Aktualitet
Kuksianët dhe kosovarët duhet të llogarisin 25 euro për tarifa rrugësh nëse do të duan të shkojnë në jug

Qeveria ka njoftuar se nga kjo datë tuneli i Llogarasë do të jetë me pagesë. Tarifa do të jetë 10 euro vajtje-ardhje për çdo automjet që kalon aty. Me këtë, ky aks bëhet i treti në vend ku aplikohet pagesë, pas Rrugës së Kombit dhe aksit Thumanë–Kashar.
Por tarifa e re e Llogarasë përkthehet në një kosto të shtuar për qytetarët që udhëtojnë nga Kukësi apo Kosova drejt jugut. Nëse një qytetari nga Tirana për të shkuar në Vlorë, Sarandë apo Himarë i mjafton të paguajë 10 eurot e tunelit, për një kosovar apo kuksian shuma shkon deri në 25 euro vetëm për tarifat rrugore vajtje-ardhje.
Kjo sepse atyre u duhet të kalojnë në të tre akset me pagesë: Rruga e Kombit 10 euro, Thumanë–Kashar 5 euro dhe tani edhe tuneli i Llogarasë 10 euro.
Në këtë mënyrë, qytetari kuksian ndodhet përballë një diskriminimi të hapur. Pasi përveç shpenzimeve të karburantit dhe kostove të tjera të udhëtimit, ai duhet të rezervojë që në nisje edhe 25 euro vetëm për tarifa.
E thënë më thjesht, edhe pse këto rrugë shkurtojnë kohën e udhëtimit, tarifat e larta ua vështirësojnë gjithnjë e më shumë shqiptarëve me ekonomi mesatare një udhëtim apo pushim në jug.
