Lidhu me ne

Kioske

Orë amatoreske për diplomacinë amerikane në Shqipëri

Orë amatoreske për diplomacinë amerikane në Shqipëri

Genc Pollo/ New Europe

Më 11 dhjetor, Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president me dy mandate, iu drejtua rreth dhjetë mijë pjesëmarrësve entuziastë të Kuvendit të Partisë Demokratike në stadiumin kryesor të Tiranës. Kjo ngjarje politike ishte një risi në shumë drejtime: një prej tyre ishte thirrja e drejtpërdrejtë e zotit Berisha drejtuar zonjës Yuri Kim, ambasadores së SHBA-së, që të mos tregohej arrogante, si homologu i saj sovjetik në fund të viteve 1950, kur Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës. Por Berisha shtoi se ai gjithmonë besonte se blloku sovjetik ishte “perandori e së keqes” përkundrejt Shteteve të Bashkuara si “një fener i lirisë për botën”.

Shumë njerëz do habiteshin po të dëgjonin këtë nga një lider i cili mburrej se ishte i pari në Evropën Lindore që kërkoi zyrtarisht anëtarësimin në NATO në fillim të viteve 1990; për të realizuar anëtarësimin si kryeministër në vitin 2009. Ai vizitoi si President i Shqipërisë Shtëpinë e Bardhë i ftuar nga presidentët George H. W. Bush dhe Bill Clinton në vitet 90; ai gjithashtu priti zyrtarisht Presidentin George W. Bush në Tiranë në vitin 2007.

Berisha gjithmonë e ka shpallur me zë të lartë “Atlanticizmin” e tij dhe ka qëndruar në anën e SHBA-së gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në Irak dhe Afganistan duke kontribuar me trupa; ai gjithashtu priti me urdhër të qeverisë amerikane refugjatë që askush tjetër nuk do t’i pranonte si ekstremistët ujgurë nga kampi Guantanamo dhe muxhahedinë iranianë të ndjekur nga regjimi despotik i ajatollahëve.

Pasardhësi i tij në qeverisje, Edi Rama, nga Partia Socialiste kundërshtare, i cili u bë Kryeministër pas fitores së zgjedhjeve të 2013, bëri gjithashtu favore për SHBA-në duke trefishuar numrin e azilkërkuesve iranianë dhe duke pranuar së fundmi afganë që punonin për entitetet amerikane. Megjithatë, ai në një farë mënyre arriti të bënte diçka të paprecedentë: ai arriti t’i mbyllte gojën ambasadorëve  së SHBA për shkeljet e tij të shumta dhe serioze ndaj demokracisë dhe shteti ligjor. Kishte raste që ai gjithashtu i bënte ata ambasadorë t’i mbulonin këto shkelje. 

Ministri i Brendshëm i Ramës, Saimir Tahiri (2013-2017) përballet me akuzat për korrupsion dhe trafik narkotikësh dhe ka apeluar dënimet e tij për këto akuza. Ai organizoi një kultivim të madh dhe të paprecedentë të paligjshëm kanabisi në vitin 2016. Ambasadori amerikan asokohe z. Donald Lu, në kundërshtim me raportet e Departamentit të Shtetit  dhe raporte të tjera ndërkombëtare, vazhdoi të lavdëronte luftën e Tahirit kundër drogës. Tahiri madje u përfshi në delegacionin e udhëhequr nga Rama që vizitoi Shtëpinë e Bardhë në prill 2016, i ulur përballë Presidentit Barack Obama.  Kur prokurorët më në fund ndoqën penalisht Tahirin në vjeshtën e 2017, Lu e mbrojti publikisht duke e krahasuar çështjen gjyqësore me një gjyq komunist.

Orë amatoreske për diplomacinë amerikane në ShqipëriPresidenti Obama duke pritur kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri/ 15 prill 2016

As pasardhësja e tij, Yuri Kim nuk ka qenë më mirë.  Kim ka deklaruar vazhdimisht se prioritetet e saj do të ishin promovimi i demokracisë në Shqipëri dhe përmirësimi i lidhjeve të mbrojtjes me SHBA-në.

Një raport i një media investigative, i mbështetur nga financimi i Ambasadës Amerikane për zhvillimin e mediave, tregoi se asete të konsiderueshme të bazave të marinës shqiptare u janë dhënë biznesmenëve pranë qeverisë. Kjo ka cënuar seriozisht aftësinë e Forcës Detare të Shqipërisë, anëtare e NATO-s. Gazetari  gjeti shkelje të rënda në procedurat e transferimit të aseteve dhe si motiv konsederoi korrupsionin e lartë. Çështja është sjellë në vëmendjen e publikut pasi një oficer i Marinës, i cili u rezistoi urdhrave të qeverisë dhe si pasojë u pushua nga puna, ka denoncuar publikisht mashtrimin dhe e ka referuar çështjen në Prokurori. Ai ka njoftuar edhe Ambasadën e SHBA. Ambasadorja amerikane, e pashqetësuar, është shfaqur tej mase në publik, duke shkëmbyer urime me politikanët që janë të dyshuarit kryesorë në këtë aferë korrupsioni.

Për çështjen e demokracisë, ambasadorja Kim, së bashku me kolegët e saj evropianë, ndërmjetësuan një marrëveshje në vitin 2020 për reformën zgjedhore mes qeverisë dhe opozitës. Nuk është gjë e lehtë duke pasur parasysh politikën shumë të polarizuar në vend dhe nuk është gjë e vogël po të kesh parasysh mangësitë serioze të zgjedhjeve të kaluara. Qeveria megjithatë nuk priti që të thahej boja e marrëveshjes për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme formulën e shpërndarjes së mandateve zgjedhore në favor të saj. Opozita e zyrtarët evropianë protestuan me të madhe, ndërsa ambasadorja Kim ishte e vetmja që argumentoi se ndryshimet e qeverisë nuk shkelnin në fakt marrëveshjen e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.

Qëndrime të tilla të njëanshme, të shoqëruara me atë që shihej si mani për të qënë vazhdimisht në vëmendjen publike, tipike e një “ylli Hollivudi” tashmë kishin nxitur kritika ndaj ambasadores së SHBA.

Por nuk mbeti me kaq. Më 19 maj të këtij viti, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken, përcaktoi publikisht zotin Berisha si të pakualifikuar për të hyrë në Amerikë për shkak të korrupsionit.  Akti u vu gjerësisht në pikëpyetje nga shumë njerëz, përfshirë anëtarë të Kongresit të SHBA, pasi Berisha ka qenë tetë vjet jashtë pushtetit; për më tepër, kritikat e tij ndaj qeverisë Rama shpesh përputhen me raporte të ndryshme të Departamentit të Shtetit.

Orë amatoreske për diplomacinë amerikane në Shqipëri

Ambasadorja Kim i kërkoi, pa patur sukses, KQZ-së  që të anulonte mandatin parlamentar të Berishës. Më pas ajo i bëri presion kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë; ajo madje doli publikisht për këtë çështje duke përdorur thënie fyese të Enver Hoxhës, udhëheqësit komunist.

Kur përfundimisht Basha përmbushi kërkesën e Kim, Berisha protestoi dhe nisi një sërë takimesh me bazën e partisë. Me Bashën e paaftë për të arritur qoftë edhe një fitore të vetme zgjedhore gjatë tetë viteve të tij të kryesimit të partisë, me përcaktimin ndalim hyrje nga Washington-i që shumë e perceptuan si të motivuar politikisht dhe të leverdishëm për qeverinë shumë të korruptuar socialiste, së bashku me arrogancën e Kim-it që shkonte në kufi me paturpësinë, nuk ishte çudi që lëvizja Berisha u zmadhua si ortek.

Kritikat ndaj Kim-it, e cila u kërkoi redaktorëve të mediave kryesore që të mos i mbulonin mediatikisht këto takime, e majisën edhe më shumë gjendjen. Kongresi i PD-së i dhjetorit i thirrur nga shumica e anëtarëve të saj e largoi Bashën me një shumicë dërrmuese dhe caktoi një Komision të Përkohshëm që përfshinte Berishën për të drejtuar partinë. Ky ishte një lehtësim i mirëpritur për ndjekësit e partisë dhe u interpretua edhe si bumerang politik për Ambasadën Amerikane.

Ndonëse mund të ketë qenë joetike për SHBA-të që të mbështesnin “sons of a bitch” gjatë dekadave të fundit, ajo sigurisht që i shërbeu një qëllimi thelbësor strategjik në kulmin e Luftës së Ftohtë. Por është e pashpjegueshme dhe e paarsyeshme pse diplomatët amerikanë do të silleshin kështu në atë që ka qenë deri tani vendi më pro-amerikan në Evropë.

Teksa shqiptarët kanë arsye historike për të qenë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara, sondazhet aktuale tregojnë shifra në rënie të mbështetjes ndaj tyre. Kjo për mendimin tim është sigurisht një pasojë e drejtpërdrejtë e diplomatëve megalomanë dhe të paaftë, të cilët janë të vetmit përgjegjës që të paktën gjysma e klasës politike dhe e publikut janë kthyer kundër tyre. Dhe për fat të keq për shumë prej nesh, edhe kundër vendit dhe simboleve të lirisë dhe demokracisë që ata lipsej të përfaqësonin.

*Ish-ministër e deputet

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook