Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, ka deklaruar se ende nuk ka asnjë vendim lidhur me aleancat parazgjedhore. Është ende herët ka theksuar ai në një intervistë me gazetarin Ilir Babaramo, i pyetur pë aleancat para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kreu i PDIU-së është shprehur se partia që drejton, është e hapur për të gjitha aleancat, por ky do të jetë vendim i strukturave dhe pasojë e negociatave që do të ketë me secilën forcë politike. Idrizi ka mohuar që PDIU është kërcënim për LSI-në apo “jastëk i butë” për PS-në.

Idrizi tha se PDIU është në mazhorancë, ndjehet komode brenda saj, por kjo nuk do të thotë që marrëveshja të jetë respektuar. Ai përsëriti deklaratën se marrëveshja është ende në hapat e parë të zbatimit të saj. Në këtë intervistë, Idiri ka folur për një sërë çështjesh të tjera, por kryesisht për Çështjen Çame, ku përsëriti qëndrimet PDIU-së, vendosmërinë dhe hapat që do të ndjekë kjo parti deri sa Çështja Çame të marrë zgjidhje përfundimtare.