Radar
Tom Doshi nga Saranda: E dua pushtetin për t’ju shërbyer të varfërve

Kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, gjatë një takimi elektoral në Sarandë u bëri thirrje qytetarëve të besojnë tek PSD në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si forca e vetme me një program të qartë social që synon mbështetjen e pensionistëve dhe shtresave në nevojë. “Unë e dua pushtetin për t’ju shërbyer ju, të varfërve, që të mos mungojnë ilaçet,” – deklaroi Doshi.
Ai nënvizoi se PSD është tashmë forca e tretë politike në vend dhe synon ta ruajë këtë pozicion edhe pas zgjedhjeve. Doshi kritikoi politikanët e deritanishëm për mungesë ndjeshmërie ndaj problemeve të qytetarëve, duke përmendur sfida si mungesa e ujit të pijshëm, çështjet e pronës dhe procesi i legalizimeve.
Në veçanti, ai iu drejtua komunitetit verior dhe diasporës, duke bërë apel për angazhim maksimal në ditët e fundit të fushatës. Doshi tha se mbështetja për PSD-në është e lidhur ngushtë me besimin personal që qytetarët i kanë dhënë atij.
Ai paralajmëroi se takimet elektorale do të vijojnë me intensitet në të gjithë vendin deri në përmbyllje të fushatës.
