Radar
Momenti tragjik i vrasjes së Charlie Kirk, aleatit të Trump

Në Shtetet e Bashkuara është raportuar një ngjarje e rëndë me armë zjarri, ku në shënjestër ka qenë një nga figurat më të afërta dhe mbështetësit e presidentit Donald Trump, aktivisti konservator Charlie Kirk. Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë momentet dramatike kur ai qëllohet në qafë dhe si pasojë humb jetën
Kush ishte Charlie Kirk?
Charlie James Kirk, i lindur në vitin 1993 në Illinois, ishte një nga zërat më të njohur të krahut konservator në SHBA. Në moshë të re ai braktisi universitetin për t’iu përkushtuar politikës, duke themeluar në vitin 2012 organizatën Turning Point USA, e cila promovon idetë konservatore në mesin e të rinjve dhe kampuseve universitare. Nën drejtimin e tij, Turning Point u shndërrua në një strukturë me ndikim të madh, duke krijuar edhe filiale si Turning Point Action dhe Turning Point Faith.
Kirk ka fituar famë të gjerë përmes emisionit The Charlie Kirk Show, si dhe librave të tij, ndër të cilët përmenden The MAGA Doctrine dhe Right-Wing Revolution. Aktiviteti i tij publik lidhej ngushtë me Partinë Republikane dhe sidomos me Donald Trump, të cilin e ka mbështetur hapur që nga fushata e vitit 2016. Ai është shfaqur shpesh si ndërmjetës mes Trumpit dhe brezit të ri konservator, duke e vendosur veten si një figurë qendrore e lëvizjes MAGA.
Me miliona ndjekës në rrjetet sociale, mesazhet e tij arrijnë një audiencë të jashtëzakonshme: përmbajtja e krijuar prej tij dhe Turning Point USA ka kapur mbi 15 miliardë shikime vetëm gjatë vitit 2024. Turneu i tij “You’re Being Brainwashed” u bë një fenomen viral, me miliarda shikime në prag të zgjedhjeve.
Ngjarja e fundit ndodhi gjatë një fjalimi në Universitetin e Luginës së Utah-ut, pjesë e turneut të tij “Rikthimi në Amerikë”. Sipas dëshmitarëve, plumbi e goditi rëndë në qafë duke shkaktuar kaos në sallë. Autori i dyshuar u arrestua menjëherë, ndërsa Kirk u transportua me urgjencë në spital. Hetimet po vazhdojnë me përfshirjen e FBI-së.
Charlie ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
