Lidhu me ne

Radar

Gjithçka duhet të dini rreth dridhjes së duarve dhe të trupit!

Gjithçka duhet të dini rreth dridhjes së duarve dhe të trupit!

Pranvera Kola

Dridhja e duarve është një ndër format e shpeshta të asaj që në gjuhën mjekësore njihet ndryshe si Tremori. Ndonëse është më e shpeshtë tek duart, dridhja mund të ndodhë edhe në pjesë të tjera të trupit, si: në krahë, kokë, këmbë, etj. Për shumë njerëz kjo gjendje mund të bëhet shqetësuese duke qenë se vështirëson kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Tremori mund të shfaqet në forma të ndryshme. Në vijim, mjekja Ilda Xhelili tregon për “DITA”, se cilat janë grupmoshat më të rrezikuara nga kjo gjendje, rastet kur mund të jetë më shqetësuese, faktorët që e shkaktojnë, format se si shfaqet, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë në lehtësimin e simptomave.

Çfarë kuptojmë me tremor?

Tremori është një kontraktim (tkurrje) i pavullnetshëm, ritmik i muskujve që çon në lëvizje të një ose më shumë pjesëve të trupit. Është një çrregullim i lëvizjeve të zakonshme që prek më së shpeshti duart, por mund të prekë çdo pjesë të trupit, si: krahët, kokën, këmbët, kordat e zërit. Tremori mund të jetë me shkëputje (që ndodh në momente të ndara), ose konstant (që ndodh vazhdimisht). Gjithashtu, mund të ndodh më vete, ose të jetë pasojë e një çrregullimi tjetër.

Tek kush grupmoshë ndodh më shpesh?

Tremori është më i zakonshëm tek të moshuarit dhe tek moshat e mesme, megjithatë mund të prekë çdo moshë. Prek në mënyrë të barabartë si meshkujt, ashtu edhe femrat. Shumë njerëz që preken nga tremor ndihen në siklet dhe kanë vështirësi deri në pamundësi për kryerjen e punës dhe të detyrave të përditshme jetësore.

Cilat janë simptomat kryesore të tremorit?

Janë një sërë simptomash që mund të paralajmërojnë këtë gjendje. Konkretisht, simptoma më karakteristike është lëkundja ritmike, e cila mund të shfaqet në duar, krahë, këmbë dhe kokë. Një tjetër simptomë dalluese e tremorit është edhe dridhja e zërit, si dhe vështirësitë që pacienti mund të shfaqë në shkrim, ose vizatim. Mund të ketë edhe probleme në mbajtjen dhe kontrollin e sendeve.

Disa dridhje mund të shkaktohen ose të përkeqësohen gjatë kohës së stresit ose të emocioneve të forta, kur një person është i rraskapitur fizikisht, ose në pozicione të caktuara pune kur duhet të kryejë lëvizje të caktuara.

Çfarë e shkakton tremorin?

Në përgjithësi, dridhja shkaktohet nga probleme në pjesët e thella të trurit që kontrollojnë lëvizjet. Shumica e llojeve të dridhjes nuk ka asnjë shkak të njohur, megjithëse ekzistojnë disa forma që duket se kanë predispozitë familjare.

Dridhja mund të ndodhë edhe si simptomë më vete, ose të jetë e shoqëruar me çrregullime të tjera neurologjike siç janë sëmundja e Parkinsonit, skleroza shumëfishe, dëmtimet traumatike të trurit.

Si shkaktar të tremorit njihen gjithashtu përdorimi i medikamenteve të caktuara (medikamente të caktuara që përdoren në psikiatri dhe neurologji, ilaçe të veçanta të astmës, kafeina), abuzimi me alkoolin, helmimi me mërkur, funksioni i shtuar i tiroides, sëmundje të mëlçisë ose të veshkave, ankthi ose paniku.  Dridhja klasifikohet më së shpeshti nga pamja ose origjina e saj. Ekzistojnë më shumë se njëzetë lloje të dridhjes. Në vijim gjeni të detajuara llojet më të shpeshta të Tremorit.

Dridhja thelbësore

Dridhja thelbësore është një nga çrregullimet më të zakonshme të lëvizjes, shkaku i të cilës mbetet i panjohur. Karakteristika kryesore është një dridhje në të dy duart dhe krahët, e cila është e pranishme si në gjendje veprimi, ashtu edhe në gjendje qetësie. Kjo lloj dridhje mund të çoje në probleme me shkrimin, vizatimin, pirjen nga një gotë ose filxhan.

Emocionet dhe stresi, lodhja fizike, ulja e nivelit të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë këto lloj dridhjesh ose të rrisin ashpërsinë e tyre. Rreth 50 për qind e rasteve të dridhjes thelbësore mendohet se janë shkaktuar nga një faktor gjenetik rreziku (referuar si dridhje familjare). Fëmijët e një prindi që ka dridhje familjare kanë rrezik më të madh për të trashëguar dridhjen. Format familjare të një dridhje thelbësore shpesh shfaqen herët në jetë.

Dridhjet distonike

Një formë tjetër e dridhjeve janë dridhjet distonike. Këto shfaqen te njerëzit të cilët preken nga dystonia, një çrregullim i lëvizjes ku mesazhet e pasakta nga truri shkaktojnë atë që muskujt të jenë tepër aktiv, duke rezultuar në sjellje anormale, ose lëvizje të vazhdueshme të padëshiruara. Dridhja distonike zakonisht shfaqet tek të rriturit e moshës së re, apo të moshës së mesme dhe mund të ndikojë në çdo muskul të trupit. Kjo lloj dridhjeje shoqërohet me sjellje anormale të trupit për shkak të kontraksioneve të muskujve ose të ngërçeve. Ashpërsia e dridhjes distonike mund të zvogëlohet duke e prekur dhe mbajtur atë pjesë të trupit.

Dridhja psikogjenike

Dridhja mund të jetë e formës psikogjenike, e quajtur edhe dridhje funksionale. Simptomat e saj mund të ndryshojnë, por shpesh fillojnë menjëherë dhe mund të ndikojnë në të gjitha pjesët e trupit. Dridhja rritet në kohë stresi dhe zvogëlohet, ose zhduket gjatë shpërqendrimit. Shumë individë me dridhje psikogjene kanë një çrregullim themelor psikiatrik, si: depresion ose çrregullim stresi post-traumatik.

Dridhjet fiziologjike

Dridhjet mund të jenë edhe fiziologjike, që do të thotë se mund të ndodhë edhe tek individët e shëndetshëm. Kjo lloj dridhje rrallë është e dukshme për syrin dhe zakonisht përfshin lëkundjen e të dyja duarve dhe të gishtërinjve. Nuk konsiderohet sëmundje, por është një fenomen normal njerëzor, që është rezultat i vetive fizike në trup. Dridhja fiziologjike mund të jetë edhe e zgjeruar që do të thotë se mund të vihet re lehtësisht. Kjo mund të ndodhë nga reagimi ndaj ilaçeve të caktuara, nga përdorimi i alkooli ose kushteve mjekësore duke përfshirë këtu një tiroide tepër aktive, apo në ulje të nivelit të sheqerit në gjak. Kjo lloj dridhje është e kthyeshme pasi të korrigjohet shkaku.

Dridhjet si simptomë e sëmundjes së Parkinsonit

Dridhja më e zakonshme është ajo që shfaqet si një simptomë e sëmundjes së Parkinsonit, megjithëse jo të gjithë njerëzit që preken nga kjo sëmundje kanë dridhje. Në përgjithësi, simptomat përfshijnë lëkundje në njërën ose të të dyja duarve në gjendje qetësie. Mund të preken gjithashtu buzët, mjekra, fytyra dhe këmbët. Dridhja fillimisht mund të shfaqet vetëm

në gjymtyrë ose vetëm në një anë të trupit. Ndërsa sëmundja përparon, mund të përhapet në të dy anët e trupit. Dridhja shpesh përkeqësohet nga stresi ose emocionet e forta.

Si klasifikohet tremori?

Tremori mund të klasifikohet gjithashtu në dy kategori kryesore. Së pari, kemi dridhjen e pushimit që ndodh kur muskuli është i qetë, si për shembull në rastin kur duart i kemi vënë në prehër. Në këtë çrregullim, duart, krahët ose këmbët mund të dridhen edhe kur personi është duke pushuar. Kjo lloj dridhje shpesh vihet re tek njerëzit me sëmundjen e Parkinsonit dhe është një dridhje klasike, pasi vihen re lëvizjet rrethore të gishtit të dorës mbi gishtin tregues që i ngjajnë rrotullimit të sendeve ose numërimit të kartëmonedhave.

Së dyti kemi dridhjen e veprimit që shoqëron lëvizjen e vullnetshme të muskujve. Shumica e llojeve të dridhjes konsiderohen dridhje veprimi. Kjo mund të ndodhë për shembull kur personi i mban krahët përpara të shtrirë ose të ngritur lart, mund të ndodhë nga lëvizja e duarve lart e poshtë ose nga hapja dhe mbyllja e syve.

Cili është trajtimi për tremorin?

Edhe pse nuk ka shërim për shumicën e formave të dridhjes, shumë opsione trajtimi janë në dispozicion për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave. Në disa raste simptomat mund të jenë mjaft të buta saqë nuk kërkojnë trajtim. Gjetja e një trajtimi të duhur varet nga një diagnozë e saktë e shkakut.

Prandaj, është e rëndësishme që me shfaqjen e tremorit të paraqiteni menjëherë tek mjeku. Tremori i shkaktuar nga problemet themeloret shëndetësore ndonjëherë mund të përmirësohet, ose të eliminohet plotësisht me trajtimin e duhur. Për shembull, dridhja për shkak të aktivitetit të shtuar të tiroides do të përmirësohet madje edhe mund të zgjidhet përfundimisht me trajtimin e mosfunksionimit të tiroides.

Gjithashtu, nëse dridhja shkaktohet nga medikamente të caktuara, ndërprerja e tyre mund ta zvogëlojë ose ta eliminojë këtë dridhje. Edhe nëse nuk ka ndonjë shkak themelor të tremorit që mund të modifikohet, ekzistojnë opsione të shumta për trajtimin e dridhjeve që kanë dhënë rezultate mjaft të mira. Këto medikamente duhet të përdoren sipas këshillimit të mjekut specialist neurolog dhe pacienti duhet të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm të tij. Nëse dridhjet e vështira nuk kontrollohen nga përdorimi i medikamenteve ekzistojnë edhe metoda kirurgjikale që kanë dhënë rezultate të mira.

A janë dridhjet kërcënuese për jetën?

Tremori nuk konsiderohet gjendje e rrezikshme për jetën. Edhe pse për disa raste dridhjet janë të buta dhe nuk përbëjnë ndonjë problem, për shumë të tjerë mund të çojnë në paaftësi për veprimtarinë e përditshme.

Për shumë njerëz mund të jetë e vështirë të kryejnë veprime normale të përditshme siç janë ngrënia, larja veshja, puna. Dridhja gjithashtu mund të shkaktojë edhe “paaftësi sociale”. Njerëzit mund të kufizojnë aktivitetin e tyre fizik, udhëtimet dhe angazhimet e tyre shoqërore për të shmangur sikletin ose pasoja të tjera. Simptomat e dridhjes thelbësore zakonisht përkeqësohen me rritjen e moshës. Për më tepër, ekzistojnë të dhëna që personat me dridhje thelbësore kanë më shumë të ngjarë se mesatarja të zhvillojnë kushte të tjera neurodegjenerative, siç janë sëmundja e Parkinsonit, ose sëmundja Alzhejmerit, vecanërisht në individët dridhja e të cilëve shfaqet për herë të parë pas moshës 65 vjeç.

Në dallim nga dhimbja thelbësore, simptomat e dridhjes fiziologjike dhe të shkaktuara nga ilaçet, përgjithësisht nuk përkeqësohen me kalimin e kohës dhe shpesh mund të përmirësohen ose të eliminohen pasi të trajtohen shkaqet themelore.

Simptomat e dridhjes mund të përfshijnë:

  • Lëkundje ritmike në duar, krahë, këmbë, kokë.
  • Dridhje zëri.
  • Vështirësi në shkrim ose vizatim.
  • Probleme në mbajtjen dhe kontrollin e sendeve.
  • Vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të tjera të përditshme.
Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix6 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix6 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix6 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix6 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix6 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix6 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix6 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix6 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix6 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix6 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook