Lidhu me ne

Kryesore

Lubonja: Topalli dhe Patozi, miopë apo në shërbim të Ramës?

Edmund Burke, një nga politikanët më të njohur në historinë e Britanisë së Madhe (dhe filozof) ka lënë një thënie që vlen si mësim për të zgjedhurit dhe zgjedhësit e të gjitha kohërave: “Kur anija batohet në njërën anë, unë nxitoj të shkoj në anën tjetër të kuvertës” (për ta ekuilibruar). Mbi bazën e këtij principi jam shprehur kundër disa partive të krijuara në prag të këtyre zgjedhjeve, duke hedhur dyshimin se janë të blera nga Rama. Le të shpjegohem.Vlerësimi që i bëj personalisht situatës është se anija e demokracisë së re shqiptare është batuar si kurrë ndonjëherë që nga vitet dramatike ‘96-‘97 dhe rrezikon të mbytet. Me këtë batim kam parasysh Parlamentin dhe Drejtësinë e kontrolluar nga partia e Ramës, Policinë e politizuar prej saj, ekonominë e kontrolluar po nga kjo parti, lidhjen e saj me krimin e organizuar, zhdukjen e çdo pluralizmi dhe oponence në vendimmarrje, rritjen dramatike të kontrollit mbi mediat, ndryshimin e mjaft ligjeve themelore (si ai i zgjedhjeve) në mënyrë të njëanshme në favor të saj dhe jo vetëm kaq. Në këto kushte, nëse me demokraci kuptojmë pushtetin e popullit, pra, të të gjithëve, anija e brishtë e demokracisë sonë është batuar më një anë si kurrë më parë nga pjesa/partia e Ramës dhe rrezikon të mbytet.

Të shkosh në ekstremin tjetër të kuvertës së saj, do të thotë që instinkti politik të të çojë atje për ta shpëtuar atë nga mbytja përfundimtare. Ndërsa të ndërtosh projekte politike për të ndrequr opozitën apo të deklarosh rreziqe hipotetike me ardhjen e saj në pushtet, ndërkohë që ndodhemi përpara këtij rreziku eminent, është njëlloj sikur të kërkosh të riparosh e lyesh anijen, ndërkohë që ajo po mbytet. Gjykoj se ky është pozicioni i disa partive të reja opozitare në këtë anije.

Në fakt, mua më rezultojnë dy lloje syresh. Partitë apo lëvizjet si “Vetëvendosja” apo “Nisma Thurja”, që janë krijuar prej disa kohësh nga persona që nuk kanë qenë eksponentë të PD-së, si dhe partitë krejtësisht të reja të krijuara apo në krijim e sipër nga eksponentë të PD-së. Ka disa dallime të rëndësishme në diskurset e tyre. Në themel diskursi i të parave është kundër sistemit oligarkik kriminal, për të cilin akuzojnë partitë e vjetra dhe ofrimi i tyre si alternativë, ndërkohë që në qëndrimet e përditshme aktiviteti i tyre ka goditur kryesisht qeverisjen aktuale të Edi Ramës. Për sa i përket elektoratit, ato i drejtohen një zgjedhësi potencial që mund të jetë në zonën gri, por edhe në partitë e vjetra të të dy krahëve.

Ndërsa partitë e reja të eksponentëve të PD-së, të krijuara në prag të zgjedhjeve (edhe Bindja Demokratike e Patozit u krijua në prag të zgjedhjeve lokale) kanë një diskurs tjetër. Ato thuajse nuk e godasin sistemin oligarkik kriminal që ka lulëzuar edhe në kohën kur krijuesit e tyre kanë qenë në pushtet, por e kufizojnë diskursin në fajësimin në mënyrë të baraslarguar të liderëve të partive të vjetra që, sipas tyre, duhet të largohen pasi kanë marrë peng politikën. Po ashtu, megjithëse flasin edhe kundër Ramës, duke qenë se paraqiten si alternativë opozitare, diskursin e tyre akuzator e përqendrojnë te lideri i PD-së, Lulzim Basha, që sipas tyre është “humbës”, “i korruptuar” dhe “jodemokrat”. Mesazhi i tyre qartazi u drejtohet kryesisht zgjedhësve demokratë që, sipas tyre, nuk e gjejnë më veten tek ajo parti (dhe më pak zonës gri) duke u thënë: nëse doni të fitoni, duhet të votoni për ne.

Duke iu kthyer metaforës së Burkes, në ç’pozicion të kuvertës të anijes së batuar rrezikshëm mund t’i vendosim dy llojet e partive të sipërpërmendura?

Duke pasur parasysh se Vetëvendosja e Nisma Thurja duket se janë shmangur nga zgjedhjet dhe deri tani kanë mbajtur qëndrime kryesisht kundër Ramës mund të konsiderohet se elektorati potencial i tyre ose do të presë të hyjë në lojën në një moment tjetër ose do të votojë opozitën. Duke përdorur metaforën e anijes së batuar, do të thosha se pozicioni i tyre është midis qendrës dhe ekstremit ku ndodhet opozita, PD dhe LSI. Pra, se ato do të ndikojnë sidokudo për ‘zhbatimin’ e anijes, edhe pse do ta mbajnë një pjesë të elektoratit gri pa votuar nëse nuk do ta orientojnë votën e tyre me thirrje para zgjedhjeve.

Nuk kanë të njëjtin pozicion partitë e ish eksponentëve të PD-së ose koalicioni i mundshëm i tyre, përkundrazi. Me pretendimin e baraslargimit nga dy të këqija, për sa i përket çështjes themelore të këtyre zgjedhjeve, rrezikut të demokracisë, ato e kanë vendosur veten në qendër të anijes. Kuptohet se ky pozicion, kombinuar me faktin se ata qartazi synojnë tërheqjen në qendër të votuesve të opozitës – dhe jo ata të Ramës – e dobëson kundërpeshën duke e lehtësuar mbytjen. Pra kjo vendosje, në rastin më të mirë është miopi – sepse një fitore e tretë e Ramës do të ishte mbytje e çdo mundësie të realizimit të çfarëdo projekti tjetër përveç atij autoritarist të Ramës – dhe në rastin më të keq vënie në shërbim të tij për arsye mërish apo interesash personale.

Në fakt, kjo e dyta nuk përbën ndonjë çudi, përkundrazi është rregull. Në Shqipëri, ende nuk ka lindur lloji i politikanit që i vënë përpara dilemës interesi i vendit – interesi im, të zgjedhë interesin e vendit. Dikush mund të më ironizojë në këtë pikë duke më thënë se paskam përjashtuar nga ky rregull Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Absolutisht jo! Me në krye Sali Berishën, që themeluesit e partive të reja vazhdojnë ta adhurojnë, të gjithë liderët shqiptarë të këtyre 30 vjetëve, partiakë apo kombëtarë, në shembullin e paraardhësve të tyre, kanë treguar se kur interesat e tyre kanë shkuar kundër interesave të vendit, ata nuk kanë hezituar të zgjedhin interesat e tyre. Ajo që mund të them për Bashën dhe Metën në këtë moment është se interesat e tyre për t’i marrë pushtetin Ramës janë në një kah me interesat e vendit, pasi mund të ekuilibrojnë batimin e frikshëm që ka shkaktuar Rama. Por pa harruar të shtoj dy gjëra. Së pari, se nëse kemi ardhur deri në këtë pikë është sepse edhe ata janë sjellë sipas rregullit të mbrapshtë që përmenda. Së dyti, se ky rregull po ndikon që ata të mos angazhohen si dhe sa duhet për të krijuar një front të përbashkët për të shpëtuar nga mbytja anijen e demokracisë shqiptare.

Thënë këto, po e mbyll duke shtuar se ky shkrim është edhe një thirrje direkte për ta – dhe për të gjitha partitë e reja – se po nuk vepruan sipas mësimit që na jep Burke nesër do të jetë vonë për të gjithë; anija do të mbytet dhe nxjerrja mbi ujë e saj një ditë, s’dihet se kur, do të ketë një kosto shumë shumë më të lartë për të gjithë. /panorama/

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore4 ditë më herët

Pasarelë-protesta: shto ujë e shto miell, e ka humbur fillin.

Bilbil Beqiri Pasarelë-protesta: shto ujë e shto miell, e ka humbur fillin. Të kritikosh protestën në këtë moment duket pothuajse...

Kryesore2 muaj më herët

Ish Sekretari Blinken: U qëndroj plotësisht sanksioneve ndaj Berishës, ato tregojnë fajet e tij, jo të SHBA

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është pyetur gjatë një bashkëbisedimi “Harvard Institute of Politics”, për shpalljen “non grata” të...

Kryesore5 muaj më herët

Rama: Paga mesatare 833 euro, në janar rroga minimale do të jetë 500 euro. Ja sa do të rriten pensionet sipas kategorive

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët foli për një rritje ekonomike pozitive. Ai u ndal tek rritja...

Kryesore7 muaj më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike7 muaj më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar7 muaj më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore7 muaj më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar7 muaj më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar7 muaj më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal7 muaj më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Facebook