Letersi
Fragmente nga Ligjërata e Nobelit – Josif Brodskij
I
Kur një njeri privat, një njeri që gjatë gjithë jetës ka pëlqyer kushtet e tij private më tepër se ndonjë rol me domethënie në shoqëri, dhe që në këto zgjedhje ka shkuar shumë larg – le të themi, shumë më larg nga mëmëdheu i vet, sepse është më mirë të jesh një dështak i marrë fund në demokraci se një martir ose ajka e ajkës në një tirani – kur një njeri i tillë e sheh veten papritur në këtë podium, është një përvojë disi e parehatshme dhe e sikletshme.
Këtë ndjesi ma përthellon jo aq mendimi mbi ata që kanë shkelur këtu para meje, sesa kujtimi për ata, të cilët ky nder u kaloi përskej, kush nuk mundi të drejtohet, si i thonë, “urbi et orbi” nga kjo tribunë dhe heshtja e të cilëve kërkon si të thuash dhe nuk gjen shtegdalje brenda jush.
E vetmja gjë që mund t’ju paqëtojë me një gjendje të tillë, është ajo arsye e thjeshtë, që – për arsye para së gjithash stilistike – shkrimtari nuk mund të flasë për shkrimtarin, veçanërisht – poeti për poetin; dhe se, po të ishin në këtë tribunë Osip Mandelshtami, Marina Cvjetajeva, Robert Frosti, Ana Ahmatova, Uinston Odeni, nëse padashje ata do të kishin folur për veten e tyre, do të ndjenin gjithashtu njëfarë sëkëlldie.
Këto hije më trazojnë përherë, më trazojnë dhe sot. Të paktën, ata nuk ma bëjnë hallall oratorinë. Në minutat më të mira, vetja më duket, si të thuash, shumë e tyre – por gjithnjë më pak se çdocili prej tyre marrë veçmas.
…
Nëse ekziston bota e përmatanshme – dhe unë nuk jam më shumë në gjendje t’ua refuzoj atyre jetën e përjetshme, sikundër nuk jam në gjendje të harroj ekzistencën e tyre në këtë jetë – pra, nëse jeta e përmatanshme ekziston, shpresoj atëherë që ata të më ndjejnë për cilësinë e asaj që do të marr të parashtroj: në fund të fundit, vlera e profesionit tonë nuk matet me sjelljen në tribunë.
Përmenda vetëm pesë prej tyre – ata, krijimtaria dhe fati i të cilëve është për mua i shtrenjtë, të paktën veç për faktin se, të mos kishin qenë ata, unë si njeri e si shkrimtar, do të kisha më pak vlerë: të paktën, nuk do të isha sot në këtë tribunë. Por kanë qenë më shumë syresh, kanë qenë hijet e tyre – më mirë tek e fundit, burime drite: llampa? yje? – më shumë, padyshim, atëherë vetëm pesë. Dhe çdocili syresh është i aftë të ma mbyllë gojën përfundimisht.
Numri i tyre është më i madh në jetën e cilitdo letrari të vetëdijshëm; në rastin tim, ky numër dyfishohet, falë atyre dy kulturave, të cilave fati e solli t’u takoj. Nuk e lehtëson punën gjithashtu dhe mendimi për bashkëkohësit dhe vëllezërit e penës në të dyja këto kultura, për poetët dhe prozatorët, dhuntinë e të cilëve unë çmoj më lart se timen dhe të cilët, po të ishin në këtë tribunë, me kohë do të ishin futur drejt e në temë, ngase ata kanë ç’t’i thonë më shumë botës se sa unë.
…
II
Nëse arti diç edhe na mëson (artistit, në radhë të parë), atëherë kja ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore. Duke qenë më e stërlashta – dhe forma më e fjalëpërfjalshme e iniciativës vetjake – ajo dashje ose pa dashje stimulon tek njeriu pikërisht ndjesinë e individualitetit, unikalitetit, veçanësisë – duke e shndërruar atë nga një kafshë shoqërore në personalitet. Shumë gjëra mund t’i bashkëpjesëtosh: bukën, shtratin, bindjet, të dashurën – por jo poezinë, të themi, të Rajner Maria Rilkes. Vepra e artit, letërsia në veçanti dhe poezia më përveçmas, i drejtohet njeriut têt-à-têt, duke u lidhur me të në marrëdhënie direkte, pa ndërmjetës.
…
Baratinskij i madh, duke folur për muzën e tij, e ka karakterizuar atë si zotëruesen e “fytyrës me tipare jo të përgjithshme”. Në përftimin e këtyre tipareve jo të përgjithshme qëndron, si duket, kuptimi i ekzistencës individuale, sepse nga kjo e pa-përgjithshme, ne jemi gatuar tashmë gjenetikisht. Pavarësisht faktit në është shkrimtar një njeri apo lexues, detyra e tij është të jetojë jetën e tij vetjake dhe jo jetën e imponuar apo të diktuar nga jashtë, sado fisnike të duket ajo. Sepse ajo është e vetme për secilin prej nesh dhe ne e dimë mirë qysh do të mbarojë. Do të ishte për të ardhur keq ta bjerrnim këtë mundësi të vetme mbi paraqitjen e dikujt tjetër, mbi përvojën e dikujt tjetër, mbi tautologjinë – do të ishte për të ardhur keq akoma më shumë sepse tellallët e domosdoshmërisë historike, te të cilët ndikimi mbi një njeri mund të jetë përgatitur t’i bindet kësaj tautologjie, nuk do të shkonin me të në varr ose nuk do t’i jepnin atij më shumë se një “faleminderit”.
Gjuha dhe, siç më duket mua, letërsia – janë gjëra më të lashta, më të pashmangshme, të më të përjetshme sesa çdo formë e organizimit njerëzor. Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb, reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit. Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë vetën formë të së tashmes (shpesh herë edhe të së ardhmes), dhe njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë vetes ta qesë në harresë këtë gjë. Rreziku i vërtetë për shkrimtarin nuk është dhe aq mundësia (dhe shpesh siguria) e përndjekjes nga shteti, sesa mundësia për t’u ndjerë i hipnotizuar nga tiparet e shtetit, të cilat, të përbindshme apo të nënshtruara ndryshimeve për mirë, janë përherë të përkohshme.
…
Në ditët e sotme është jashtëzakonisht e përhapur bindja se gjoja shkrimtari, poeti në veçanti, duhet të përdorë në veprat e tij gjuhën e rrugës, gjuhën e turmës. Me gjithë aparencën demoratike dhe volitë e prekshme praktike për shkrimtarin, një pohim i tillë është veçse një pallavër, ngase paraqet në vetvete gjakimin t’ia nënshtrojë artin, në rastin konkret letërsinë, historisë. Vetëm në rast se kemi vendosur që “sapiensit” i ka ardhë koha të ndalet në statin e zhvillimit të tij, vetëm atëherë letërsia mund të flasë në gjuhën e popullit. Në të kundërt, popullit i takon të flasë me gjuhën e letërsisë. Çdofarë realiteti i ri estetik përsaktëson për njeriun realitetin etik. Sepse estetika është nëna e etikës; nocionet “mirë” dhe “keq”- janë nocione, para së gjithash, estetike, që parakuptojnë kategoritë e “të mirës” dhe “së keqes”. Në etikë jo “gjithçka është e lejueshme”, sepse në estetikë jo “gjithçka është e lejueshme”, ngase sasia e ngjyrave në spektër është e kufizuar. Një foshnje pa arsye që me të qara refuzon një të panjohur ose, përkundrazi, joshet drejt tij, instinktivisht ka bërë një zgjedhje estetike dhe jo morale.
Zgjedhja estetike është gjithëherë individuale. Çfarëdo realiteti i ri estetik e bën njeriun përjetues, personi është më privat dhe kjo privatësi që përfton nganjëherë formën e shijes letrare (ose ndofarë forme tjetër), mundet tashmë vetë të jetë garanci, të paktën formë mbrojtëse mga skllavërimi. Sepse njeriu me shije, në veçanti me shije letrare, është më pak i rrezikuar ndaj përsëritjeve dhe anatemave ritmike, karakteristikë kjo e çdo politike demagogjike. Puna nuk ka të bëjë dhe aq me faktin se ndershmëria s’dalka garante për kryeveprat, por me një të vërtetë tjetër që, e keqja, sidomos ajo politike, është gjithnjë një stiliste e neveritshme. Sa më e pasur të jetë përvoja estetike e individit, aq më e konsoliduar është shija e tij, aq më sqimatare është zgjedhja e tij morale, sikundërse aq më i lirë është ky individ, edhe në ndodhtë të mos jetë aq i lumtur.
…
Ai që shkruan poezi, gjithësesi, shkruan jo se shpreson të lërë nam pas vdekjes, anipse shpesh shpreson se poezia e tij do të mbijetojë, qoftë dhe për pak kohë. Ai që shkruan poezi shkruan sepse gjuha i dikton apo thjesht dikton vargun vijues. Duke nisur një poezi, poeti, si rregull, nuk e di se si do të përfundojë dhe nganjëherë është shumë i habitur me atë çka del, ngase shpeshherë del më mirë nga sa e ka parashikuar, shpesh mendimi i tij shkon shumë më larg nga sa e ka menduar ai. Ky pra është çast kur e ardhmja e gjuhës përzihet me të tashmen e saj. Ekzistojnë, siç e dimë, tre metoda të njohjes: analitike, intuitive dhe metoda të cilën përdornin profetët biblikë – me ndërmjetësinë e zbulesës. Dallimi i poezisë nga format e tjera të letërsisë qëndron në faktin se ajo shfrytëzon njëheri të tre metodat (duke u prirur kryesisht tek metoda e dytë dhe e tretë), ngase që të treja janë të dhëna në gjuhë; nganjëherë, me ndihmën e një fjale, e një rime, shkruesit të poezisë i jepet të gjendet atje ku para tij akush nuk ka shkelur, – dhe më tej, ka gjasa, edhe më shumë nga sa ka dëshiruar vetë ai. Ai që shkruan poezi e shkruan atë, para së gjithash, sepse poezia është një përshpejtues kolosal i vetëdijes, mendimit, botëperceptimit. Pasi e provon këtë përshpejtim një herë, njeriu s’është më në gjendje të mos e përsërisë këtë përvojë, ai bie në varësi të këtij procesi, sikundërse bien në varësi prej narkotikëve apo alkoolit. Njeriu që gjendet në një varësi të tillë nga gjuha, mendoj, quhet poet.
Përktheu: Agron Tufa
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu