Lidhu me ne

Temporal

“Po të provohen akuzat e hedhura ndaj meje, jam i gatshëm të kthehem në Turqi”

ddf3fc4359349efecfe9210bab1570f3_XL

Nga Fethullah Gylen për LE MONDE

Me përpjekjen për grusht shteti të mbrëmjes së 15 korrikut, Turqia ka përjetuar një nga fatkeqësitë e saj më të mëdha të kohëve të fundit. Shpëtoi paq, duke u kthyer si prej skajit të një humnere. Ato që u përjetuan atë natë mund të cilësohen si akte të pastra terrori, madje me gjuhën më të rëndë. Të gjitha shtresat e shoqërisë turke u bashkuan dhe treguan se ata janë në anën e demokracisë, duke mbështetur edhe njëherë fort se ndërhyrjet ushtarake të drejtpërdrejta i përkasin veçse të shkuarës. Ata që kanë qenë pranë meje janë dëshmitarë që unë e kam mallkuar atë përpjekje qysh në çastet e para që e mora vesh dhe po e ndiqja.
Njëzet minuta nga fillimi i asaj tentative tradhtare, pa u nxjerrë në dritë as edhe një fajtor i vetëm, presidenti Erdogan doli dhe më fajësoi mua. Është për t’u habitur se si është e mundur që të shpallet kaq shpejt fajtori, pa dalë njëherë në dritë detajet e ngjarjes, apo se kush ka bërë çfarë. Si një njeri që kam vuajtuar shumë prej të gjitha përpjekjeve ushtarake për grusht shteti në këto 50 vitet e fundit, për mua është shumë lënduese që të më lidhin me një përpjekje kaq të ulët. Pa diskutim që i refuzoj fort të gjitha këto akuza.
Kam 17 vjet që bëj një jetë të tërhequr me vullnetin tim në një fshat të vogël në Shtetet e Bashkura. Ideja që unë të kem bindur ushtrinë e tetë më të madhe në botë nga një distancë mbi 10.000 km është një shpifje shumë larg të besueshmes, siç edhe nuk u pranua dot prej opinionit publik ndërkombëtar. Nëse në mesin e juntës që organizoi puçin ushtarak ka pasur edhe ndër simpatizantët e Lëvizjes “Hizmet”, për mendimin tim ata u kanë marrë jetën sa e sa bashkëqytetarëve të tyre, kanë tradhtuar bashkimin dhe unitetin e vendit, kanë shkelur ato parime që unë kam mbrojtur më shumë gjatë jetës sime, për më tepër kanë bërë që me mijëra njerëz të kthehen në viktima të pafajshme.
Nëse ka nga ata që janë ndikuar më shumë prej kulturës së ndërhyrjes së ushtrisë në punët e shtetit dhe ajo ka mbizotëruar mbi vlerat e lëvizjes, që prapë nuk ma merr mendja se ka pasur të këtillë, gabimet e tyre nuk mund t’i faturohen mbarë lëvizjes. Ia kam lënë Zotit të gjithë dhe të gjitha.
Askush, përfshi dhe mua, nuk mund të jetë mbi ligjin. Cilësdo pjese të shoqërisë t’i përkasin përgjegjësit e përpjekjes për grusht shteti, ata duhet të marrin dënimin e merituar pasi të kenë kaluar përmes një procesi rigoroz të drejtësisë. Mirëpo, duke qenë se sistemi gjyqësor është marrë nën kontroll qysh prej tetorit të vitit 2014, mundësia për të pasur gjykim të drejtë është paksa e dobët. Ndaj unë e kam shprehur disa herë, se do të isha dakord me gjithë zemër me vendimin dhe përfundimet e dala prej hetimit të një komisioni hetimor ndërkombëtar.
Pjesëtarët e kësaj lëvizjeje nuk janë përfshirë asnjëherë, në të 50 vitet e aktivitetit të saj, në asnjë akt të përdorimit të dhunës, që nëse do të duhet ta shprehim me fjalët e Erdoganit gjatë këtyre tri viteve të fundit, “megjithëse janë pre e një gjuetie shtrigash, ata nuk janë derdhur rrugëve dhe nuk i kanë kundërshtuar as edhe njëherë të vetme forcat e rendit. Ka tre vjet që ushtrohet një fushatë sistematike urretjeje dhe dhune nga ana e shtetit mbi anëtarët e kësaj lëvizjeje, mirëpo pavarësisht padrejtësive me të cilat përballet kjo lëvizje është mbrojtur vetëm duke përdorur të drejtat që u përcakton ligji. Ata e kanë kërkuar të drejtën e tyre vetëm nëpërmjet rrugësh ligjore.
Ka tre vjet që gjithë forca e rendit dhe drejtësisë të Republikës së Turqisë përdoret vetëm ndaj pjesëtarëve të kësaj lëvizjeje, e cila ka nisur të emërtohet ndryshe si “shteti paralel”, duke pretenduar se jam unë kreu i saj. Edhe procesin hetimor të aferave korruptive të qeverisë në vitin 2013 ata e cilësojnë si një grusht shteti të organizuar prej simpatizantëve të mi në burokraci, mirëpo megjithëse për këtë arsye ata kanë arrestuar mbi 4000 vetë, kanë pushuar nga punë me dhjetëramijëra të tjerë, kanë zaptuar dhe shtetëzuar padrejtësisht sa e sa institucione të tjera, nuk kanë arritur që të tregojnë qoftë edhe një provë të vetme, sado të vogël, që të mbështesë pretendimet e tyre. Kryeministri i majit të vitit 2013, që e cilësonte si mirësi të ardhur prej qiellit vetëm mundësinë për t’u takuar me mua, menjëherë pas daljes në skenë të aferave korruptive, filloi të përdorë një gjuhë të urrejtjes që shkonte deri atje sa t’i cilësonte pjesëtarët e kësaj lëvizjeje me terma si hashashinë, apo vampirë gjakpirës.
Ky sulm ka marrë një trajtë të papërballueshme veçanërisht pas përpjekjes tradhtare për grusht shteti të 15 korrikut. Qeveria turke më cilëson mua dhe simpatizantët e lëvizjes “Hizmet” si “viruse dhe qeliza kancerogjene që duhen pastruar prej trupit”. Ata qindra mijëra njerëz që i kanë mbështetur këto shoqata dhe institucione po përshkruhen tani si krijesa çnjerëzore. Atyre po u rrëmbehet gjithë pasuria nga duart, po u ngrihen të gjitha llogaritë bankare, duke iu penguar deri edhe dalja jashtë shtetit, duke u anuluar pasaportat. Me qindra mijëra familje po përjetojnë një dramë shumë të rëndë njerëzore, sepse janë bërë prè e një gjuetie të frikshme shtrigash. Në shtyp është thënë se janë hequr nga puna afërsisht 90.000 njerëz, ku 21.000 prej të cilëve kanë qenë vetëm mësues; këtyre të fundit u është pezulluar edhe licensa e mësimdhënies. Kjo qeveri, mos planifikon që t’i lërë në dorë të urisë familjet e këtyre njerëzve që nga njëra anë nuk kryejnë dot profesionin e tyre, por nga ana tjetër as nuk largohen dot nga vendi i tyre? Çfarë ndryshimi kanë këto praktika me praktikat e përdorura para gjenocideve në historinë e Evropës?
Unë i kam parë të gjitha grushtet e shtetit nga ana e ushtrisë në Turqi dhe kam qenë përherë viktimë e tyre si shumë qytetarë të tjerë turq. Me urdhër të juntës që organizoi grushtin e shtetit të 12 marsit 1971, unë qeshë arrestuar. Menjëhrë pas grushtit të shtetit të 12 shtatorit 1980, për mua u lëshua një urdhër-arresti dhe unë kam jetuar në arrati për plot 6 vjet. Pas grushtit të shtetit të 28 shkurtit 1997, për mua u hap një çështje gjyqësore, ku unë cilësohesha si “organizatë terroriste individuale e paarmatosur”, madje arritën deri atje sa të kërkonin dënim me varje për mua. Në të gjitha grushtet e shtetit për mua u hapën procese gjyqësore me akuzën e “liderit të një organizate terroriste”. Megjithatë unë dola i pafajshëm nga të gjitha ato procese. Ndërkohë që dje isha në shënjestër të drejtuesve ushtarakë të djeshëm, të cilët kishin një botëkuptim më se autoritar, sot po përballem me të njëjtat akuza, por kësaj here prej padrejtësisë së një regjimi civil autokratik.
Unë kam pasur marrëdhënie miqësore me shumë liderë politikë të së shkuarës, si z. Turgut Ozall, z. Sulejman Demirel dhe z. Bylent Exhevit, të cilët i përkisnin bindjesh të ndryshme politike, por kjo ka ndodhur sepse i kam mbështetur me zemër veprimtaritë e tyre të drejta. Veçanërisht kam ndjerë respekt për ta sepse ata kanë besuar fort te kontributi i veprimtarive arsimore dhe shoqërore të lëvizjes “Hizmet” në paqen globale. Dhe, megjithëse kam mbajtur gjithnjë distancë prej Islamit Politik të përfaqësuar prej presidentit Erdogan dhe liderëve të tjerë të AKP-së, unë i kam vlerësuar gjithnjë të gjitha reformat demokratike të ndërmarra prej tyre në vitet e para të qeverisjes së tyre. Por unë kam qenë kundër çdo ndërhyrjeje të ushtrisë në politikën e vendit, madje edhe kur pata thënë para 22 vitesh se “nuk mund të ketë më kthim pas demokracia dhe laiciteti” qeshë kthyer në shënjestër të fyerjeve të qarqeve të atëhershme të Islamit Politik dhe qeverisë së tanishme atëherë. Si dje, si sot, unë shpreh të njëjtin qëndrim.
Nga shkrimet dhe vaizët që kam mbajtur këtu e dyzet vjet më janë botuar më shumë se shtatëdhjetë libra. Në ta nuk mund të gjendet as edhe një mendim i vetëm që justifikon idenë e grushtit të shtetit, përkundrazi janë trajtuar vetëm vlerat e përbashkëta e universale të njeriut, të cilët përbëjnë thelbin e çdo demokracie.
Shpëtimi i Turqisë varet nga thellimi i kulturës së demokracisë dhe përvetësimi i një qeverisjeje të shtetit të bazuar veçse te meritokracia. Nuk mund të jenë zgjidhje, as grushtet e shtetit nga ana e ushtrisë, as qeverisjet autokratike civile.
Fatkeqësisht, në një vend ku organet e shtypit, ose mbyllen, ose merren nën kontroll pjesa më e madhe e qytetarëve turq besojnë se jam unë organizatori i grushtit të shtetit, duke qenë se kanë rënë pre e një bombardimi të paimagjinueshëm propagandistik. Ndërkohë që opinioni publik ndërkombëtar, i cili mund t’i shohë çështjet me më shumë objektivitet, e vëren më lehtë se kjo është një përpjekje e atyre që gjenden në pushtet për të përforcuar pozitat e tyre, duke vënë në zbatim një gjueti shtrigash të mirëfilltë.
Patjetër, e rëndësishme nuk është ajo që mendon shumica, por të vërtetat që dalin në pah pas një procesi të drejtë të drejtësisë. Unë dhe dhjetëra mijëra njerëz të tjerë të pafajshëm që po përballemi me një akuzë kaq të rëndë duam që të kalojmë përmes një procesi të pastër të drejtësisë, në mënyrë që të mund të pastrojmë emrin dhe personat tanë. Ne nuk duam që të jetojmë me një dyshim të këtillë. Mirëpo, me marrjen nën kontroll të drejtësisë nga ana e qeverisë, veçanërisht pas vitit 2014, si mua, dhe dhjetër amijëra simpatizantëve të mi u është hequr e drejta për të bërë përpjekje në emër të pastrimit të emrit nga akuzat e padrejta. Ndaj, i bëjmë thirrje shtetit turk dhe unë premtoj bashkëpunim të plotë në këtë pikë: të ngrihet një komision ndërkombëtar dhe i pavarur hetimor, i cili ta analizojë dhe shqyrtojë me drejtësi përpjekjen për grusht shteti. Nëse do të dalë e vërtetë qoftë edhe një e dhjeta e akuzave të hedhura, unë jam gati që të kthehem në Turqi për t’u dënuar me ndëshkimin më të rëndë të mundshëm.
Vullnetarët e kësaj lëvizjeje kanë njëzet e pesë vjet që ndiqen dhe kontrollohen nga qindra qeveri, shërbime informative, studiues dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile në të katër anët e botës dhe nuk është hasur as edhe një veprimtari e vetme e jashtëligjshme. Prandaj edhe shumë shtete nuk i marrin seriozisht hipotezat e hedhura prej qeverisë turke ndaj lëvizjes “Hizmet”.
Tipari më i veçantë i lëvizjes “Hizmet” është se ajo nuk synon kurrfarë pushteti politik. Në vend të tij ajo synon kërkimin e rrugëzgjidhjeve për ato probleme që rrezikojnë të ardhmen e njerëzimit, të cilat kërkojnë përherë frymëmarrje të thella. Në një periudhë të historisë kur gjeografia islame përmendet vetëm me terrorin, gjakderdhjen dhe prapambetjen, ne jemi të përqendruar në rritjen e brezave të rinj, të hapur ndaj dialogut dhe që i shërbejnë në mënyrë aktive shoqërisë në të cilën bëjnë pjesë. Unë, ngase besoj se problemet më të mëdha të kësaj gjeografie janë injoranca, varfëria dhe përçarjet, i kam këshilluar simpatizantët e mi që të hapin më shumë shkolla, në vend të ndërtimit të xhamive, apo hapjes së kurseve të Kuranit. Pjesëtarët e lëvizjes “Hizmet” i zhvillojnë veprimtaritë e tyre arsimore, edukative, humanitare dhe shëndetësore, jo vetëm në Turqi, por në më shumë se 160 vende të botës, nga Azia në Afrikë. Veçantia më e madhe e veprimtarisë së tyre është se ato nuk i drejtohen vetëm myslimanëve, por njerëzve që u përkasin etnive dhe besimeve fetare të ndryshme. Ata kanë arritur që të hapin kolegje për vajzat në rajonet më të vështira të Pakistanit dhe e kanë vazhduar aktivitetin e tyre edhe në shumë vende të Afrikës së Mesme, megjithëse ato mund të kenë qenë në luftë civile. Në Nigeri, ndërkohë që militantët e Boko Haramit merrnin peng vajza, aktivistët e kësaj lëvizjeje u ofronin mësimdhënie sa e sa vajzave. I kam nxitur njerëzit që ndajnë të njëjtat mendime me mua në Francë, apo në vendet frankofone që të bashkëpunojnë me autoritetet vendase në përpjekjet e tyre ndaj grupimeve që përfaqësojnë një islam radikal. U kam kërkuar atyre që besimtarët myslimanë të atyre vendeve të mos përmenden si individë që shkaktojnë probleme, por si njerëz të lirë që dalin në pah në rend të ditës me kontributin e tyre të veçantë ndaj shoqërisë si një vlerë e shtuar. Organizatat si al-Kaeda, apo ISIS-i, të cilat e ndotin zemrën e pastër të Islamit, i kam mallkuar vazhdimisht, aq sa herë-herë kam marrë edhe kërcënime prej tyre. Ndërkohë që qeveria turke po u ankohet të gjitha qeverive të vendeve të tjera për këta njerëz dhe shkollat që ata kanë hapur, ndërkohë që ata, jo vetëm që nuk janë përfshirë në atë grusht shteti, por edhe i kanë dalë haptas kundër çdo lloj akti të përdorimit të dhunës. Thirrja që u bëj unë të gjitha vendeve të botës është që të mos i marrin për bazë këto akuza të pabaza dhe të refuzojnë çdo lloj kërkese të paarsyeshme të kësaj natyre.
Në fund të fundit, institucionet që qeveria turke i ka mbyllur si pasojë e një vendimi politik, duke e shpallur këtë lëvizje si organizatë terroriste, janë shkolla, spitale dhe qendra a shoqata humanitare. Dhjetëra mijëra vullnetarët e kësaj lëvizjeje që janë arrestuar janë mësues, biznesmenë, doktorë, akademikë dhe gazetarë. Nuk është gjetur as edhe një provë e vetme që qindra mijëra viktimat e kësaj gjuetie shtrigash të mund të akuzohen për mbështetje të grushtit të shtetit, apo për ndonjë akt tjetër dhune.
Është e pamundur që t’i justifikosh me mbështetjen ndaj grusht të shtetit djegien e qendrës kulturore në Paris, ndalimi i sa e sa gazetarëve të sëmurë, pa u marrë parasysh gjendja e tyre shëndetësore, mbyllja e 35 qendrave humanitare dhe spitaleve, ku mjafton të përmendin qendrën “Kimse Yok Mu?”, marrja peng e pjesëtarëve të familjes në rast të mosgjetjes së personave të vënë nën kërkim, apo detyrimi i më shumë se 1500 akademikëve për të dhënë dorëheqjen. Me ç’duket, qeveria jo vetëm që po përpiqet të spastrojë nga radhët e institucioneve çdokënd që nuk u bindet atyre, duke u dukur sikur po spastron vetëm ndjekësit e lëvizjes “Hizmet”, por po u jep një mesazh të fortë të gjithë shoqërisë civile, që të maten mirë në qëndrimin e tyre. Pa harruar këtu edhe dhunën dhe torturat e ushtruara ndaj njerëzve, e cila është pasqyruar edhe në raportet e Amnesty International. Kjo është një dramë e rëndë njerëzore.
Ndërhyrja e menjëhershme e popullit për të mbrojtur qeverinë e zgjedhur përmes votës së lirë, duke e bërë që përpjekja për grusht i shtetit e 15 korrikut të përfundojë e dështuar është një ngjarje historike me shumë rëndësi. Vetëm se parandalimi i një grushti shteti nuk është i mjaftueshëm për fitoren e demokracisë. As sundimi i pakicës, as sundimi i shumicës dhe shtypja e pakicës prej tyre, as pak autokracia e të zgjedhurve nuk janë demokraci e vërtetë. Nuk mund të bëhet fjalë për demokraci në një vend ku nuk ekzistojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, siç janë mbizotërimi i ligjit, ndarja e drejtë e pushteteve dhe liria e mendimit. Fitorja e vërtetë e demokracisë në Turqi është e mundur vetëm pas rilindjes edhe njëherë të këtyre vlerave themelore.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix2 orë më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix2 orë më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix2 orë më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix2 orë më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix2 orë më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix3 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix3 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix3 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar3 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook