Kryesore
Atë po ta çosh në spital psikiatrik nuk ta kthejnë më
Dikatorët janë udhëheqës të keqkuptuar ose të paktën ata mendojnë se janë të këtillë. Udhëheqësit që duan të ushtrojnë diktatin jetojnë me ankthin se nuk i kuptojnë, madje përkundrazi i ngatrërrojnë me qëllim idetë e tyre të zhvillimit, begatisë, paqes, prandaj zgjedhin udhën e diktatit që njerëzit të binden se e kanë gabim.
Diktatorët janë pothuaj gjithmonë të vetëm kundër të gjithëve, sepse ata nuk i kupton gjindja, e cila sillet shpesh një turmë mosbesuese, e cila ka dyshime, qahet, sajon, sheh dritëhije dhe në dritë të diellit dhe në fund shpall sakrilegjin e mosbesimit. Këtu të hyn në punë diktati, imponimi, i cili sjell si mekanizëm ndëshkimin.
Ja kaq e thjeshtë është.
Prandaj, ai ka të drejtë për të gjitha, ani se ne nuk e kuptojmë.
Ai për të mirën tonë mendon ta japë shtetin me PPP, por meqë ne i fusim shkopinj nën rrota na ndëshkon me Ligjin e Shpifjes.
Ai për të mirën tonë kërkon të injektojë para në ekonomi nëpërmjet ekonomisë informale të drogës, armëve, prostitucionit, kontrabandës, krimit. Por, ne meqë kjo nuk na duket e udhës, ai na ndëshkon dhe i bën banditët drejtorë, deputetë, kryetarë bashkie apo zyrtarë të lartë.
Ai për të mirën tonë kombëtare na sjell serbin në Tiranë dhe na e shpall bamirës. Po e sjell rrotull Krajlin si Muji me Halilin një herë e një kohë vaftit, por ne me Ramushin në krye vjellim vrer. Prandaj, na ndëshkon duke na shtuar në tryezën e bukës Gjukanoviqin, meqë nuk na dilte e të na tepronte Vuçiqi.
Ai për të mirën tonë del dhe takon njerëz të pastrehë nga tërmeti, familje të cunguara nga fatkeqësia dhe që t’u ngrejë humorin i vë në lojë, i përqesh, i fyen, në mënyrë që ata të harrojnë ç’ka u ka ndodhur që të merren me ç’ka i pret.
Ai për të mirën tonë nuk shkon të kurohet, se për ndryshe ne që nuk e besojmë do silleshim me të si thotë Shpëtim Idrizi: “Po ta çosh në spital psikiatrik nuk ta kthejnë më”.