Lidhu me ne

Temporal

REPORTAZH-Puka magjike / “Zvicra e vogël” e Alpeve shqiptare

Në këtë reportazh po ndalemi në qytetin verior, Pukë. Vetëm vitet e fundit emri i këtij qyteti ka nisur të përmendet në media sa i përket turizmit. Kjo për shkak të ndryshimeve që Puka ka pësuar.

Në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër duhet të ndalësh në Kryebushat, 10 minuta pa mbërritur në Shkodër, për t’u kthyer në të djathtë, ku deri në Pukë duhet të udhëtosh për rreth 70 minuta.

Panorama që të ofrohet sapo kalon Vau-Dejës është e mahnitshme, pisha dhe livadhe ngado.

Është vetëm 138 kilometër larg nga Tirana. E transformuar nga themelet, Puka është shndërruar në një destinacion të ri turistik. Dhe jo vetëm për qytetin.

Shpellat e famshme jo larg saj, majat e maleve dhe shtigjet, hanet dhe ushqimi i mirë, uji dhe ajri i pastër janë arsye që të drejtojnë me kënaqësi drejt verilindjes.

Është surprizues qyteti që të shfaqet para syve pas një rruge gjarpëruese mes pishash, pemësh të larta dhe natyre që pret të shpërthejë në gjelbërim nga çasti në çast.

Për ata që nuk kanë qenë kurrë, ose të tjerë që nuk e kanë shkelur atë zonë prej vitesh, me siguri që do të mbeten pa fjalë prej qytezës së vogël alpine të Pukës.

E shquar gjithmonë për pastërti, për ajër të pastër e ujë të shëndetshëm, tani Pukës i është shtuar edhe dora e ndryshimeve që e ka transformuar rrënjësisht duke e kthyer në një destinacion të ri turistik. Sapo hyn në qytet e para që të uron mirseardhjen është pedonalja.

Pak gjurmë e së shkuarës nuk ka mbetur në qytetin e famshëm për ajrin, mikëpritjen dhe ushqimin bio.

Transformimi i kryer për kualifikimin urban të sheshit para bashkisë, ish-hotel turizmit, pedonalen dhe hapësirat përreth, fasadat dhe çatitë e rikonstruktuara, dhe projekte të tjera të zbatuara tashmë, kanë filluar t’i japin rezultatet e para: dy vite më parë është shënuar rekord turistësh në këtë qytet por edhe gjatë vitit të pandemisë kur janë lejuar lëvizjet shqiptarët kanë zgjedhur edhe Pukën si një vend për ta vizituar.

Gjatë festave të fundvitit, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, Puka u kthye në një destinacion të preferuar edhe për vizitorët vendas, sidomos ata të një dite, që shijonin bukuritë e mbuluara nga bora, liqenin që duket sikur natyra e ka krijuar sapo, kurorën e pyjeve përreth qytetit, mikëpritjen e ushqimin, që e shndërrojnë qytezën e vogël, 838 metër mbi nivelin e detit, në një vend unik për të kaluar fundjavën.

“Janë më shumë se 80 projekte të zbatuara që e kanë shndërruar Pukën në këtë që është sot”, thotë kryetari i Bashkisë Gjon Gjonaj, ndërsa tregon ndryshimet e kryera.

“Nuk flitet vetëm për lyerje dhe fasada, është një ndryshim rrënjësor që ka prekur jetën dhe mirëqenien e banorëve të qytetit, plot 30 vjet pasi Puka ishte lënë në harresë të plotë”.

Në fakt edhe për atë që nuk ka qenë asnjëherë aty, nuk është e vështirë të dallojë shkëlqimin e një qyteti të gjallëruar nga e para.

Liqeni artificial i Pukës, i kthyer tashmë në një destinacion turistik, ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Rivitalizimi i liqenit, i harmonizuar dhe me parkun e lojrave të aventurës këtë vere e kanë kthyer Pukën në destinacion të preferuar të turistëve të huaj dhe shqiptar.

Puka këtë sezon veror do të jetë në krye të listës së ofertave të turizmit malor që ofron Shqipëria.

Nëse deri para pak kohësh kemi dëgjuar të flitet për hanet që kanë filluar të zhvillohen, të presin e përcjellin vizitorë me shumicë, për birrën e famshme Puka që mund të shijohet edhe në Tiranë e jo vetëm, këto kohët e fundit Puka është bërë e famshme edhe për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar në pamje e në brendësi.

Vitet e fundit qyteti është rigjalleruar duke ndryshuar pamjen pothuajse 70% e objekteve egzistuese, rigjenerimi i parkut të rezervuarit të qytetit dhe kjo ka sjellë një impakt pozitiv në rritjen e turizmit. Puka tashmë me të drejtë ka marrë emrin e qytetit alpin në veriu të Shqipërisë.

Me krijimin e Qendrës së Turizmit dhe Zhvillimit Rural, një investim unikal për mbar vendin, e cila i vjen në ndihmë, jo vetëm turizmit në tërësi, por do të shërbejë edhe si një qendër e formimit professional për guidat turistike.

Bujtinave të zonës i shtohen dhe 10 të tjera, fal një projekti të bashkisë për mbështetjen e disa familjeve që kanë adaptuar shtëpitë e tyre në bujtina për pritjen e turistëve.

Një vit më parë Puka priti 6000 turistë vendas dhe të huaj duke u renditur kështu ndër zonat më të vizituara të veriut shqiptar.

Disa pamje mahnitëse janë realizuar në ditët e para të këtij nga kjo zonë e bukur malore e Shqipërisë, që mund të konsiderohet edhe si një Zvicër e vogël. Bora zbukuroi qytetin duke krijuar disa pamje të rralla.

Puka mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Po ashtu Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit.

Falë natyrës dhe relievit që ka, hanet e Pukës ofrojnë gatime tradicionale të zonës si: fli dhe tave dheu, mish në gaca, qumësht, bulmet, mjaltë, vezë fshati, kërpudha, reçel nga më të ndryshmit si reçel kumbulle, fiku, molle etj.

Fruta të thata dhe tre lloje salcash. Personeli i haneve është i specializuar, të orienton dhe të ndihmon që ta organizosh ditën sa më mirë me aktivitete si shëtitje në pyll, gjueti, shëtitje me varkë, në dimër rrëshqitje me ski etj.

Kush shkon në Pukë një herë, ka dëshirë që të mos e lërë me aq, pasi do që të shkojë gjithmonë.

Resurset e saj turistike janë të shumta dhe nuk mund të shfrytëzohen në pak kohë. Psh, qyteti të mban më shumë se një ditë, por po të shkosh në mal, do ditë të tëra të eksplorosh shpellat. Janë 85 të tilla.

Një ditë e do me Shpellën e Kaurit, nga më të mëdhatë, më të bukurat dhe më enigmatiket në Shqipëri. Shpella  e  Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme.

Por edhe më pas, për periudhën bizantine ka gjurmë jete, me mure të ndërtuar në shekullin VII-VIII të erës sonë.

Natyrisht kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Shumë pranë kësaj shpelle ka kaluar dikur rruga që lidhte Shkodrën me  Prizrenin.

Nuk ka qenë vetëm ekzotika, por edhe bukuritë e rralla, që kanë çuar në Pukë, në zemër të Malësisë së Veriut, udhëtarë të huaj si Nopça, Edit Durham, Rose Lain, por edhe shumë shkodranë gjatë shekullit të kaluar etj.

Dhe më pas, megjithëse komunizmi e zhveshi me sharrat e famshme, përsëri një kujtim, një relikte, një copë Puke a Fushë Arrësi e gjen në çdo objekt apo shtëpi në Shqipëri në formën e kapriatave, tavanëve e dyshemeve prej dërrase pishe apo në formën e mobilieve prej druri ahu.

Por Puka është më shumë se aq.

Ajo është atje, e me të gjitha, me bjeshkë të larta, me pllaja e lugina si piktura të gjalla, me pyje e burime pa një të dytë, kur thoshte Lasgush Poradeci, me shpella e pista skish, me një qytet të vogël malor të pastër, me njerëz mikëpritës dhe zemër bardhë, me dy muzeume me vlera të rralla, siç është muzeu i Migjenit dhe Muzeu Etnografik, me ato kishat katolike, njëra me bukur se tjetra,.

Puka është atraktive për turizmin, ajo do dëshirë, pasion, vlerësim dhe patjetër para dhe investime në infrastrukturë. Të tjerat vijnë vetë.

Këtu ka vend për turistët aventurierë të udhëtimeve dhe eksplorimeve, turistëve të malit, por edhe të ujit, të historisë dhe legjendave, por edhe atyre që duan të zgjerojnë mushkëritë dhe të përmirësojnë metabolizmin me aromën e pishave dhe klimën malore.

Qyteti i Pukës ndodhet në veri të Shqipërisë në një lartësi prej 838 metrash mbi nivelin e detit, duke përbërë një prej qyteteve më të lartë të vendit. Pranë qytetit ndodhen pika malore me mundësi për zhvillimin e këtij lloji turizmi. Ka një popullsi prej 6000 banorësh.

Qyteti shquhet për ajrin e pastër duke qenë se rrethohet edhe nga një pyll pishash prej 400 hektarësh. Pranë qytetit ka dhe një pistë natyrore ku mund të ushtrohen rrëshqitjet me ski. Gjithashtu ajo shërben si një bazë e mirë për ushtrimin e alpinizmit në malin e Munelles dhe në bjeshkët e Tërbunit.

Galeri1 / 23
 

MË TEPËR

Mix6 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix6 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix6 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix6 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix6 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix6 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix6 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix6 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix6 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix6 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook