Lidhu me ne

Kryesore

Kur Artan Lame fliste për vdekjen, pasi i shpëtoi një herë: Askush s’e kupton derisa vjen ajo sekonda që t’i merr të gjitha

Kur Artan Lame fliste për vdekjen, pasi i shpëtoi një herë:

Artan Lame është ndarë papritur nga jeta, pas një ndërhyrje në zemër.

Edhe 8 vite më parë, ai për pak u largua nga jeta, pas një operacioni të vështirë pikërisht në zemër.

Lame kishte treguar përballjen me vdekjen dhe se si ndryshoi jeta e tij atëhere, pas operacionit në zemër.

“Pas provës me shëndetin, të gjithë menduan se nuk do të rikthehesha më fare, por u riktheva. Një nga pasojat që më la semundja ishte që më bëri të humbas frikën nga vdekja. Realisht e kam humbur edhe pse mund të ndodhë çdo gjë. Mendova se pas asaj që kalova do bëhesha më i qetë, por jam bërë më përshpejtues.

E llogaris më tepër vlerën e çdo momenti që kaloj dhe që humbas. Dy-tre media kishin bërë gati shkrimin për vdekjen time, për ta do ishte një gjë normale, bëje gati se nuk i dihet…por tashmë është një histori e kaluar”, tha Lame në një intervistë.

Ndërsa në një shënim të gjatë dy vite më parë, ai tregonte eksperiencën e tij.

Shënimi i Lames:

KTHIM, VI

Sot bëj 6 vjet që u nisa të shkoj nga s’vihet më, e më ktheu udhës i Gjithëfuqishmi që na ka në dorë të gjithëve, e s’di pse e ç’gjë kish në mëndje që më ktheu. Dhe si çdo vit në këtë ditë, më lini të përpiqem të kuptoj e t’u them diçka.

Dëgjoni pra! Ai është një ndër ata që në gjuhën e sotme i quajmë rëndom oligarkë. Është rreth të gjashtëdhjetave. Përpara përmbysjes së vitit ’90 bënte tjetër punë. Pastaj ndërroi zanat, filloi të merrej me tregëti, më pas me ndërtime ku edhe bëri pasuritë e tij, vit pas viti e qeveri pas qeverie.

Puna më ka lidhur me të që në vitet e Bashkisë së Tiranës, më pas në Ministrinë e Ndërtimit e tani në Kadastër. Gjithnjë i qetë, ngulmues në hallin e vet, asnjëherë nuk merret me biseda jashtë tullave, pronave dhe çmimit të ndërtimeve.

Sot ka e ç’nuk ka, sa as vetë nuk i di sa ka. Nuk ka vetëm një gjë, shëndetin. Sapo ka kaluar sëmundje zemre, hall i gjithë shqiptarëve, ka kaluar edhe problem stomaku, edhe ky hall i shumicës së shqiptarëve, me siguri vuan edhe nga koliti dhe, nga mënyra se si lëviz, ndoshta edhe nga artriti. Si për t’u vënë kapak të gjithave kovidin e kaloi rëndshëm dhe i la pasoja në mushkëri.

Me telefonon dhe kërkon të më takojë. I them të vijë kur të dojë dhe i le takim në zyrë. Atë pasdite arrin me makinën e tij të stërmadhe të zezë që i duhet gati një minutë për t’u futur në oborrin e ngushtë të Kadastrës. Zbret dhe i duhen edhe disa minuta të tjera të bëjë ato pak metra nga porta deri tek zyra ime. Hyn, është i zbehtë dhe i zverdhur në fytyrë. Edhe i parruar prej ditësh. Megjithëse e ka kaluar kovidin, ka frikë. Mban maskë dhe nuk më jep dorën. Ulet me vështirësi në kanapenë aspak të rehatshme të zyrës dhe merr frymë me zor. Ka veshur tuta dhe sipër tyre një xhup, pasi sëmudja, më saktë sëmundjet nuk e lenë të kujdeset për luk-un.

Pas si je si s’je, sëmundjet, shtëpia, zyra, që vazhdojnë nja 10 minuta (jo se themi shumë gjëra por se mezi flet), kalon tek halli. Është në konflikt prone me dikë tjetër. Nuk arrijnë të merren vesh për një problem që ka filluar që përpara 14 vjetësh. Dikur kanë qenë ortakë në ndërtime, ndërsa tani janë prishur e bërë lëmsh. Kanë bërë gjyqe, seanca sa s’mbahen mend, gjykatë fakti, pastaj apel, pastaj gjykatë të lartë, pastaj padi, kundërpadi, sekuestro, sigurim padije, bllokime, avokatë, noterë, dëshmi, pastaj prapë padi e prapë e prapë. Kanë 14 vjet që nuk arrijnë të bien dakord për përqindjet e ndarjes së një cope toke ku do të duhet të ndërtohet më pas një pallat.

Ai flet e flet më tregon për takimet që ka bërë me punonjësit e hipotekës ndër vite, për bllokimet, çbllokimet, kartelat e pasurisë, o zot sa e gjatë.

Ndërsa e dëgjoj ngadalë duke marrë frymë me gërvishtje çdo 3 – 4 fjalë, mejtoj me vete. Ka miliona – jo, miliarda – ka prona pa fund, ka pallate në ndërtim, e të tjera të ndërtuara e të pashitura, e të tjera të ndërtuara të shitura a të dhëna me qera, ka troje ku po bën plane të bëjë pallate të tjera, ka vila në bregdet në Lalëz, në Golem e në Dhërmi, ka impiante prodhimi dhe makina luksi, ka qindra punëtorë dhe dhjetra llogari bankare, ka një television dhe një radio të vetën, ka përqindje nëpër banka dhe në shoqëri sigurimi. Po ç’dreqin i do ato 8% të asaj cope terreni midis dy pallateve në Durrës, ku do që të ndërtojë pallatin e radhës që as që do t’i bjerë radha të shkojë ta shohë, po thjesht do ju nxijë jetën edhe ca banorëve të tjerë!!!

Mund të shohë një film, të shkojë në një koncert, të vejë në piknik, në pyll, në Dajt të dalë për shëtitje në bregdet, të shohë një film, të merret me një hobi, të pijë një cigare i qetë në verandën e vilës në Farkë, të bëjë çdo gjë të bukur të kësaj bote, por jo. Hiqet zvarrë zyrë më zyrë për të marrë 12% sa ç’pretendon, jo 8% sa ç’i jep ai tjetri. Në fund ikën nga zyra zvarrë zvarrë, duke e mbajtur për krahu shoferi i tij. I premtoj ta ndjek problemin dhe në fakt e verifikojmë me specialitët tanë, por nuk ka rrugëzgjidhje pa gjyq.

Mos u merrni me emrin e tij. Janë të shumtë si ai. Oligarkë e oligarke që i kanë të gjitha dhe nuk ngopen me gjithshka.

Kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Nuk e dinë që do vdesin. Po, po, të kuptosh që do vdesësh një ditë nuk është e lehtë, paçka se na duket se e dimë të gjithë. Kjo gjë është një prej bindjeve të mëdha të feve monoteiste dhe që kanë bërë të pamundurën të na i bëjnë me dije.

Përgjithësisht fetë kanë qëndruar në anën e vlerave shpirtërore, kundër parasë. Krishtërimi e filloi egzistencën e vet me përzënien e tregëtarëve nga Tempulli; ndërsa të dy besimet e mëdha, edhe krishtërimi edhe islami, e dënojnë pa kusht fajdenë. Pa prajtun pasunarit i kujtohej se një ditë do vdesë; se çfarëdo që të bëjë, më shumë se 2 metra dhé nuk merr dot me vete; çdo javë në meshën e të djelës apo në faljen e të xhumasë, i kujtohej vdekja me imazhet e saj; ritualisht pa prerë ditë pas dite, javë pas jave, ëngjej parajse e djaj skëterre, kafka e kocka të kryqëzuara, varreza që rrethojnë kishën e xhaminë, ngado imazhe të vdekjes në vendin e faljes. Të gjitha për një qëllim, për t’i kujtuar njeriut fundin e pashmangshëm, e kështu për ta frenuar në grykësinë e vet, në babëzinë njerëzore.

Ne shqiptarëve, këtë gjysmë-shekullin e fundit, edhe feja na mungoi. Feja si burim vlerash e zuri bjerrjen që me triumfin e ideologjisë ateiste më 1944, për t’u fshirë pa nam e pa nishan përfundimisht pas vitit 1967 deri më 1990. Brezat e shqiptarëve të asaj periudhe, janë lindur e rritur pa këtë çekan që ju rri mbi kokë e që i bën të kuptojnë realisht se çfarë është vdekja, e sa pranë nesh është ajo në çdo hap. U rritën jo thjesht pa frikë perëndie, por edhe pa kuptimin real të vdekjes. Kjo i ka bërë që psikologjikisht të mos e kuptojnë se një ditë do vdesin e do ikin nga kjo botë dhe kjo i bën të luftojnë qenërisht dhe thonjërisht për çdo gjë, sikur do ta kenë përgjithmonë.

Kjo e bënte të luftonte edhe atë oligarkun që, i kërrusur e duke marrë frymë me zor, zbriste shkallët e mia në të ftohtë. Eshtë rritur e formuar në kohën e shkretëtirës fetare të Shqipërisë së viteve ‘70-’80. Eshtë mendërisht i paaftë të kuptojë se mund të vdesë edhe nesër dhe do ikë pa mundur të kuptojë se ç’do të thotë që ti nesër të mos jesh, ndërsa bota të vijojë të gëzojë njësoj edhe pa ty. Dhe të gjitha ato që ka sot, pará, prona, vila, pallate, makina, firma, terrene, brenda një sekonde nuk do jenë më të tijat. Eshtë e kotë t’ia shpjegoj. Nuk do ta kuptojë kurrë, as ai e as shumë të tjerë e të tjera si ai. Do vijojnë të shtrijnë kthetrat mbi gjithshka, derisa t’ju vijë ajo sekonda që do t’ua marrë të gjitha. Në atë sekondë do të kuptojnë se kanë shpenzuar më kot gjithë jetën për të mbledhur ato që nuk i marrin dot me vete, por kjo do të shërbejë vetëm që edhe të ikin me maraz nga kjo botë.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

Bushati ia thotë në sy Berishës: Në Tiranë krimi s’ka ndikim dhe ju humbët thellë. Saliu: Komisionerët tanë i shitën zgjedhjet, se iu ikte koka

Sali Berisha, i ftuar në Syri Tv, iu përgjigj gazetarit Andi Bushati, i cili tha se pse u dorëzuan komisionerët...

Sport2 javë më herët

VIDEO: Kamionisti publikon pamjet e para pas aksidentit tronditës të Diogo Jota

Një kamionist ka filmuar makinën e tipit Lamborghini të portugezit Diogo Jota pak minuta pas aksidentit të mesnatës, teksa automjeti...

Radar2 javë më herët

Ish-kryeministri izraelit: Të ndalet lufta në Gaza, njerëzit po vriten në radhë për bukë

Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, i njohur për qëndrimin e tij dialogues dhe për bashkëpunimin me intelektualë palestinezë si Sari Nusseibeh,...

Mix2 javë më herët

Elena Ferrante: Mos përgojoni gratë

Përktheu: Loreta Bërhami Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh:...

Mix2 javë më herët

Kush nuk mund të hajë domate?

Fruti i kuq lëngshëm dhe freskues i mbushur me likopen është i dashur nga të gjithë dhe konsiderohet një ushqim...

Mix2 javë më herët

Boronicat, si t’i përdorni për uljen e tensionit të gjakut

Boronicat janë të ëmbla, ushqyese dhe shumë të shëndetshme. Këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe...

Kryesore2 javë më herët

Humbja e thellë më 11 Maj – Lefter Maliqi: Duhen dorëheqje në PD! Nëse s’bëjmë analizë, Rama do na turpërojë përsëri

Nëse opozita nuk bën një analizë të thellë brenda vetes së saj me rigjenerim strukturash, dorëheqje të njerëzve që dështuan...

Mix2 javë më herët

Q5: Roboti i ri humanoid me AI të përparuar që bën gjëra të paimagjinueshme

Në vitet e fundit, robotika humanoide ka përjetuar një përshpejtim të paparë, me Kinën që po e vendos veten si...

Mix2 javë më herët

4 gjëra që bëjnë njerëzit autentikë pa u munduar fare

Carl Jung ka thënë: “Privilegji i jetës është të bëhesh ai që je vërtet.” Si qenie njerëzore, shumica prej nesh dëshirojmë të...

Mix2 javë më herët

Shenjat e horoskopit të cilave u hapet “porta e parave”!

Dashi Vëmendja juaj tani është te financat tuaja. Mërkuri në Demi nga 10 deri më 25 maj është i mirë...

Facebook