen një reagim zyrtar nga Partia Demokratike. Përmes një deklarate selia blu ka përshëndetur fillimin e punës së SPAK-ut, ndërsa thekson se tashmë është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës së tyre.

Partia Demokratike përshëndet fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture. Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën.

Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar.

Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Partia Demokratike falenderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë deri më tani për bërjen funksionale të SPAK dhe për gatishmërinë e treguar për të vijuar mbështetjen për funksionimin e pavarur të SPAK.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Sophie Turner: Taylor Swift, mbështetja ime gjatë divorcit nga Joe

Sophie Turner është mirënjohëse që Taylor Swift e lejoi të qëndrojë në apartamentin e saj në Nju Jork pas divorcit...

Mix1 ditë më herët

Dieta e vezëve/ A duhet ta provoni për të ulur peshën?

Një nga temat me interesante në kërkimet shkencore për dietat dhe jetesën e shëndetshme është roli i vezëve dhe proteinave...

Mix1 ditë më herët

Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë të falënderojë Bes Kallakun për famën që ka, më parë nuk e njihte askush

Këngëtari i njohur Robert Berisha ka bërë së fundmi disa deklarata të forta që kanë nxitur diskutime në sferën publike,...

Radar1 ditë më herët

“Pronat publike”/ “Vjedhje me ligj!”,Lulzim Basha: Skemë e qeverisë me mafian e pronave dhe oligarkët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp foli në lidhje me ligjin e miratuar ditën e...

Radar1 ditë më herët

VIDEO/ Rama i mat kohën Vuçiçit gjatë fjalimit në Samit: Gjithmonë flet më shumë se të tjerët! Presidenti serb nuk mban dot të qeshurën

Një moment epik ka ‘shpëtuar’ nga takimi i djeshëm në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Kotor të Malit...

Mix1 ditë më herët

FOTOT: Koha për Naomi Campbell ka ngrirë që nga 1996 dhe veshja e saj është prova

Ajo që Naomi Campbell demonstroi në ‘Festivalin e Filmit në Kanë 2024’ është se si mund të bësh një pakt...

Mix2 ditë më herët

“The Line”, qyteti futurist në Arabinë Saudite: Ferr apo parajsë?

Imagjinoni dy rreshta rrokaqiejsh 500 metra të lartë (shumë më shumë se Empire State Building në Nju Jork, i cili...

Mix2 ditë më herët

Diamanti blu që mund të arrijë 50 milionë dollarë në ankand!

Diamanti më i madh blu, i zbukuruar, pa të meta, i nxjerrë ndonjëherë në ankand mund të shitet deri në...

Mix2 ditë më herët

Cilat janë markat më të mira të hoteleve luksoze në botë?!

Ka renditje të hoteleve më të mira në botë. Por një listë e re, e lëshuar nga grupi vetëm për...

Mix2 ditë më herët

Ky shtet ka më shumë nga 50 restorantet më të mira në botë se çdo vend tjetër!

Nuk do të ishit larg nëse do ta mendonit Italinë ose Francën si vendin me më shumë nga restorantet “50...

Facebook