Lidhu me ne

Letersi

Njerëz kanë qenë… – Arshi Pipa

Kamp i Vloçishtit, Korçë

 

Kanali

 

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

 

Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;

Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.

 

Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,

E flên kush mundet për atë natë me fjetë.

 

Si lazaret rënkon e fshân baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.

 

Rreshtohet puntorija: ndahet çorba,

dy-trí patate qi vozisin n’uj.

E shtrîhen duert e dridhshme… Por shumkuj,

Pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.

 

Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë

Qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.

Për nji fundrrí kazani mu si korba

T’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.

 

Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën

Nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.

Dikush morritet. Njeni zien do barna,

 

Si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.

Nji professor me syza vetullçil

Bythça duhani mbledh e i ban fitil.

 

A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.

Fëtyra dheu ku sít e shojtun ngrohen

Kur shofin bukën; faqe qi gropohen

E nofulla qi dalin si patkoj.

 

Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.

Si dordoleca lkunden qi vendoi

Mbi hunj kopshtari. Njerz kta ksisoj?

Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.

 

Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,

Automa kockash, nji bërsí, nji pleh,

Ku veç prej emnave dallon e njeh

 

Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,

kusarin, simahorin, lakanderin

prej atdhetarit qi luftoi për nderin.

 

Por eja tash e shifi ndaj kanalit:

Njimijetreqind vetë, nji mizërí.

Lopata e bela tunden me furí

E qerrkat mbarin plisat e moçalit.

 

Trí metra e gjysmë kub për çdo njeri.

Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,

A qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,

bani ja vdis: ankimi s ban dobí.

 

Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina

Dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,

qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.

 

U mshon polici me dajak sa mundet.

Por ndodhë sa her qi njeni sish nuk tundet.

Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.

 

Kur bora e Prillit ndritte mbi Gramoz,

derisa bryma e vjeshtës rini knetën,

punuem na pa pushim tue hapun shtretën

ndër baltat e moçalit veshë n’rrogoz.

 

I futeshin kanalit veç me shetën,

Bela e lopata. Ushunjzat vijanoz

Na thithshin edhe at gjak  tuberkuloz

Qi kishte ngelë sa me na mbajtun jetën.

 

Sa zente çquhej nata nga mëngjezi

Ndër balta zhyteshim deri te brezi.

Humbojshim, shkajshim, bijshim laradash.

 

Ngulej qorras për fund lopata e qitte

Nji ndrag gjirizi qi si zifti ngjitte

E duhej flakun tutje mbi tre pash.

 

 

Kur rojevet u tekej me u-zbavitun

Merrshin ndokend nga puna, zakonisht

Fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht

Lopate u hfijshin sa t’ishin mërzitun.

 

 

Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht

Qi e ngitte posi kalin tu’ e shetitun

Përgjatë kanalit, “hyja!”, tue i britun…

E ja diftojshin puntorís me gisht:

 

“Sabotator i poshtër!klysh i Carit!

Sabotoni po deshët ju të tjerët!”

Zgërdhîheshin, zgërdhesheshin. At’herë

 

Dy-tre zuzarë mâ t’ligj, shokët e t’parit,

shtymën e jepshin n’gjol që nga skarpati,

dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.

 

Pushonte puna, niste çfaqja vrik,

Merrshin ata qi normën s’kishin krye

Dhe i futshin prap n’kanal tue u-ndërkrye

Mâ keq mbi ta, mâ t’dobtit, n’eshp sadik.

 

Nji tregtari t’dukuem qi u –rrokullye

Nga pesha e qerres te skarpati thik

Dy përnjiherë i futën me kamxhik,

Me shqelma nëpër llaçna tue u shkrrye.

 

Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështíjnë,

“pa shih, derri! Akoma bark më ka!

Ngre kambët sqap!… Mo ski merak, baba!

 

Ta heqim ne!” Mandej n’hendek e shtíjnë.

E i kqyrë nji idiot me gojën hap… I kllasin

Befas nji grusht me dhé… mandej gajasin.

 

Port hue se veç me kaq ngopshin djajt?

Cilat tortura lanë ata pa çpikun.

Kur u-mërzitën vetë tue rrahë, tue fshikun,

frrotën ndërsyen mbi né posi çakajt.

 

Cubin qi vrau për plaçkë, sifilitikun

Rrufjan i s’motrës dhe spijun i t’vllajt,

horin qi hangri bukë turpin e faj’t,

ata mblodhën, atyne u dhanë kamxhikun.

 

E “Bini atyne qi s’punojnë! – u thanë –

Bini, palaço, t’poshtër! Mirë e keni,

qi anmiqt e popullit ende kurseni!

 

Qi ju gabuet ata n’errsinë ju lanë.

Dhe shpejt pushteti jú ai do t’ju falë.

Por kta ktu do t’çfarosen dalngadalë!”

 

Ditën âsht vallja, natën sarabanda.

Se rraskapitesh ditën, natën flên?

Nuk thom për morrin, qi për turp e gjên

(u-mësuem me të) si miza dheu ndër banda.

 

E zgjohesh trembshëm… Ndien a veshi t’rrën?

Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa…

Torturohen tash shokët te komanda,

E radha jote nesër ka me qenë.

 

E ç‘nuk na bâjshin! Na rrihshin me tel,

lakuriq, e mandej n’ujna handraku

na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.

 

E na lidhshin me fill prej telefoni

Për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,

Qi t’na pështynte nesrejt divizjoni.

 

Proza, jo vargu i mallëngjyem lyric,

T’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:

T’i çohen flokët, t’i përqethet shtati

Kujdo lexon kanalin satanic.

 

Shtatë muej me radhë kjo punë e poshtër ngjati.

Kanali i Klosit, tjetri n’Libonik,

dhe Dunaveci i namun, për anmik:

njizet mijë metra me Devollin mati.

 

E nuk besojshim qysh i kishim bâ.

Gjithë kët fuqí ku, vall, e patën trupat,

Kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?

 

Kur larg qe puna katër milje e mâ

Na zgjojshin natën dhe mes shiut e llaçit

Na nisshin trok nën rythmin e kërbaçit.

 

Zbathun ishim shumica e natja e brymtë

Na futej deri n’eshtnat e krahnorit,

anjtun kambësh prej ndragut dhe prej zorit,

me mishin plagë qi dukej mish i krymtë.

 

Ashtu punuem nën diellin e Qershorit

Qi ndezte ngjeshun koje dheun e lymtë;

Ashtu punuem edhe kur qielli i zymtë

Mbi né përplasi shinat e Nandorit.

 

Me vegla e barrë gjithnduersh mbi sup e krye,

sulmue prej rojeve tue na përzanë

prej mbrapa si kopé mbas pune s’lanë,

 

shpesh herë pa bukë pse normën s’kishim krye,

duhej me ngá. O mjerë kush rá e ngeli!

Mbeti aty lmuç si turma e shtypi, e shkeli.

Çuditen bota, e nuk çuditen kot,

qysh Pyramidat ngrehu Faraoni

dhe Koloseun Romaku ku Neroni

i shpallej shekullit artist e zot.

 

Skllevnit i banë: ashtu pat qenë zakoni.

Kjo ndodhte para nesh me mija mot.

Por eni ktu dhe binduni ju sot!

Skllevën modernë na jemi: krahazoni.

 

Kanale si njato qi nga Moskova

Lidhen me Volgën, penda me centrale

Hydroelektrike e ara qi moçale

 

E stepa qenë, dëshmina janë e prova

çka munden skllevnit kur të jenë miljona.

Nji miniaturë e tyne punët tona.

 

N’infermerín e kampit, nji kasolle

Anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,

dergjen ndër qelbësina pêsë a gjashtë;

njiqind, dyqind i ke gjithmonë okolle.

 

Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrashtë

Dhe krisin hunjt e çizmet n’ato golle

Jete s’përçudun ngelun veç gëzholle,

E shpesh me shqelma i qet nga shtrati jashtë.

 

E vdesin fatkëqijt aty te praku,

Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,

Vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.

 

Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza

Tue bâ nevojën, vdesin posi miza,

Dhe si coftina i kallin ndër hendekë.

 

Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni

Kur letë puhija gjethin ju valvitë,

Te djerri qi veç kallma e driza rritë

Uzdajën time ndofta shembëlleni?

 

Sa her trishtueshëm un ju kam soditë

Sot thuprat tueja me na fye i keni.

Por çka ju patë, deh, melodí shpërbleni

Kur fej zanorë do t’jenë ato nji ditë.

 

O lemerí qi goja s’mund ta thotë!

Sa vetë u-pushkatuen aty me t’kotë

a-thue-se deshën me kalue përtej!

 

Sa tjerë me shqelma ose me hunj u-mbutën,

E ende për s’gjalli te ajo gropë u-zhytën

Qi hapën vetë e mbushën tjerë mandej!

 

Eshtnat pa vorr u kalben sot te djerri.

E ashtu sa tjerë u-varën vetë me lak.

Çka s panë kta sí. Dy plagë plot qelb e gjak

Le t’ishin, t’ishin pus ku drita shterri:

 

Mâ pakë do t’dhimbshin. – O vegime tmerri!

Kujtesë e dobët qi m’ban prore lak!…

Por sille fletën e pakryeme: cak

Qi s’mund t’arrîhet prej gjithkuj âsht Ferri!

 

O ti qi veten ndryshe din nga kafsha!

Ktu eja e shif e shpejt do t’ulet lafsha!

Mënyrat, shijet, etiketa e naltë,

 

Sjelljet e kandshme Koje t’imta ngjyre

Qi qytetnimi la mbi brum natyre

Kruje bilurin pakë. Çka doli? Baltë!

 

Shif, vizatoje! Flokët çue si iriq,

Me krhaët e shpupluem qi duken krraba!

E zhgulë prej dheut, si ta rrëmbente shkaba…

Çka? Nji panxhar!… E e dhamçon lakuriq!

 

Ktu kemi pá si grinden djali e baba

Për nji kulaç, për nji panxhar dy miq:

si vdekja e shokut âsht nji sihariq

kur me fundrrít e tija t’fâhet zhaba!

 

Kuadër i denjë për Goya-n: mnerë e krup!

Njerëz ktu pamë ndër graham, synin shpellë,

Tu’e zgurdullue për bukë, e t’u e përcjellë!

 

E shokët fill tu’ e prekun nëpër trup

Posa dha shpirt, e tu’ i plaçkitun krodhën

E bukës, krypën e çka n’torbë ju-ndodhën!

 

E pamë se qysh nga halet mblidhen trohet,

qysh jepet për nji bukë e vetmja kmishë,

qysh hahet djathi qelbun, voeja prishë,

qysh brehet kocka, bokla qysh thërmohet.

 

E simandej cingarja ndahet trísh

(se dysh u-ndá ndër burgje qysh prej kohet).

E pamë si prje urije pezmatohet

E bâhet kafshë njeriu e bâhet bishë.

 

E kem’ provue, ç‘âsht etja: kur na lêjshin

Gjithë ditnë n’diell pa uj (e jo pse s’gjêjshin),

e ngjitej gjuha zam për qiellzë pa jarg.

 

E pijshim uj kanali. Aty ku bani

Shurrën ndonjeni e tjetri edhe pëgani,

nji shok i rreshkun piu, dy hapa larg.

 

E kemi pâ se si njeriu nga dhuna

Qi mbytë burrnín mâ poshtë se shtâza rá,

se si nga friga meshkujt bâhen grá,

e bâhen shkardha e bâhen der spijuna.

 

Njerëz qi dijshim koça kemi pá

Kameleonta tue u-bâ, majmuna.

Por edhe tjetër pamë: si burra e çuna

Vdesin torturash, pa kallzue, pa u-qá.

 

E nxumë se qysh e ku provohet trimi,

si regjet karakteri nga mundimi,

dalluem se kush âsht shok e kush kodosh.

 

E njoftëm t’urtin, burrin e martyrin,

e njoftëm turmën, njoftëm panairin

e shpirtënve qi jepen për dy grosh.

 

Miqsís ktu i endi lavd qi posi çam

Qëndron i gjelbër pa ju-veshkun fleta,

atê qi koha mâ ndër endje t’veta

forcon e rritë kur t’jetë ngulitë për shkam!

 

Larg nga familjet ndër kto vende t’shkreta

Sa herë nji mik i mirë na u-bâ vëllam,

aq mâ i çmueshëm kur s ka veç brengë e skma,

aq mâ i dashun ku mâ pakë duhet jeta.

 

Mâ i langtë ullini sa mâ i ashpër dheu.

Pisha e madhnueshme qi mbi curr shpërtheu

Virtytin çfaqë qi lindi prej durimit.

 

Harrohet shoku me kê hove hove

Bunjte, dëfreve, nxne ose punove;

por nuk harrohet kurr shoku i mjerimit

 

N’orët e çlodhjes kur kujtesa e mpîme

Shkundet ngadalë nga pesa qi e mërtisë,

vidhen prej fundit rrahjet e dashís

e tingullon nji jeh n’andërr t’nji grime.

 

O paqë e votrës, ambëlsí e fmís!

Rreze e nji malli t’fortë qi nuk u-shkime!

A do t’i shofim prapë ato bekime?

A vinë mâ dit’ e humbuna t’rinis?

 

Ashtu mbas andrrash bota ktu përrallet,

Dhe hulumton mbi shenjat e mbi fallet

Se kur mâ kjo skëterrë do t’ketë nji fund.

 

N’ato përbindsha ku përgjon dikund

M’nji qoshe barku Mortja pa u-përpushë,

Endet e ndrojtun shpresa si vejushë.

 

Ky gjol, folé malarje, qi limanin

E lashtë romak me t’soçmin lidhë kundrejt,

Nji qytetnim nën vete ndrín qi u-ngrejt

Para se vendi t’kishte zot Romanin.

 

O ç‘andërr burgu qi m’i ndezi dejt

Kur veprës me mendim i bâjsha planin!

Poet i kombit ktu ndaltoje zanin!

Kreshnike âsht vepra dhe qëllimi shêjt!

 

E shifsha njerzín e lirë me vegla

Nëpër kanale tue shpejtue si thnegla,

tokën e hapun der te rranza e malit…

 

E shifsha nji qytet tue dalë nga fundi…

Nji sagë ilire tue burrue ndokundi…

Por ka ndryshim kanali prej kanalit.

 

O Buchenwald, o Majdanpek,Dachau!

Kangën për jú qi nisa e nuk e sosa

Ktu do ta kryej ku n’mishin tim vulosa

Gjithçka n’anmiq Gjermani dogj e vrau!

 

I huej ai qe, mizuer për t’huej. Por dosa

Né nuk na polli e nuk na llani shqau.

Nji gjak, nji gjuhë prej kombesh tjerë na ndau

Qi e murmurojnë dy Drinat dhe Vijosa.

 

Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi né

T’atillë nji dhunë qi s’banë as Turq e Shqé?

Nga trolli i vendit duel e u-rrit kjo farë?

 

Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.

Shqiptarë ata qi e sollën? Queji Serbën,

Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë!

 

Se qysh tepruem nuk din kush të përgjigjet.

Topitet shkenca n’pamundsín e vet.

Natyra msheka mbrenda nji vullnet

Të cilit mendja ende s ja mati ligjet.

 

Se kamp pune ky kurr nuk qe vërtet

Por kamp çfarimi ku ndryshojnë veç shtigjet.

O Majdanpek ku trupi n’furra digjet!

Por pllambë e dhé, Vloçisht, ke ti skelet!

 

Sa nji për tre, sa nji për pêsë punuem.

Hoqëm urín, lëngatën e torturën.

Rranjët e thella jetës ja diktuem.

 

Jo te sasija e vjamit, as e gjakut,

As te pêjzit qi vesin armaturën.

Por te besimi i ngultë, te forca e shkakut.

 

Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë

Nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,

por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën

nesërejt diellit plot uzdajë e pjerrrë,

 

ashtu nën rrotën qi për né qe mokën

me shpirt ndër dhambë dhuruem na kët skëterrë,

lirín e andrruem te nata e bame sterrë,

e zemrat tona atê për flamur rrokën.

 

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

Nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,

dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

 

ma e bukur do t’shkëlqente besa jonë.

Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

 

Sonte kujtimi n’arratít e tija

Tue u-vjedhun prej t’errtave llogore

Ndeshi n’andërr atê qi e thirrun prore

Duket veç rrallë për trishtimet e mija.

 

Ishte si qe te stina e parë rinore

Kur ja stoliste ballin pafajnija.

E m’thonte: “Çka se vdiqa shpejt? Lumnija

Nuk qe për mue! E lashë nji përmendore!

 

Jo krejt u-bora ku m’u –sos mënxyra.

Si frymë un endem (a s e ndien?) rreth teje.

Të prîj aty ku t’urdhënon detyra,

 

të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.”

I qeshën syt, i ndriti hir fëtyra…

O motër, vorri yt âsht mbrenda meje!

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar7 orë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore8 orë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore1 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar1 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix1 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix1 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix1 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix1 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix1 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix1 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook