Letersi
Bast e rast – Petrit Nika
BAST E RAST
Nga basti nuk fitova kurrë,
por dhe nga rasti s’pata rast;
me djersë në ballë – udhë pa udhë,
e mata botën me kompas.
E mata botën cep më cep,
tevona dhe fitoret humba,
e pashë të varur në akrep –
ta ndreq desha, por nuk munda.
Tani që klepsidra ime,
ka rërë poshtë më shumë se lart,
s’më del më kohë për ëndërrime,
kur fat nuk sjell as bast, as rast.
Do bjerë dikur këmban’ e madhe,
këmban’ e trishtë e mortit tim;
dhe bast e rast as kësaj radhe,
nuk do të duken për ngushëllim.


Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu