Lidhu me ne

Kryesore

‘Nga Kanadaja në Australi’, qeveria spekulon me p/ligjet e medias online

‘Nga Kanadaja në Australi’, qeveria spekulon me p/ligjet e medias online

Nga Besar Likmeta*

Me një njoftim të orës së fundit, Komisioni i Ligjeve në Kuvend hapi të hënën siparin e diskutimeve të dy projektligjeve që synojnë kontrollin e medias online nga një ent qeveritar, të cilësuara nga organizatat e lirisë së shprehjes si mjet censure dhe dhunim i lirisë së shprehjes.

Mediat dhe organizata e lirisë së shprehjes u njoftuan në minutat e fundit, por ama një grup studentësh të deputetes Vasilika Hysi kishin dëgjuar një prezantim, një ditë më parë. Të veshur bukur dhe të buzëqeshur nga pavetëdija mbi rëndësinë e drafteve ligjore që do të diskutoheshin, studentët ishin sjellë në Kuvend për të shërbyer si dekor i bukur i prezantimit të projektligjeve, të cilat nga shumë organizata të lirisë së shprehjes perceptohen si një paketë ligjore e rrezikshme, që synon instalimin e kontrollin të qeverisë mbi përmbajtjen e medias online.

Projektligjet u prezantuan shkurtimisht nga Zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka, e cila spekuloi që iniciativa të tilla po ndërmerreshin në të gjithë botën demokratike dhe më gjerë.

“Kemi të bëjmë me dy projektligje që adresojnë rregullimin e shërbimit mediatik të Shqipërisë,” tha Caka. “Kjo nevojë për të rregulluar median dhe veçanërisht atë që është media elektronike dhe shërbimet elektronike, është një nevojë e konstatuar jo vetëm në vendin tonë, por është një tendencë që vihet re gjerësisht në vendet e Bashkimit Europian, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi, pasi media elektronike janë kthyer në burim të rëndësishëm informacioni,” shtoi ajo.

Zv.Ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka | Foto : Gjergj Erebara

E sfiduar pas seancës nga BIRN që të shpjegonte deklaratat e saj mbi tendencat për të rregulluar median në SHBA dhe si këto tendenca të pretenduara nga zv.ministrja peshoheshin nën dritën e amendamentit të parë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, i cili shprehimisht e ndalon Kongresin të bëj ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes, Caka u mbrojt duke thënë se kishte “bërë shkollën në Amerikë.”

Dy projektligjet e propozuara, të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovize’ dhe ‘komunikimet elektronike’ synojnë fuqizimin e të ashtuquajturit Këshilli i Etikës brenda AMA-s, për të kontrolluar me dorë të hekurt përmbajtjen e medias elektronike. Amendimet i japin të drejtën këtij enti administrativ të vendosë gjoba ndaj mediave, të cilat shkojnë deri në 2 milionë lekë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja pretendoi se ndryshimet e propozuara ishin konsultuara ngushtë me ekspertë ndërkombëtarë dhe ekspertë të OSBE-së. Ai shtoi se draftet e publikuara nga parlamenti kanë pësuar ndryshime dhe nuk janë variantet zyrtare të publikuara në faqen e Kuvendit, por një variant që i është dërguar disa organizatave me email.

“Draftet kanë pësuar ndryshime, sigurisht nën ekspertizën më të mirë të ekspertëve ndërkombëtarë, por të dy projektligjet janë diskutuar nën patronazhin e ngushtë të ekspertëve të OSBE-së dhe komisionit të ligjeve,” tha Manja.

Relatorja e projektligjeve per median, deputetja e PS-së Klotilda Bushka | Foto : Gjergj Erebara

Të njëjtin pozicion me Ulsi Manjën mbajti dhe relatorja e paketës ligjore, Klotilda Bushka, e cila deklaroi se Komisioni do të konsultohej me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe entet qeveritare përpara se t’i miratonte projektligjet.

E pyetur nga BIRN pas seancës se pse Parlamenti refuzoi një kërkese për të drejtë informimi për të bërë publik opinionin e fundit ligjor të OSBE-së për projektligjet, Bushka u mbrojt duke thënë se e kishte vetëm ‘në email me track changes’. Pasi deputetes iu bë e ditur që sipas ligjit edhe komunikimet elektronike zyrtare janë dokumente publike, ajo deklaroi se nuk kishte dijeni për kërkesën për informacion të organizatave të shoqërisë civile.

Të njëjtat organizata nëpërmjet një deklarate për shtyp të hënën i hodhën poshtë draftet e qeverisë si ‘masa që dhunojnë lirinë e shprehjes”.

Anëtarë të Komisionit të Ligjeve në Kuvend | Foto : Gjerjg Erebara

“Dy projektligjet, pjesë e paketës antishpifje i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor,” thuhet në deklaratën e shoqërisë civile, të firmosur gjithashtu nga BIRN Albania, botuesi i Reporter.al.

“Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, si dhe në këtë drejtim ka patur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor,” shtuajnë organizatat.

*****

Besar Likmeta është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri – BIRN Albania

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar3 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore3 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore4 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar4 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix4 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix4 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix4 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix4 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix4 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix4 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook