Kryesore
Pasarelë-protesta: shto ujë e shto miell, e ka humbur fillin.

Bilbil Beqiri
Pasarelë-protesta: shto ujë e shto miell, e ka humbur fillin.
Të kritikosh protestën në këtë moment duket pothuajse si herezi. Psikologjia e turmës ka një prirje të natyrshme që të kërkojë uniformitet mendimi: ose je me ne, ose je kundër nesh. Por pikërisht në momente të tilla mendoj se është e nevojshme të flasim hapur, pa u ndikuar nga emocionet e çastit.
Prej kohësh mënyra se si po protestohet nuk më bind. Shpesh pyes veten se si arrijmë të vulgarizojmë pothuajse çdo kauzë që marrim përsipër. Sikur të kemi një talent të veçantë për ta kthyer seriozitetin në spektakël dhe idealin në zhurmë.
Protesta nuk është festë, nuk është shfaqje dhe as garë për mikrofonin. Nuk është vendi ku secili përpiqet të bëhet protagonist për disa minuta. Protesta është një akt serioz qytetar. Është momenti kur një grup njerëzish bashkohet për të kërkuar ndryshim, për të ushtruar presion mbi pushtetin dhe për të imponuar një debat që politika nuk dëshiron ta bëjë.
Kur protesta humbet fokusin dhe kthehet në një përzierje sloganesh, protagonizmi dhe improvizimi, ajo humbet forcën e saj. Në vend që të prodhojë presion politik, prodhon vetëm zhurmë. Në vend që të fitojë mbështetje, lodh dhe largon njerëzit.
Për këtë arsye them se, shpeshherë, një protestë e organizuar mirë, me objektiva të qarta dhe disiplinë, arrin më shumë sesa një turmë e madhe pa drejtim. Historia ka treguar se ndryshimet nuk vijnë nga kaosi, por nga organizimi, këmbëngulja dhe qartësia e qëllimeve.
Mendimi im është se ne ende nuk kemi mësuar plotësisht të protestojmë. Ende ngatërrojmë revoltën me rrëmujën, kurse angazhimin qytetar me spektaklin. Protesta kërkon sinqeritet, kërkon kurajë dhe mbi të gjitha kërkon përgjegjësi. Nuk mund të kërkosh standarde më të larta nga politika, ndërsa vetë sillesh me të njëjtën papërgjegjshmëri që kritikon.
Deri atëherë, duhet t’i kujtojmë vetes një të vërtetë të thjeshtë: nuk ka protestë më të fortë se vota. Vota është protesta më e madhe, më e pastër dhe më demokratike që ekziston. Ajo nuk kërkon mikrofon, nuk kërkon pankarta dhe nuk kërkon zhurmë. Kërkon vetëm ndërgjegje.
Kush nuk e kupton vlerën e votës së vet, vështirë se mund të kuptojë edhe vlerën e protestës. Sepse protesta dhe vota janë dy anë të së njëjtës medalje: përgjegjësisë qytetare.
Prandaj këshilla ime është e thjeshtë: mos e vulgarizoni protestën. Kemi bërë mjaftueshëm dëm duke vulgarizuar votën, duke e trajtuar shpesh si një mall që blihet e shitet për interesa të vogla e përfitime të momentit. Nëse duam të ndërtojmë një kulturë të vërtetë demokratike, duhet të mësojmë të respektojmë njësoj si votën, ashtu edhe protestën. Sepse kur humbet vlera e njërës, herët a vonë humbet edhe vlera e tjetrës.
/Podiumi.com media online prej vitit 2016
