Lidhu me ne

Kryesore

Të shkuara, të paharruara

Preç Zogaj

Publikimi i gjashtë përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” ilustron për të disatën herë, kësaj here në një nivel më të lartë të jehonës publike, angazhimin e njerëzve të botës së krimit në zgjedhjet e vitit 2017 për llogari të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama dhe drejtues të tjerë të shumicës, po përpiqen ta impostojnë si një ngjarje së cilës i është zbehur befasia dhe fuqia goditëse e një zbulimi. Për këtë qëllim ata po evokojnë publikimin më parë në mediat kombëtare dhe në radion “Zëri i Amerikës” të përgjimeve të ngjashme. Ata po nënvizojnë faktin e arrestimit disa muaj më parë të pjesëtarëve kryesorë të bandës së Avdylajve që akuzohen për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, por po hetohen së fundi edhe për shitblerje të votave bashkë me disa zyrtarë vendorë të PS-së në Durrës. Po ashtu, po i mëshohet shumë faktit se publikimi i gjashtë përgjimeve të reja është nxjerrje në publik e fragmenteve nga hetimi në proces i CD-ve të dosjes së famshme “339” dhe këtu nuk është e qartë nëse në duart e gazetarit gjerman kanë rënë pikërisht zbardhjet e përgjimeve që po bën Prokuroria e Krimeve të Rënda sot, çfarë do ta bënte shumë ironike historinë, apo kemi të bëjmë me zbardhje paralele të këtyre CD-ve nga zyrat dhe personat që i posedojnë, ku shtypi dhe politika me axhendat e tyre janë gjithmonë më të shpejtë se Prokuroria që duhet të shqyrtojë elementet e veprës penale për ta çuar çështjen në gjykatë. Një gjë është evidente këtu: publikimi i përgjimit të parë në nëntor 2017 në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ka qenë më i rëndësishëm si fakt gazetaresk atëherë kur dosja mbahej në sirtarë dhe pjesëtarët e bandës ishin të lirë, sesa sot kur dosja po hetohet dhe pjesëtarët e bandës janë në burg.

Jemi në një pleksje të madhe çështjesh që dalin nga kuadri i këtij shkrimi dhe duan kohë të ftillohen. Për t’u rikthyer në temë, kryeministri u pa parmbrëmë të reklamonte bashkautorësinë dhe votimin me PD-në të ligjit të ashpër të dekriminalizimit, protagonizmin dhe sintoninë e tij me partnerët amerikanë dhe europianë për të gjitha çështjet e Reformës në Drejtësi, distancimin politik dhe moral nga individë e zyrtarë të PS-së nën hetim apo të implikuar në skandale të natyrave të ndryshme, arrestimin nga policia dhe prokuroria të një numri të konsiderueshëm trafikantësh dhe të dënuarish të tjerë që janë akuzuar nga opozita se kanë punuar për Partisë Socialiste në zgjedhje.

Të gjitha këto janë të vërteta, siç është e vërtetë se vota kanë blerë edhe LSI-ja dhe PDIU-ja dhe, siç është e udhës dhe e domosdoshme, që kjo histori e përgjimeve duhet të marrë patjetër një përgjigje ligjore në aulën e drejtësisë, përndryshe do të mbetej një temë e helmimit pa fund të jetës publike, siç thoshte Makiaveli për akuzat që u lihen shamatorëve andej-këndej.

Por të gjitha këto e të tjera si këto që s’po rri t’i numëroj, nuk e justifikojnë mungesën e një analize dhe reflektimi të thellë politik dhe moral, në formën e një mea culpa, pse jo, të zotit Rama, për fenomenin e promovimit në politikë dhe poste publike të individëve me rekorde kriminale.

Numëruam më sipër, besoj me ndershmëri profesionale, disa të vërteta që e tregojnë kryeministrin përballë krimit. Të vërtetat e kundërta ekzistojnë dhe duhet t’i vëmë në dukje. Në një moment të errët që meriton analiza të kryqëzuara politike dhe psikologjike, zoti Rama thirri dhe promovoi në poste individë me përvoja dënimesh të kryera në jetën e tyre të mëparshme; i thirri jo si të rehabilituar, çfarë është një e drejtë njerëzore në fund të fundit, dhe as si militantë të PS-së. Mjerisht i thirri për atë që ata kishin qenë përpara se të dënoheshin dhe këtu ka qenë tharmi i ngjizjes së një bashkimi të pangjashëm të botës së malavitës me një parti në pushtet. Shndërrimi i krimit në skemë elektorale, komportimi i grupeve me rekorde kriminale si njësi komplementare apo të integruara në strukturat e Partisë Socialiste në disa qarqe të vendit janë pasojë e mëkatit origjinal.

Shokët e trafiqeve dhe veprave të tjera penale u bënë bashkë nën flamurin e kryeministrit, edhe pse mund të mos e kishin takuar kurrë shumica prej tyre, po ç’rëndësi ka kjo në thelb: të dyja palët shërbenin interesat e tyre në këtë lloj ortakërie. Për një kohë jo të shkurtër bandat dhe “të fortët” terrorizuan njerëz, qytete dhe fshatra, morën peng liritë e të tjerëve, u njohën si “ shefa” nga banorët, siç del në njërin prej përgjimeve më domethënëse të botuar nga “Bild”.

Një politikan mund ta mendojë këtë ortakëri vetëm nga lakmia e paskrupullt për pushtet ose duke qenë viktimë e paragjykimit dhe mbivlerësimit të kundërshtarit, të cilin e sheh si të pathyeshëm me mjetet e përballjes demokratike. Brenda këtij paragjykimi dhe mbivlerësimi, ai gjen sakaq justifikimin për të përdorur mjete të palejueshme dhe madje për t’u shtyrë më larg duke e ngushëlluar paturpësinë apo brerjen eventuale të ndërgjegjes me idenë e misionit historik. Kështu, fenomeni e zgjeron vetvetiu fushën e veprimit në përmasa të pamatshme dhe del jashtë kontrollit. Kjo është si një e një bëjnë dy. Ndaj në shoqërinë demokratike qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Mjetet antidemokratike njollosin edhe qëllimin.

Askush nuk fiton gjë në fund të fundit me mjetet e gabuara. Edhe ata ish të dënuar që u morën pa ndonjë faj nga jeta dhe privatësia e tyre për t’u hedhur si mish për top në fushën e minuar të politikës kanë dalë të humbur. Dekriminalizimi lindi për të zëvendësuar mungesën e vullnetit, për të shmangur nga politika persona të papërshtatshëm, pa qenë nevoja e një ligji antikushtetues që ekzekuton de facto institucionin e madhërishëm të rehabilitimit përmes shlyerjes së dënimit dhe inkurajon për pasojë recidivizmin dhe armiqësinë për jetë të një fashe të konsiderueshme të shoqërisë me personat që pretendojnë se i kanë poshtëruar.

Mea culpa e kryeministrit Rama për mëkatin origjinal do të duhet të shoqërohet me refleksione të tjera rreth reagimeve të tij dhe qeverisë ndaj skandaleve që kanë shoqëruar qeverisjen. Është e pritshme dhe nganjëherë edhe e drejtë që kryeministri të tregohet më i matur dhe të reagojë më vonë se media apo opozita. Nga ana tjetër, ai mund ta kapë opozitën në kundërkohë dhe të jetë më efikas duke reaguar përpara saj dhe përtej pretendimeve të saj, siç edhe ka ndodhur, fjala vjen, me ndryshimet e fundit në qeveri, për shkak të grevës së studentëve. Sa u takon skandaleve dhe ngjarjeve për të cilat po flasim, Rama, si rregull, ka qenë i vonuar përtej maturisë. Përshtypja bazë është se ka lëshuar me zor, nga halli, kur kupa është mbushur. Kjo e ka zvogëluar vlerën e reagimeve të tij, për të mos thënë tjetrën, që e ka zhveshur nga sinqeriteti. Dhe lidhur me këtë përshtypje, edhe fakti tjetër se reagimet kanë qenë dhe janë rëndom të pjesshme, të lidhura me individë të vënë në syrin e ciklonit në momentin e dhënë dhe shumë më pak për fenomenin. Me fjalë të tjera, me dashje apo prej kufizimeve, litari është lënë jashtë, siç thotë një shprehje e popullit. Përgjimet e ardhshme mund të provojnë pikërisht këtë që litari është lënë jashtë. Po kryeministri nuk mund të jetë i fundit që e merr vesh se ç’ndodh me përgjime aq të ndjeshme siç janë ato për shitblerjen e votave.

Gabimi strategjik paguhet, tha me të drejtë Rama këtë të enjte në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës. Bërja e krimit skemë elektorale, qoftë edhe në disa qarqe, është një gabim që mund të kategorizohet si i tillë. Kur nuk ke paguar akoma, në politikë vepron ligji “të shkuara, të paharruara”. Mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 nuk mund të zgjasë më shumë se ka zgjatur./ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix2 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix2 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix2 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix2 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix2 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix2 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix3 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix3 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix3 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook