Lidhu me ne

Letersi

Poezi nga Petrit Ruka

Krijimtari nga Petrit Ruka

KËNGË PËR GRUAN

– gruas së jetës, Zhanit –

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë: “epo mirë!”
dhe prapë jemi puthur ashtu… si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur: “s’të dua”,
kemi pështyrë mbi proverbin se qenkëshim mish e thua,
kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë,
kemi thënë një mijë herë: “u mbush kupa dhe pikë”!

Pastaj jemi përqafuar: “epo unë isha në gjumë,“
jam futur në mishin tënd siç futet shkretëtirës një lumë,
jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
kemi ndarë dyshekun me vijë, ah, vijë e florinjtë,
po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
me dredhi ballkanike që as OKB s’i ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar,
mos pushofsh kurrë, moj luftë, qofsh e bekuar!

NËNA FOTO NUK KA

Nëna foto nuk ka veç të pasaportës

që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.

Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin

për robërit e tij

deri lart në mal…

Ja të rris dhe këtë fëmijë

unë e mjera,

Sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra.

Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane

Qyteti më tej katër kilometra…

Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat

i kishin zbritur hartën e Shqipërisë

nga balli tek mjekra,

po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;

“Ç’e dua një foto tani… unë e zeza?!”

E u nis një ditë pa foto për Andej,

ku nuk bëhen dot shkrepje

në errësirën e Hadit.

Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,

ta filmoja të plotë ironinë e fatit…

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër

dhe kroi i fshatit

të bukurës sime,

po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,

i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…

Një aparat dymijë euro

tani mbaj në studio

dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,

mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto

një foto nga ato që bota s’ka parë…

BABA, NE IKËM

(shkruar kur nga fshati iku dhe i fundit…)

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,

një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,

dhe foton tënde nga muret e zbritëm,

si kyç një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,

në metropole që mblidhen si punë e iriqëve,

(e ke parasysh kur e vjelin një pemë

dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)

U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,

e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,

gati gjithçka në dyqane luksoze,

dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën…

Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,

të dielën të takojmë në xhamin vizual,

me mend i vemë lulet, dy lot, një cigare,

jetojmë me simbole,… në një botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,

tani gjithçka e mbajmë në një kuti,

kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,

në xhamin e tij takon çdo njeri..

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,

puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,

dhe nënën e qan nga mijëra kilometra

tek e fusin në varr, me video – konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,

këtu lart u ndamë për jetë e për mot,

s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,

qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,

nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,

një kohë arixhinjsh jeton sot bota,

ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…

ËNDËRR ME NUSE

Do të të gjej një nuse, tha gruaja ime,

u plake, o i shkretë

dhe unë u plaka,

të duhet kujdes,

pa shih si je mbledhur

si iriqi i mrrolur nën cfaka*.

Dhe ec e ec të dy nëpër ëndërr,

një ëndërr e gjatë,

mesnatë e mëngjes…

Unë i gëzuar, doemos si çdo dhëndër,

ajo e gëzuar si mblesë.

Në Tepelenë më çoi,

aty tek linda,

«Uh, me një labe,… kjo prapë!”

Jorganin me këmbë tutje e shtyva

ik, moj ëndërr me vapë!

Dhe hyjmë në gjimnazin, ku erdha riosh,

në një nga klasat,

ku jepja mësim,

“pa shihe atë vajzën në bankën e  tretë,

sa kripë i ka kurmi që ndrin…”

Unë buzët lëpij dhe bie në mëkat,

(nga ta di në një ëndërr

që dreqin jam plak?”)

Po ç’desha që u “zgjova,”

më marrtë një lumë,

as ëndrrën se kam hak?

Po kjo je ti, thashë i habitur,

që gjumin ma mbushi dikur me driza,

kur shkumën e gjakut

kënaqësia ma frynte,

sa më zgjidhej kërthiza…

Kur me bukurinë e rrallë

dhe eshtrat m’i ktheve

në fyej që qanin si brymë,

ti shkolla ime e parë e vjershërimit

Akademia me frymë…

-Po pse, ç’kujtove, do të jepja një tjetër,

tani që u plake,

je bërë një dorë,

shiko sa nuse të bukur të gjeta,

sa gjaku në borë.

-Pse si të lënkam në duar të një tjetre,

kur nazet s’ ti di…

e më vdes,

të ta pijë atë çikëz shpirti të mbetur

si një pikël me vesë…

-Ç’të them, ç’të them,

as zgjuar, as ëndërr ?

– Çdo thuash, poet i pabesë?

Tërë jetën ke dashur të jesh një dhëndër

në dasmë të zezë…

Tani që nusen ta gjeta, (pa fli!)

Dhe prit të të mbuloj,

se ngricë është jashtë,

Me mendje kullot se kujt i prish punë

ti kau plak,… në kashtë…

cfaka*= sherebel

Varrimet e Naim Frashërit

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria

Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,

çdo herë e më të lehta eshtrat e holla

gjithmonë e më i madh varri.

Gjithmonë e më i vogël arkivoli

a thua se varrosnin një violinë,

Ti fat i Shqipërisë që u ngrite si i marri

Kur kombi ish me një këmbë në greminë

Gatitu para eshtrave të tua një Mbret,

Jakomoni me stemat e arta fashiste,

Në rresht e gjitha me grushtin përpjetë

Byroja e ngjeshur komuniste.

Të gjithë kërkonin nga ty pak lavdi

Po ti atë me kohë e kishe dhënë,

Kur Shqipëria firasej si hëna nën mjegull

Ti thirre i pari: Zgjohu, moj Nënë!

Dhe ashtu si Krishti që ngriti Llazarin

Ti Atdheun e zgjove nga hashashi osman,

i vetëm kaq gjë mund ta bënte veç Zoti

dhe ti grimca e tij, fati ynë naimian.

Nën furrën e ballit sa gjysmë e Tomorit

shqipen e shkrive dhe e derdhe si ar,

një nga një me ujin e lumenjve të kulluar

na pagëzove e na dhe emrin shqip-ë-tar

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria

Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,

Të gjashtin e të fundit sa shumë do ta desha

Në Frashër,…si Meka e çdo udhëtari…

Zbathur, në këmbë unë rrugën do ta bëja,

mbi sup si violinë t’i mbaja ato eshtra,

I dehur nga besimi se aty nëpër shekuj

Shqipëria do të derdhet nëpër mijëra rreshta…

Tiranë, 25 maj 2019, datëlindja e Poetit Kombëtar Naim Frashëri.

Shënim sqarues mbi pesë varrimet e poetit:

Poeti  ynë kombëtar Naim Frashëri vdiq në 25 maj të vitit 1900 dhe u varros në Merdiven-Koj pranë  një teqeje të vogël në Stamboll.

Varrimi i tij i dytë u bë më 3 qershor 1937 në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë me rastin e festimit të 25 vjetorit të Pavarësisë në një ceremoni madhështore të shtetit shqiptar dhe me interesimin e vet Mbretit Zog, i cili mori përsipër personalisht shpenzimet e sjelljes së eshtrave të tij prej Turqisë.

Varrimi i tretë u bë  në 9 prill 1940, nën pushtimin fashist italian, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së tij, nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit italian, Viktor Emanueli III për Shqipërinë) sërish në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, por në një varr të ri monumental të ideuar dhe financuar nga Jakomoni. Mbi mermer u vendos ky shënim: “Dhuratë e Shkëlqesisë së tij, Mëkëmbësit të Përgjithshëm,  Françesko Jakomoni.”

Varrimi i katërt, u bë në 20 prill 1950 nga qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, në qendër të Tiranës aty ku janë ende sot tre bustet e vëllezërve Frashëri.

Varrimi i pestë  u krye në Tiranë më 10 qershor 1978 në kuadrin e festimeve madhështore për 100 vjetorin e krijimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Nga sheshi “Skënderbej” të vendosur në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Naim e Abdyl Frashëri të shoqëruar nga mijëra e mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë, (përfshi sekretarin e KQ të PPSH, Enver Hoxha e gjithë Byronë politike), u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin e Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin.

Varrimi i gjashtë… është një dëshirë hipotetike e imja, (!) që Poeti Kombëtar dikur do te duhet të prehet përfundimisht një ditë aty ku lindi, në Frashër të Përmetit, duke e kthyer këtë fshat të shenjtë të Shqipërisë në një lloj Meke të shqiptarizmit…

Petrit RUKA

Rezerve

Atdheu fillon tek zemrat…

Ka një tokë që quhet e shtrenjtë,
që quhet dheu i nënës
që quhet dheu i atit
kufinjtë e tij kalojnë tek zemra jonë
pagëzuar shekujve
me lumin e gjakut.

Atdheu nuk është harta e murit,
Me madhësinë e saj,
Gradët, kilometrat,
Hartës i mungojnë shokët, të rënët, babai,
Këngët dhe legjendat.

Atdheu fillon tek zemrat tona,
Kufijtë e tij kalojnë tek shpirti ynë,
Ja, shtrij në një vijë të drejtë kapilarët,
Venat, aortat,
Dhe ke matur të gjithë kufijtë.

Atdheu është tek këngat tona,
Hapi ato si harta të gjesh malet, fushat,
Të gjesh çdo pëllëmbë të dheut e të qiellit,…i

Atdheu është më i madh
i gjerë, i papeshueshëm si erërat,
atë dinë ta masin e ta peshojnë
vetëm zemrat.

Ja shumëzo rruazat e gjakut tënd
Me kokrrizat e dheut,
Dhe trupi të bëhet,
Harta e Atdheut.

Atdheu fillon tek zemrat…

1983

Pak dhembje zemra le ta ketë.

– kujtimit të Motrës –

Pa bie një mall më dredh në zemër,
Se paç një Motër që më iku,
Sa zë me të e luaj në ëndërr,
Më zë një vesë, laget qerpiku.

Si në një lojë me mbyllje sysh,
Diku u fsheh dhe më s’u gjet…
Oh, sa herë shoh shoqet e saj
Një dhembje çan si thikë e mprehtë.

Më mori malli, Motër xhani,
Ti ç’bën akoma, eja pak,
Të shohësh se si çeli mani,
Se si qershia u përflak.

Të shkojmë atje mes malesh tutje,
Ku ti më thoshje se është deti,
Ku është një peshk i madh, i kuq,
Sa një pallat i madh qyteti.

Ç’e doje detin aq shumë, Motër,
Ç’ia kishe kaltërsinë në sy,
Dhe unë sa herë tek deti shkoj
Pak det me vete marr për ty.

Po ti më ike, shoqe e bukur,
Moj leshraverdha, dritë e hënës,
Ti jetëshkurtra sa një flutur,
U bëre rrudhë në ballë të nënë

Ka zënë kjo dhembja të më meket,-
Tretet, shuhet…po a ka fund,
Se malli ende trazon degët,
Si bli i gjelbër degët tund.

Po ndoshta unë vetë nuk dua,…
Pak dhembje zemra le ta ketë,
Se pa atë, Motër moj,
Çdo ishim vallë në këtë jetë?!..

Tepelenë, 1979

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook